Përdhosja e xhamisë së Et’hem beut nga njerëz të papërgjegjshëm i ka indinjuar të gjithë besimtarët muslimanë në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që besimtarët nuk po lejohen dhe po ndjehen “non grata” në shtëpinë e tyre, pakujdesia shtetërore shkakton përdhosjen e një Shtëpie të Zotit e pikërisht të asaj Xhamie, që është edhe shpirti dhe zemra e Tiranës. Përdhosja e varrit të Haxhi Et’hem Beut dhe të bashkëshortes së tij është një ofendim i rëndë për të gjithë qytetarët e Tiranës pa dallim. Kjo ngjarje e ulët e fundjavës (12/09/2021) për shkak të evenimenteve të Bashkisë së Tiranës vjen si pasojë e papërgjegjësisë së autoriteteve lokale dhe qendrore, të cilët janë përgjegjës për gjendjen e nderë juridike mbi këtë institucion dhe ndërtesë ikonë përfaqësuese të kryeqytetit. Besimtarët prej kohësh kanë kërkuar që kjo xhami t’iu rikthehet atyre dhe funksioneve normale për të cilat edhe Haxhi Et’hem Beu e ndërtoi dhe ia dhuroi qytetarëve tiranas. Jemi shumë të indinjuar dhe nuk pajtohemi me këtë gjendje anormale, ku askush nuk merr përgjegjësi për këtë xhami. Bashkia e Tiranës të marrë masat e duhura që në të ardhmen, në aktivitete të ngjashme, të bëjë rrethimin e territorit te Xhamisë dhe ruajtjen e saj me Policinë Bashkiake. Gjithashtu kërkojmë rikthimin e menjëhershëm në funksionet normale të kësaj xhamie, e cila nuk mund të lihet nën kujdesin e një rojeje ordinere. Ndjehemi shumë të lënduar nga kjo situatë papërgjegjësie totale, e cila ka shkaktuar të gjithë këtë gjendje. Besimtarët muslimanë nuk mund ta tolerojnë atë që ndodhi dhe me të drejtën e Zotit kërkojnë, që kjo gjendje të marrë fund.