Forumi Musliman i Shqipërisë (FMSH) njofton opinionin publik se ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë, një kallëzim penal kundër shtetasit Marius Seiti, administrator i faqes së biznesit në rrjetin social Facebook me emërtimin “Vlora”.
Ky kallëzim vjen si pasojë e veprimeve të përsëritura të këtij shtetasi, i cili nëpërmjet platformës që administron, ka përhapur në mënyrë sistematike gjuhë urrejtjeje dhe ka nxitur grindje kundrejt besimtarëve muslimanë për shkak të fesë. Kallëzimi bazohet në nenin 265 të Kodit Penal, i cili sanksionon “Nxitjen e urrejtjes ose grindjeve”.
FMSH ka dokumentuar disa raste flagrante të publikuara gjatë muajit qershor 2026, ku i kallëzuari përdor terma fyes dhe stigmatizues si “mullahomerë”, “talebanë” dhe “islamikë radikalë”. Në postimet e tij, shtetasi Seiti etiketon besimtarët muslimanë për shkak të simboleve të tyre fetare, si shamia apo mjekra, duke i paraqitur ata si elementë të huaj për traditën shqiptare dhe duke nxitur hapur urrejtjen ndaj tyre si dhe përçarjen fetare.
Rasti më flagrant nga lista e postimeve ku shtetasi Marius Seiti nxit urrejtje për shkak të fesë ndaj muslimanëve shqiptarë është postimi i datës 9 qershor 2026, ku i kallëzuari ka kompiluar një listë të gjatë me foto besimtarësh muslimanë pjesëmarrës në protestë në Tiranë, duke i quajtur “mullahomerë” që janë ngritur në protestë sepse “e duan Shqipërinë si Gaza”, që janë “pula që kakarisin në emër të Shqipërisë” dhe që “nuk kanë asnjë zakon apo traditë shqiptare” dhe që janë “talebanët e Shqipërisë”.

Forumi Musliman i Shqipërisë, si një organizatë e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe parimeve kushtetuese, thekson se bashkëjetesa fetare është një nga vlerat më të shtrenjta të popullit shqiptar. Sipas nenit 1/b të Kodit Penal, legjislacioni ynë ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e njeriut dhe bashkëjetesën fetare nga çdo lloj vepre penale.
FMSH i bën thirrje organit të akuzës të veprojë me shpejtësi dhe efikasitet për zbardhjen e plotë të këtyre rrethanave dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore. Ne besojmë se zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është rruga e vetme drejt një shoqërie të lirë, tolerante dhe harmonike.




























