(28/11/1942 – 9/11/2021)

Lindi në Shkodër, dhe që në moshë të re mes vëllezërve e motrave të tij Selimi shquhej për dashurinë dhe karakterin e fortë për të mbështetur e ndihmuar familjen. Si natyrë Selimi ka qenë opozitar me të keqen dhe të padrejtën dhe për këtë luftoi tërë jetën e tij. Ai kishte guximin të fliste kundër tiranisë gjatë viteve të regjimit diktatorial. Selimi vazhdimisht ishte i pranishëm në komunitet dhe e thoshte fjalën e tij pa ndrojtje në mbrojtje të interesit të njerëzve të thjeshtë. Rruga e gjatë e jetës së Selimit nuk ishte e thjeshtë, por pati ulje dhe ngritje, porse ai mbeti gjithmonë energjik dhe i pranishëm në mjediset shoqërore. Ai e filloi rrugën e vështirë të jetës në sharrat e Spaçit, më pas i mbijetoi një aksidenti të rëndë në sharrat e Shkodrës. Selimi me shumë vështirësi arriti ta mbaronte shkollën e mesme pa shkëputje nga puna dhe pastaj edhe universitetin për Gjuhë-Letërsi në vitet 1970. Shkollën dhe profesionin e mësuesit e donte shumë dhe ia arriti të emërohej mësues në Vermosh, Bushat dhe zona të tjera të thella të veriut të vendit.

Selimi i përqafoi shumë shpejt ndryshimet demokratike në vitet 1990, duke u bërë ndër aktivistët e parë të Partise Demokratike. Ai hapi një kancelari dhe librari njëkohësisht, ku i dha prioritet librit islam. Selimi gjithnjë thoshte, se brezi i ri duhet të lexojë dhe edukohet, shkolla është domosdoshmëri, pra të përhapim dijen.

Selim Gokaj ishte ndër të parët aktivistë të Forumit Musliman të Shqipërisë në Shkodër. Ai u dallua në mënyrë të veçantë për energjinë dhe aktivizimin e tij në mbrojtje të lirisë së besimit dhe të përballjes me islamofobinë. Veçanërisht u dallua në kundërshtimin e përpjekjeve për ndryshimin e identitetit të Xhamisë Fatih në Kalanë e Shkodrës. Ai u dallua edhe në fushën e gazetarisë me shkrime në gazeta, ku dallojnë shkrimet në gazetën Rimëkëmbja. Për disa vite botoi gazetën Besimtari, ku kontribuoi edhe me shkrimet e tij, ku adresonte problemet e ndryshme me të cilat ballafaqoheshin besimtarët muslimanë, si dhe strukturat e bashkësisë muslimane. Ndërron jetë më 9/11/2021 dhe përcillet me respekt e dashuri nga bashkëbesimtarët e tij, të cilët ia falën namazin e xhenazes në Xhaminë e Parrucës.

Forumi Musliman i Shqipërisë i shpreh ngushullimet familjes Gokaj dhe lutet që Allahu i Madhëruar ta mëshirojë Selimin e ta pranojë atë në Xhenetet e Larta. Amin.