Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Francë, ku një mësues u vra brutalisht e po ashtu, ky akt kriminal nxiti fatkeqësisht një fushatë të ulët, poshtëruese e antiligjore ndaj Profetit Muhamed dhe Komunitetit Musliman në Francë e më gjerë në rang global.

FMSH  dënon me forcë vrasjen e mësuesit nga një ekstremist 18 vjeçar, duke e quajtur atë të papranueshëm e të pajustifikuar në asnjë lloj rrethane.

FMSH dënon gjithashtu reagimin e autoriteteve franceze pas këtij krimi, specifikisht publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed në hapësirat e ndërtesave qeveritare në disa qytete.

Po ashtu FMSH e quan të papranueshme gjuhën e përdorur nga presidenti Emanuel Macron kundër Fesë Islame dhe Komunitetit Musliman. Këto janë qëndrime që nxisin gjuhën e ndasisë e të urrejtjes.

Qëndrimet publike fyese ndaj Islamit dhe profetit Muhamed të cilat justifikohen me lirinë e shprehjes, nuk duhet të shërbejnë si mjete të luftës politike, as në Francë dhe në asnjë vend tjetër, pasi ato prekin ndjeshmërinë e gjithë besimtarëve muslimanë, në të gjithë botën. 

Çdo akt dhe qëndrim ekstremist, nga kushdo qoftë ai, si dhe abuzimi me lirinë e shprehjes, vetëm sa e dëmton klimën e demokracisë.

FMSH bën thirrje për angazhimin e të gjithë aktorëve e faktorëve politikë, fetarë e socialë, në funksion të bashkëjetesës e paqes sociale, respektimit të lirive themelore si dhe garantimin e të drejtave të çdo komuniteti fetar.