Drejtuar Ora News
Përshëndetje i/e nderuar
Ngjarjet e fundit në Zelandën e Re kanë tronditur të gjithë botën tonë demokratike me numrin e lartë të viktimave si dhe me mënyrën tragjike se si këta persona humbën jetën e tyre. Madje një familje e tërë u shua nga ky sulm i paprecedent terrorist. Ndërkohë që i gjithë opinioni politik dhe shoqëror u solidarizua me familjet ëe viktimave dhe në mbështetje të bashkësisë muslimane zelandeze, vetëm një gazetar që është në shërbimin tuaj lëshoi vrer dhe me një gjuhë tejet urrejtëse ndaj të vdekurve dhe të gjallëve iu drejtua të gjithë opinionit për të nxirë kujtimin e të vdekurve dhe të nxisi më tej të gjallët kundër bashkësisë muslimane, duke e akuzuar kryeministren zelandeze si të paaftë.
Ky individ, prej shumë vitesh përdor një gjuhë të tillë urrejtje dhe nxitëse të konflikteve ndërfetare, duke qenë një rrezik konstant edhe ndaj unitetit të brendshëm kombëtar dhe harmonisë ndërfetare. I mbarë opinioni është shqetësuar nga këto deklarime të papërgjegjshme.
Forumi Musliman i Shqipërisë ju kërkon, që Televizioni juaj ta heqë nga programi emisionin që ka si protagonist Kastriot Myftarajn dhe të marrë masa administrative ndaj personave të tjerë përgjegjës për këtë emision.