Në fundjavën e kaluar nga dita e premte e deri të dielën (27-29 dhjetor) u
zhvilluan disa aktivitete koncertore. Me këtë rast disa besimtarë të
Xhamisë së Kokonozit –Pazari i Ri kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj
volumit të lartë, që i shoqëronte këto koncerte. Volumi i lartë i tyre ka
ndërhyrë gjatë ceremonive të faljes së Xhumasë- ditën e premte, ku në një
mënyrë apo tjetër ka shkaktuar mos-kryerjen siç duhet të kësaj ceremonie
nga besimtarët. Sipas ankesave të besimtarëve kjo nuk është hera e parë,
kjo është diçka e përsëritur dhe nga niveli i pajustifikueshëm i lartë i
zërit të altoparlantëve janë shqetësuar jo vetëm besimtarët dhe
frekuentuesit e xhamisë së Kokonozit, por edhe i gjithë komuniteti i zonës
rreth e rrotull.
Pas një sondazhi që kemi bërë, këto ankesa na rezultuan të sakta, prandaj
edhe po ua sjellim edhe juve. Besojmë se nuk ka ndonjë vështirësi për ta
zgjidhur këtë problem, të cilin Bashkia e ka shumë të thjeshtë. Ju
sugjerojmë që zgjidhja mund të bëhet në dy mënyra efikase, ku e para është
një zgjidhje e përbashkët, edhe për komunitetin e banorëve rrotull por
edhe besimtarët, që niveli i zërit të ulet në nivelet normale, saqë mund
ta dëgjojnë të pranishmit rreth e rrotull, pa u kthyer në shqetësim dhe e
dyta njëkohësisht është që të evitohet përplasja e orareve të faljes së
xhumasë apo edhe faljeve të zakonshme (të cilat nuk zgjasin më shumë se 15
min) me aktivitetet e Bashkisë. Pra në momentin e faljeve mund të bëhet
një pauzë e shkurtër e aktivitetit, ku siç na u njoftua nga besimtarët e
interesuar koncerti filloi në kohën e xhumasë dhe mbaroi pak pas xhumasë,
ndërkohë që po të ishte vonuar sadopak orari, sikur të ishte caktuar 45
minuta më vonë, nuk do të kishte sjellë shqetësim.
P.S. Besimtarët kanë njoftuar myftiun e Tiranës Lauran Luli për këtë
problem, me të cilin mund të kontaktoni dhe të verifikoni këto që ju
përcollëm si shqetësimin tonë dhe të besimtarëve. Mendojmë që edhe myftiu
do të jetë dakord me këto zgjidhje që ju sugjerojmë dhe mund ta diskutoni
edhe me atë.
Gjithashtu ju bëjmë me dijeni se pas 36 orësh kjo letër do të bëhet
publike në faqen tonë zyrtare.
Duke ju falenderuar paraprakisht për mirëkuptimin.
Fisnik Kruja/ KRYETAR