Forumi Musliman i Shqipërisë përshëndet mesazhin në “Twitter” të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në të cilin shprehet se: “Masakra e Srebrenicës është një akt gjenocidal, i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Shqipëria duhet të ketë kurajën dhe pavarësinë për ta dënuar atë si dhe gjenocidin serb në Kosovë, mbi të cilin Partia Demokratike do të paraqesë në Kuvend një rezolutë”.
Forumi gjithashtu përshëndet edhe përkujtimin që kryeministri Rama i bëri 26 vjetorit të kësaj masakre duke publikuar në rrjetet sociale foton e një boshnjakeje, që vajton në varreza humbjen e të afërmve me dedikimin “11 Korrik, 26 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës”.
Vlerësojmë po ashtu edhe reagimin e mëhershëm të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që u shpreh se kriminelët duhet të dënohen dhe se është e papranueshme që ka politikanë në rajonin tonë, të cilët thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për genocid qenkan kundër dialogut e fqinjësisë së mirë.
Sipas përcaktimit të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Dominic Raab, “ky ishte një nga krimet më të mëdha në tokën europiane, që nga Lufta e Dytë Botërore. Në operacionin e planifikuar u vranë më shumë se 8,000 burra muslimanë dhe u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre më shumë se 20,000 gra e fëmijë”.
Forumi Musliman i Shqipërisë shpreh bindjen, që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që përfaqëson një popullsi me shumicë të cilësuar muslimane do ta miratojë pa hezitim rezolutën për Srebrenicën.
Duam të sjellim në kujtesë që një gjë të tillë e ka bërë tashmë edhe Kuvendi i Malit të Zi pavarësisht popullatës së shumtë proserbe të këtij vendi.
Kuvendi i Shqipërisë ka gjithashtu detyrimin atdhetar që krahas gjenocidit serb në Kosovë, të rikujtojë çdo vit edhe gjenocidin grek mbi popullsinë muslimane të Çamërisë.

14/07/2021