Një ankesë ka mbërritur pranë Forumit Musliman të Shqipërisë për refuzimin e punësimit për shkak të besimit fetar që përfaqëson, ku ankuesi na referoi:

Pas një intervistimi me drejtuesin e një firme private prodhuese veshjesh gojarisht u arrit në një pranim për punësimin tim te kjo firmë. Gjatë intervistës për të qenë korrekt me punëdhënësin e njoftova se jam besimtar musliman që falem dhe se gjatë orarit të punës do të më duhet të shkëputem për pak minuta të faljes. Intervistimi u mbyll, në pritje që të merrja njoftimin e punësimit tim pranë kësaj firme dhe të filloja punë sipas asaj që më ishte pohuar gojarisht. Ndërsa isha në pritje të një përgjigje pozitive përmes një mesazhi ëhat’up njoftohem se vendi i punës më ishte refuzuar për shkak se unë falesha dhe ambientet private të kësaj firme ishin laike. Për këtë disponoj mesazhin në fjalë dhe po jua përcjell ashtu si ma dërgoi pronari i kësaj firme.

“Miremengjes I…. Uroj te jeni mire. Pas diskutimit qe patem se brendshmi, per kerkesen tuaj per te patur mundesine e lutjeve gjate dites, deshiroj t’ju informoj se kemi marr vendimin qe nuk mund te lejojme falje brenda ambinteve te Maxbrand. Ne kemi nje respect te thell per te gjitha fete dhe per njerzit fetar, por ambienti yne eshte nje ambient laik dhe nuk mund te krijojme ndasi midis feve brenda ambienteve te punes. Falja mund te ndodh ne nje ambient jashte zyrave tona por te jem i sinqert deri ne fund me ju, e shoh disi shqetesues faktin qe gjate dimrit do te te duhet te faleni 4 here gjate orarit te punes, kjo do te sillte jo vetem pakenaqesi ne pjesen tjeter te stafit per shkeputjet e shpeshta (por nuk eshte ajo qe me shqeteson me teper sepse zevendesohet me qendrimin pas pune), por edhe per faktin se mund ta keni diten te programuar me mbledhje dhe takime te njepasnjeshme, gje qe do ta bente te veshtire agjenden tuaj ne funksion te projektit. Per kete arsye mendoj se nuk mund te vazhdojme me tej me procesin e rekrutimit, me gjithe deshiren tone te madhe per t’ju patur pjese te Maxbrand. Ju uroj vec suksese dhe ishte kenaqesi per mua intervistat dhe biseda qe zhvilluam diten e djeshme. Me respekt, Koz…”

Duket qartë nga teksi i këtij mesazhi, refuzimi i qartë për shkak të besimit tim dhe paragjykimet fetare ndaj fesë që personi në fjalë i tregon më se qartazi. Parimi i laicitetit i përket organeve të ndryshme qeveritare dhe simboleve përkatëse fetare, që nuk duhet të gjenden në këto institucione. Në Ambientet Private është në dëshirën e pronarit të mbajë apo të mos mbajë simbole fetare, por që kjo t’i kërkohet individit të mos ketë besime fetare është e tepërt. Kjo nuk është shkelje e laicitetit, por një paragjykim i pastër dhe i kthjellët, si dhe përjashtim i tjetrit në bazë të besimit. Pavarësisht gjuhës së përdorur ky person me përgjigjen e tij e tregon qartë se pengesa e tij për ta punësuar është falja dhe merr përsipër edhe shqetësimin e të gjithë stafit pa pasur ndonjë kontakt me të punësuar të tjerë muslimanë. Kjo na sjell në përfundimin, se ky është një tjetër rast islamofobie për vendin e punës në sektorin privat, i cili duhet të jetë i zhveshur nga paragjykimet fetare dhe ta gjykojë performancën e të punësuarit në bazë të punës apo shërbimit që merr, dhe jo në bazë të paragjykimeve islamofobike.

30 maj 2025