Më 4 shtator 2026, në Haxhibektash të Nevşehirit (Turqi), u mbajt forumi me temë “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme“, nën kujdesin e Kryesisë për Kulturën Alevi-Bektashiane dhe Xhem-Evët pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kryesinë e Komunikimit.
Në deklaratën përfundimtare të forumit u theksua se besimi dhe trashëgimia kulturore bektashiane janë me qendër në Anadoll, ndërsa Teqja e Haxhi Bektash Veliut — “Shtëpia e Pir-it” — është qendra historike dhe shpirtërore e bektashizmit.
Gjatë forumit u lexua gjithashtu një deklaratë publike në emër të Hademü’l-fukarâ Ali Haydar Ercan Dedebaba, Udhëheqësit të Bektashinjve të Botës dhe Postnişinit të Teqesë së Haxhi Bektash Veliut, në të cilën u theksuan këto pikë:
- Bektashizmi nuk është projekt shtetëror, lëvizje politike apo projekt kombëtar-politik, por rrugë besimi dhe urtësie e trashëguar nga Haxhi Bektash Veliu, me rrënjë në sufizmin islam;
- gjuha e përbashkët e adhurimit të bektashinjve është turqishtja, dhe murshidi në postin e Dedebabasë duhet të jetë shtetas i Republikës së Turqisë dhe banor brenda kufijve të saj;
- qendra historike e rrugës bektashiane — “Shtëpia e Pir-it” — nuk mund të zhvendoset në një gjeografi tjetër përmes vendimeve politike tokësore;
- shpallja e Edmond Brahimajt (“Baba Mondi”) si lider global është e pavlefshme sipas erkanit bektashian, pasi atij nuk i është dhënë as autorizimi i Halifebaballëkut;
- u refuzua kategorikisht pretendimi se një “Shtet Bektashi” ose “Vatikan Bektashi” në Tiranë përfaqëson tërësinë e bektashizmit.
Në përfundim, bektashinjtë në mbarë botën — veçanërisht ata në Shqipëri — u ftuan të qëndrojnë për unitet dhe jo për ndarje, të lidhur me urtësinë e lashtë të Haxhi Bektash Veliut dhe jo me llogaritë perandorake.
Forumi Musliman i Shqipërisë e përshëndet dhe i bashkohet plotësisht konkluzioneve të kësaj deklarate: se bektashizmi është rrugë besimi dhe jo projekt politik, se qendra e tij historike e shpirtërore mbetet Teqja e Haxhi Bektash Veliut, dhe se asnjë iniciativë tokësore nuk mund ta zhvendosë ose ta ripërkufizojë këtë amanet. I ftojmë besimtarët që të qëndrojnë në bashkim, vëllazëri dhe paqe, duke u treguar vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje për ta kthyer bektashizmin në vegël përçarjeje, armiqësie dhe cenimi të integritetit territorial të Shqipërisë.




























