DEKLARATË E FORUMIT MUSLIMAN TË SHQIPËRISË (FMSH)
Mbi shpalljen arbitrare të hoxhës Bekir Halimi dhe Valon Bela, të dy shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si persona të padëshiruar (non grata).
Forumi Musliman i Shqipërisë (FMSH), në mbrojtje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, shpreh shqetësimin e thellë dhe rezervat e tij të forta ligjore lidhur me vendimin e Ministrit të Brendshëm për shpalljen “non grata” të hoxhë Bekir Halimit dhe z. Valon Bela.
Ky akt administrativ, i ndërmarrë nën argumentin e “interesit kombëtar”, shfaq mangësi serioze procedurale dhe substanciale, duke shkelur parimet themelore të transparencës dhe llogaridhënies publike. Për këtë arsye, FMSH deklaron sa vijon:
Në një shtet demokratik, çdo masë shtrënguese duhet të mbështetet në fakte konkrete, të verifikueshme dhe të shoqëruara me prova ligjore. Pretendimet e Ministrisë së Brendshme për “informacione nga agjencitë e sigurisë” pa paraqitur asnjë provë konkrete të shkeljes së ligjit, përbëjnë një precedent të rrezikshëm që cenon sigurinë juridike. FMSH kërkon nga institucionet që të bëjnë transparencë të plotë mbi faktet që kanë çuar në këtë vendim. Administrata shtetërore nuk mund të veprojë mbi dyshime subjektive apo perceptime të vëna në shërbim të agjendave politike.
Në mënyrë të veçantë, hedhim dyshime të forta se ky vendim është një ndëshkim i kamufluar ndaj këtyre individëve për shkak të qëndrimeve të tyre publike dhe mbështetjes së shprehur ndaj protestave qytetare në Tiranë. Përdorimi i mekanizmave të sigurisë kombëtare për të penalizuar zërat që artikulojnë pakënaqësi ndaj qeverisë është një abuzim flagrant me pushtetin. E drejta për të protestuar dhe për të pasur një qëndrim kritik është një gur themeli i demokracisë; persekutimi i kujtdo që ushtron këtë të drejtë është një akt antikushtetues.
Opinioni pubik shqiptar ka përcjellë me indinjate faktin që individë nga trojet etnike konsiderohen si të huaj nga qeveria e Shqipërisë, ndërkohë që e gjithë shoqëria mbarë shqiptare vepron si një trup i vetëm si në aspektin shpirtëror, politik, fetar, kulturor sportivë etj.
FMS
H konstaton me shqetësim se ky vendim ndjek një model të përsëritur të sjelljes qeveritare ndaj figurave fetare. Në rastin e hoxhë Bekir Halimit, nuk mund të mos e shohim këtë vendim si një përpjekje për të intimiduar komunitetin fetar, duke vijuar fushatën e sulmeve të Kryeministrit dhe deputetëve të tij ndaj klerikëve që nuk përputhen me vijën politike zyrtare. Ky trajtim diskriminues është në kundërshtim të plotë me Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që garantojnë lirinë e shprehjes dhe barazinë para ligjit.
Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje autoriteteve shtetërore të rishikojnë urgjentisht këtë vendim arbitrar. Ne kërkojmë:
• Publikimin e fakteve dhe provave ligjore që kanë çuar në këtë shpallje, përtej retorikës së përgjithshme për “sigurinë kombëtare”.
• Ndalimin e përdorimit të instrumenteve shtetërore për të shuar zërat kritikë dhe për të diskriminuar individët për shkak të bindjeve të tyre fetare apo politike.
Shteti shqiptar duhet të veprojë si një vend anëtar i familjes evropiane, duke mbrojtur parimet e lirisë dhe jo duke shfaqur tendenca autoritare që ngjasojnë me regjimet që kufizojnë liritë qytetare.



























