FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË 

Familja dhe mësimbesimi  /ARKIV

1/12/2012

Pas një përpjekje një mujore me nismën e Forumit Musliman të Shqipërisë u realizua një tryezë e rrumbullakët ndërmjet shoqatave muslimane me temën “Familja dhe mësimbesimi”. Pjesëmarrja e shoqatave në këtë tryezë ishte maksimale dhe ishte vlerësuar seriozisht nga organizatori dhe të gjithë pjesëmarrësit. Përpara fillimit të bisedimeve, e cila ishte konceptuar për të përthithur mendimet dhe sugjerimet e të gjithë të pranishmëve u lexua deklarata e FMSH-së: “Figurat e shquara muslimane dhe 100-vjetori i Shtetit Shqiptar”, e cila u mirëprit nga të pranishmit dhe të gjithë ata e mbështetën këtë deklaratë. Takimi u moderua nga sekretari i FMSH-së Roald Hysa, i cili i njoftoi të pranishmit, se FMSH ka nisur me këtë deklaratë njëkohësisht edhe një fushatë sensibilizuese mediatike për figurat e shquara muslimane me kontribute të mëdha për shtetin shqiptar dhe shoqërinë. Në këtë tryezë u sollën mendime dhe sugjerime të vlefshme rreth kësaj teme.

Diskutimet u bënë më të vlefshme pas ndërhyrjeve të didaktit Xhemal Balla, i cili solli në këtë tryezë përvojën e tij të gjatë në arsim. Po ashtu edhe ndërhyrjet e z. Bedri Telegrafi ishin tepër të vlefshme, sidomos në drejtim të partnershipit të përbashkët. Kryetari i FMSH-së Fisnik Kruja vërejti se përpjekjet e përbashkëta do të sillnin rezultate të vlefshme për këtë temë, e veçanërisht në drejtim të mësimbesimit, ku nevojiten tekste, programe e një platformë e qartë veprimi. Mehdi Gurra solli në këtë tryezë një seri tekstesh për mësimbesimin që nisin nga klasa e parë e deri në klasën e 11, të cilat përdoren në shkollat e Bosnje-Hercegovinës në kuadrin e përthithjes së përvojës nga ky vend. Po ashtu edhe nga të pranishmit u sollën informacione të ndryshme nga kjo fushë, gjë për të cilën u diskutua gjerësisht. Konferencat virtuale on-line nëpërmjet internetit ishin një tjetër mundësi, e cila u propozua nga Indrit Abdiaj. Të gjitha subjektet e pranishme shprehën njëzëri sugjerimin, se kjo tryezë duhet të vazhdojë edhe më tej dhe kjo në nivel specialistësh të fushës përkatëse.