I Pasur dhe i Varfër, një tundim i madh në këto kohë
Oligarkët vs Borgjezi vs Populus
Ky binom prej kohësh ka zënë vend në ligjërimin e përditshëm të analistëve, opinionistëve dhe është një ligjërim normal në këshillat shpirtërore të hoxhallarëve e priftërinjve në mjedisin mediatizues shqiptar. Të japësh një verdikt për varfërinë apo pasurinë me siguri ke për të rënë në një skematizëm ordiner bardhë e zi sado filozofik të jetë ky. Baza apo themeli i tyre është: se që të dyja janë gjendje materiale të përkohshme, ashtu siç është e përkohshme për ne të gjithë kjo dynja. Jeta njerëzore ka treguar, se është e larmishme, dhe se njerëzit kanë kaluar nga të pasur materialisht në të varfër, apo edhe anasjelltas në periudha kohore të shpejta apo jo!
Varfëria është një gjendje e urrejtur te njerëzit në përgjithësi dhe nuk pranohet lehtësisht nga psikeja e tyre, për shkak se nuk ka pasoja të mira për njerëzit dhe familjet e tyre socialisht. Social-komunizmi lindor e trajtonte varfërinë si një virtyt, ndërkohë që ajo është gjendje jo e lakmuar njerëzore. Edhe vetë kasta e lartë e liderave tonë komunistë shpreheshin me mburrje, që vinin nga familje të varfëra, ndërsa realiteti i tyre ishte se vinin nga familje të kamura dhe me reputacion. Varfëria u trajtua si epitoma e një virtyti të lartë, që një shoqëri e tërë duhej të karakterizohej dhe se të qenit i kamur apo i pasur ishte një sakrilegj, që duhej ndëshkuar.
Edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare nuk po e gjen dot veten në këtë dilemë të një gjendje materiale dhe dëshirës për të dalë nga varfëria dhe për t’u bërë i pasur. Kamja dhe skamja janë sprova të mëdha njerëzore e shoqërore. Lufta për të qenë në majat e shoqërisë është një shtysë e mjaftueshme për të mbledhur para e pushtet, dhe në shumë raste pjesa tjetër e shoqërisë i percepton këta individë e shtresa si armiqësore, duke sjellë trazira nga më të mundshmet. Të jesh i pasur me gjithë gradën e pasurisë ku je, nuk përbën ndonjë krim. Nga ajo që të ka dhënë Zoti i Lartësuar, nëse jep e ke pastruar pasurinë tënde dhe kështu e rregullon në mënyrë të dyfishtë marrëdhënien tënde me Zotin e Lartësuar dhe me njerëzit.
Marrëdhënia jonë vertikale, që kemi të gjithë ne me Zotin e Lartësuar sjell si pasojë edhe rregullimin e marrëdhënieve tona me njerëzit dhe kjo gjë duhet të jetë prioriteti i secilit prej nesh. Lëmosha nuk e pakëson pasurinë dhe kjo i bën të pasurit më të pasur. Elita jonë pasanike akoma nuk është e vetëdijshme për vlerat hyjnore të lëmoshës, për pasojë edhe shkon pas dukjes dhe spektaklit me pasurinë që ka. Ky është problemi në thelb, sepse të japësh pasuri sipas porosive hyjnore dhe për hir të Zotit të Madhëruar është modeli i vërtetë që duhet të përçojnë shtresa e pasanikëve të rinj. Po ashtu këta pasanikë duhet t’i drejtohen xhamive për të gjetur rehatinë e tyre shpirtërore dhe vetveten përmes edhe bamirësisë e zekatit, që duhet të japin.
Demonstrimi i luksit të tyre nuk i bën fajtorë, por ama shprehja e përunjësisë i bën më të dashur në sytë e Zotit të Madhëruar dhe më pas vjen edhe dashamirësia njerëzore e shprehur si vllazëri gjaku e shpirtërore.