Islamofobia në Shqipëri
Raporti vjetor 2016 –

Hyrje

Shfaqjet e islamofobisë gjatë vitit të kaluar kanë qenë nga më të ndryshmet
dhe raportimet për diskriminimin e individëve me baza fetare kanë mbrritur
nga disa drejtime pranë zyrave të Forumit Musliman të Shqipërisë. FMSH ka
disa vite që e monitoron situatën islamofobike në Shqipëri dhe i asiston të
dëmtuarit nga ky fenomen nëpërmjet asistencës juridike dhe këshillimit për t’i
dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme, që mund të hasi individi i dëmtuar.
Pavarësisht kontributit që kanë dhënë dhe japin muslimanët në përgjithësi në
dobi të vendit vazhdojnë të sulmohen nga pjesë të ndryshme të shoqërisë.
Fenomeni ka gjetur vend jo vetëm në shoqëri, por rëndom e shohim gjatë
kontakteve tona edhe me administratën shtetërore, e cila nuk arrin dot të bëjë
dallimin e konceptit laik me të qenit besimtar, të cilën e ndajnë si dy shfaqje që
nuk kanë të bëjnë dhe duhet të jenë krejtësisht të distancuara nga njëra-tjetra.
Po ashtu edhe përplasjet sociale janë shumë të ashpra, sidomos për femrat e
mbuluara me shami, të cilat rëndom gjenden përpara sulmeve nga më të
ndryshmet në jetën e përditshme, po ashtu edhe në rrjetet sociale e forumet, ku është më e lehtë fshehja e identitetit personal dhe sulmeve nëpërmjet
profileve false apo në forumet dhe debatet që hapen poshtë shkrimeve të
ndryshme nga mediat on line. FMSH nëpërmjet daljeve nëpër media të
ndryshme është përpjekur ta nxjerrë në pah këtë fenomen, si dhe të japë
zgjidhjet optimale. Vëmendja jonë ka qenë vazhdimisht ndaj shfaqjeve të
ndryshme dhe hulumtimit të arsyeve sociale pse ndodhin këto përplasje.
Ajo që vërejmë me shqetësim të vazhdueshëm prej kohësh janë sulmet verbale
dhe paragjykimet e krijuara nga presioni mediatik i ngjarjeve të vazhdueshme
të vëna në spikamë nga mediat dhe fjalori tejet ofendues për pasojë e titujve
bombastikë dhe terminologjisë së keqpërdoruar nga redaktorët e lajmeve.
“Terrorizëm islamik”, “gra me burka”, ferexhe apo perçe, muxhahidin etj., janë
përdorur pa kriter dhe jashtë kontekstit të vërtetë për t’i dhënë fuqi më të
madhe goditëse lajmit apo opinionit të gazetarit. Gazetarët tonë kanë treguar
se kanë mungesë njohje të traditës muslimane shqiptare. Emërtimi Islam i
përdorur vend e pa vend, e sidomos mbiemërimi “islamik”.

Problematikat shqetësuese- vështrim i përgjithshëm

Në vitin që shkoi pati disa ngjarje që e shqetësuan shumë bashkësinë
muslimane shqiptare dhe sulmet islamofobike pati në disa drejtime. Dy janë
temat problematike me të cilat u ballafaqua bashkësia muslimane dhe që për
pasojë qenë edhe në fokusin e FMSH-së dhe të stafit të vet, i përbërë nga
aktivistë socialë, juristë e gazetarë.
Mbulesa e Femrës Muslimane vazhdon të jetë në qendër të sulmeve të jetës së
përditshme të një femre të mbuluar. Ndërsa një incident i rëndë është ai i
“Shoqërimeve të Besimtarëve në Komisariate” për të dhënë shpjegime gjatë
ditës që do të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Izrael, e cila fillimisht u vendos të
luhej në Shkodër, por që “për shkaqe sigurie” u zhvendos të luhej në Elbasan.
Gjithashtu disa punonjës ushtarakë paraqitën një situatë të nderë përndjekjeje
ndaj tyre, për shkak se nuk lejohen të falen, duke mos iu krijuar kushtet e faljes
brenda repartit. Përkundrazi drejtuesit e reparteve me këmbëngulje kanë
kërkuar “t’i kapin në flagrancë”, e më pas të fillojnë procedurat ligjore
penalizuese kundër tyre. Një mësuese në një shkollë të ciklit 9-vjeçar ka
sulmuar vazhdimisht një nxënësin e saj me fjalor ofendues islamofobik, një problem që ka gjetur zgjidhje. Po ashtu është edhe një rast kur një organizatë i
është drejtuar Muzeut Historik Kombëtar për të marrë me qera sallën e madhe
dhe i është refuzuar qiradhënia, sepse ishin një organizatë fetare dhe “ata
mund të zhvillonin faljen aty”, e për pasojë këtë e ndalonte ish-drejtori i
Muzeut Melsi Labi. Pas dy tre bisedash me punonjësit e Muzeut ky problem u
zgjidh.

Sulme mbi Femrat e Mbuluara

Për vitin 2017 ne kemi arritur të regjistrojmë tre dëshmi nga femra të
mbuluara, të cilat kanë pësuar sulme nga më të ndryshmet, qoftë verbale, po
ashtu edhe fizike. Ajo që na duhet të vërejmë është se një pjesë e grave të
sulmuara kanë refuzuar t’i bëjnë publike dëshmitë e tyre dhe vazhdojnë të
ruajnë anonimatin. Për pasojë kjo pjesë, e cila në një farë mënyre na e ka bërë
me dijeni nuk kanë dhënë dëshmi, duke mos u bërë pjesë e zgjidhjes së
problemit. Dy nga tre rastet që do të citojmë thjesht kanë treguar eksperiencën
e tyre dhe me këmbëngulje vazhdojnë ta ruajnë anonimatin, ndërsa e treta ka
vendosur ta bëjë publik rastin e vet, jo thjesht për të treguar problemet që ka
hasur, por edhe njëherazi të shërbejë si shembull, që ky lloj problemi kërkon
zgjidhje të menjëhershme.
Nga dëshmitë e dhëna kuptohet, se sulmet janë si pasojë e një presioni
mediatik, ku gratë e mbuluara janë etiketuar si “terroriste”, “ju vrisni njerëz”
etj. Madje ndaj njërës është ushtruar dhunë duke marrë një goditje në fytyrë.
Në të dy rastet sulmueset janë vetë femra. Aktivistet muslimane vërejnë se
gjenden në mënyrë konstante nën presionin e një dhune verbale në jetesën e
përditshme, si dhe të paragjykimeve nga më të ndryshmet. Shfaqja e një gruaje
të mbuluar në publik u ndërpre për një periudhë 45 vjeçare, tashmë rikthimi i
kësaj pamje në publik megjithëse u bënë 26 vite demokraci po has në
vështirësi, për shkak të mentalitetit ateist të ushqyer në popull dhe në
administratën shtetëore. Terminologjia e përdorur nga mediet dhe gazetarët si
burka, ferexhe, perçe etj., tregon se ka doza të larta diskriminuese ndaj grave të
mbuluara. Presioni social para të cilit gjenden këto gra i detyron ato të mbeten
anonime për të mos i sjellë “shqetësime të tjera” familjes dhe rrethit të tyre.
Kështu kanë përfunduar që të mos tregojnë e denoncojnë atë që iu ka ndodhur. Në më të paktën dy raste kemi marrë dijeni për sulme fyerëse edhe nga
nëpunës shtetërorë gjatë shërbimit, mirëpo të dëmtuarat nuk kanë pranuar të
japin dëshmi qoftë edhe në mënyrë anonime.

Shoqërimi i besimtarëve nëpër komisariate për “sqarime”

Shoqërimi i besimtarëve nëpër komisariatet e policisë për sqarime, këto kohët
e fundit është kthyer në një fenomen shqetësues për të gjithë komunitetin. Për
herë të tretë brenda një periudhe të shkurtër përsëritet ky fenomen. Vizita e
Papa Françeskut, lumturimi i 39 priftërinjve katolikë në Shkodër dhe ndeshja e
futbollit Shqipëri-Izrael janë tre ngjarje gjatë zhvillimit të të cilave u ndaluan
dhe u shoqëruan besimtarë për sqarime nëpër komisariate. Masat e rrepta të
sigurisë për “mbarëvajtjen e ndeshjes” rezultuan me një shqetësim të të gjithë
opinionit publik shqiptar. Ndalimi i një numri të madh besimtarësh dhe
hoxhallarë që njihen për qëndrimet e tyre kundër terrorizmit në mëngjesin e
ditës së ndeshjes dhe lirimi i tyre pak para fillimit të saj është një akt në
kundërshtim të hapur me të drejtat e njeriut dhe ka shkaktuar tronditje te
besimtarët dhe familjet e tyre. Mediat referuan për një numër rreth 120
personash të shoqëruar nëpër komisariatet e qyteteve Shkodër, Tiranë, Durrës,
Kavajë, Elbasan etj. Ne arritëm të merrnim kontakte dhe dëshmi nga 8 persona
të ndryshëm, ku dy prej tyre janë imamë xhamish, të cilët shërbejnë dhe janë
të njohur për predikimet e tyre kundër radikalizmit dhe terrorizmit, dhe
veprojnë në dobi të shoqërisë edhe me aktivitete bamirëse.
Pas bisedave të hollësishme që patëm me të dëmtuarit vërehet, se janë shkelur
procedurat ligjore, duke i mbajtur më gjatë se sa e parashikon ligji mbi
shoqërimin dhe verifikimet. Marrja e panevojshme e shenjave të gishtërinjve,
intervistat dhe kontrollet nuk kanë çuar në ndonjë përfundim, thjesht kanë
sjellë më tepër shqetësim te familjarët, familjarët e afërt kanë pësuar trauma
psikike dhe shqetësime nervore për disa ditë, pavarësisht sjelljeve të mira të
punonjësve të policisë nëpër rajonet e policisë në Tiranë, Durrës e Kavajë,
oraret e tejzgjatura të shoqërimit nëpër rajone kanë shtuar ankthin e
familjarëve, dhe në rastin kur janë bërë dy kontrolle nëpër shtëpitë e të
shoqëruarve grupi i gatshëm nuk ka dhënë ndonjë letër ku të autorizohej
zyrtarisht kontrolli i shtëpive të të dëmtuarve, dhe kanë përfituar nga injoranca
ligjore e subjekteve. Humbja e ditës së punës dhe dëmtimi moral që kanë
pësuar të gjithë të shoqëruarit është një nga pasojat e dëmtimeve të
shkaktuara nga shoqërimi nëpër rajonet e policisë. Juristi i FMSH-së pasi mori
dëshmitë e të shoqëruarve të mësipërm konstatoi:

 Shkeljet ligjore të konstatuara gjatë shoqërimeve:

1. Mbajtja tej afatit prej 10 orësh që parashikon ligji për Policinë e Shtetit
për të shoqëruarit.
– LIGJ Nr. 108/2014 PËR POLICINË E SHTETIT, Neni 122 Masat
mbrojtëse – 3. Mbajtja e personit në ambientet e policisë vazhdon
për aq kohë sa është e nevojshme, por jo më shumë se 10 orë.
– Neni 27 i Kushtetutes – 1. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse
në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj. 2. Liria e
personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme: a)
kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente; b) për
moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose për moszbatim të
ndonjë detyrimi të caktuar me ligj; c) kur ka dyshime të arsyeshme
se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij
të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj; ç) për
mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e
tij në organin kompetent; d) kur personi është përhapës i një
sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për
shoqërinë; dh) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në
rastet e dëbimit ose të ekstradimit.
2. Mosdhënia e arsyeve të shoqërimit të mbajtjes në ambientet e
komisariateve. Çdo person që privohet nga liria, qoftë edhe për një afat
deri në 10 orë siç e parashikon ligji për Policinë e Shtetit duhet t’i jepen
arsyet e shoqërimit, si dhe informacioni që ekziston për të deri në ato
momente, duke përjashtuar informacionet sekret (prezumimi në favor të
habeas corpus).
– Neni 28 i Kushtetutes – 1. Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të
njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e kësaj
mase, si dhe për akuzën që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr
liria, duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë
deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si
dhe t’i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij. 2. Personi,
të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi “c”,
duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos
paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i
marrjes së dokumenteve për shqyrtim. 3. I paraburgosuri ka të
drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të
gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë
përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit. 4. Në të gjitha rastet e
tjera, personi, të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t’i
drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase. 5. Çdo person, të cilit i është hequr liria
sipas nenit 27, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit
të dinjitetit të tij.
3. Kontrolli në banesa është bërë në kundërshtim me parashikimet e Kodit
të Procedurës Penale. Kontrolli ndaj një personi ose ndaj një vendi bëhet
kur ekzistojnë dyshime të bazuara, se ky person apo në atë vend fshihen
sende të kundërligjshme apo gjurmë të veprës penale. Ky dyshim nuk
mund të jetë hipotetik, por duhet të mbështetet në të dhëna të
besueshme. Kontrolli bëhet me vendim të gjykatës dhe përjashtimisht në
raste të ngutshme, siç është arrestimi në flagrancë, apo ndalimi i të
dyshuarit për një vepër penale, ose kur nga vonesa mund t’i vijë një dëm
i rëndë hetimit mund të bëhet me iniciativë nga oficeri i policisë
gjyqësore. Në çdo rast të kontrolluarit i jepet një kopje e vendimit
ose/dhe një kopje e procesverbalit të kontrollit.
– Neni 202 i Kodit te Procedures Penale – 1. Kur ka arsye të bazuara
për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të
veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr
vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një
vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës. 2. Gjykata
që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që
veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në
vendimin e kontrollit. 3. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të
personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi
kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit
ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 299.
– Neni 204 i Kodit te Procedures Penale – 1. Para se të bëhet kontrolli i
personit, atij që do të kontrollohet i dorëzohet një kopje e vendimit
të kontrollit, duke i bërë të ditur të drejtën për të kërkuar praninë e
një personi të besuar, me kusht që ai të gjendet shpejt dhe të jetë i
përshtatshëm. 2. Kontrolli bëhet duke respektuar dinjitetin dhe
mbrojtjen e atij që kontrollohet.
– Neni 205 i Kodit te Procedures Penale – 1. Të pandehurit, kur është i
pranishëm, dhe atij që ka në dispozicion vendin u dorëzohet kopja e
vendimit të kontrollit, duke i sqaruar të drejtën për të kërkuar
praninë e një personi të besuar. 2. Kur mungojnë personat e treguar
në paragrafin 1, kopja e vendimit i dorëzohet një të afërmi, një fqinji
ose një personi që punon bashkë me të. 3. Organi procedues mund
të kontrollojë personat e pranishëm, kur çmon se këta mund të
fshehin provën materiale ose sendet që i përkasin veprës penale. Ai mund të urdhërojë që të pranishmit të mos largohen para se të
mbarojë kontrolli dhe të kthehen forcërisht ata që largohen.
4. Kontrolli është bërë jashtë orareve që parashikon Kodi i Procedurës
Penale për kontrollet e rregullta (jo më vonë se ora 20, jo më herët se
ora 7). Vetëm në raste të ngutshme, kur dyshohet që personi është autor
i veprës penale kontrolli mund të bëhet jashtë këtyre orareve, por në çdo
rast duke e arsyetuar kontrollin.
– Neni 206 i Kodit te Procedures Penale – 1. Kontrolli në një banesë
ose në një vend të mbyllur ngjitur me të nuk mund të fillojë para
orës shtatë dhe pas orës njëzet. Në raste të ngutshme organi
procedues mund të urdhërojë me shkrim që kontrolli të bëhet tej
këtyre caqeve.
5. Një sjellje e tillë nga ana e autoriteteve të policisë cenon një nga vlerat
themelore të shoqërisë shqiptare, që është harmonia dhe bashkëjetesa
fetare. Me këtë sjellje autoritetet shtetërore kanë ngritur prezumimin, se
besimtarët myslimanë janë terroristë dhe përbëjnë rrezik për shtetasit
izraelitë. Konfliktet nacionale, që mund të ketë shteti i Izraelit me shtete
të treta nuk duhet të përkthehen në konflikte fetare, pasi jo vetëm
cenojnë balancat që janë ndërtuar me mund për vite të tëra në
shoqërinë tonë, por edhe prishin imazhin dhe perceptimin e vendit tonë
në botë.
Më tepër se sa masa sigurie sjellje të tilla nga autoritetet shtetërore ngjajnë me
sjellje servile ndaj politikës ndërkombëtare.

Islamofobia në rrjetet sociale

Një tjetër problem shqetësues, i cili përbën një fenomen më vete është gjuha e
ashpër islamofobike e pranishme nëpër forumet e debateve virtuale nëpër
rrjetet sociale. FMSH gjatë punës së vet në kontaktet me gazetarët e mediave
të ndryshme e ka trajtuar si problem që kërkon një zgjidhje të përshtatshme,
sepse po vazhdohet të tolerohet fjalori fyes e ofendues ndaj muslimanëve në
përgjithësi, e në veçanti ndaj femrave të mbuluara. Ky fenomen kërkon një
studim të mirëfilltë nga disa drejtime, por sidomos nga ai social-juridik dhe që
FMSH e sheh si prioritet të vetin për vitet në vijim. Shoqëria shqiptare gjendet
para sfidash të lloj-llojshme, ku islamofobia është njëra prej tyre, e cila shkaktohet nga një presion mediatik i jashtëm kryesisht, ku nga fjalori i
përdorur vërehet se ka turkofobi dhe arabofobi, të shprehura nëpërmjet një
fjalori racist. Sapo shfaqet një lajm nëpër mediat e ndryshme, kryesisht lajme
që kanë të bëjnë me organizatën terroriste të ISIS një kontigjent i madh
komentuesish nëpër rrjetet e ndryshme sociale dhe në forumet e debatit, që
lihen të hapura nga agjencitë e ndryshme poshtë lajmeve fillojnë menjëherë
komentet fyese me bazë race, ngjyre të lëkurës dhe fetare. Ne jemi të
mendimit se pronarët dhe editorët e mediave të ndryshme dhe agjencive on
line duhet t’i moderojnë me çdo kusht fyerjet dhe sulme të tilla që prekin jo
vetëm muslimanët, por edhe racën e kombësinë e tjetrit.

Probleme të tjera

Probleme të një natyre tjetër të atyre që kemi përmendur deri tashti janë edhe
dy raste, ku nëpunës shtetërorë kanë pasur qëndrime dëmtuese ndaj
personave dhe punës së tyre. Nxënësi R. Gj. është sulmuar dhe ofenduar
publikisht nga mësuesja e gjuhës shqipe A. Zh. në shkollën “Shyqyri Peza” me
fjalor islamofobik dhe me fyerje të tjera të natyrës së bullizmit për ta bërë të
ndjehet keq nxënësin.
Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur më 14 mars 2016 pas një kërkese
verbale nga ana e Genc Plumbit drejtuar Muzeut Historik për prenotimin e
sallës së konferencave për një promovim libri botuar nga Lidhja e Hoxhallarëve
e Shqipërisë. Sekretaria e drejtorit të Muzeut Historik z. Melsi Labi i ka thënë
nëpërmjet një komunikimi telefonik përfaqësuesit të LHSH-së Genc Plumbi, se
nuk ua japin dot sallën se ka ndodhur një incident, ku sipas zonjës që fliste në
emër të drejtorit Melsi Labi, dy individë ishin falur dhe i kishin fotografuar dhe
gazeta 55 i kishte botuar duke u tallur me Muzeun, për këtë drejtori kishte
marrë vendim të mos kryhej ndonjë veprimtari fetare. Kontrolluam gazetën 55
në numrin e pretenduar dhe nuk kishte asgjë për incidentin e supozuar. Nga
bisedimet e ndryshme që u bënë u vërejt, se nga ana e drejtorit kishte
paragjykime dhe qëndrime islamofobe. Problemi u zgjidh më pas dhe
veprimtaria e LHSH-së u krye.
Një tjetër problem është ai i besimtarëve me uniformë të rekrutuar në ushtri,
të cilëve iu është ndaluar falja krejtësisht gjatë orarit të punës dhe që nuk iu
jepet asnjë shans nga organet e Mbrojtjes për të gjetur një zgjidhje të
përbashkët. Disa prej tyre janë paraqitur pranë zyrave të FMSH-së dhe kanë
deklaruar se po persekutohen nga drejtuesit e tyre ushtarakë, duke mos iu lënë
atyre asnjë mundësi zgjidhjeje të problemit të paraqitur. Urdhrat sipas tyre
vijnë nga instancat më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes në formë verbale, e për pasojë ata ndjehen të kërcënuar jo vetëm në të drejtat e tyre themelore të
garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por edhe me humbjen e
vendit të punës, e për pasojë edhe humbje financiare, me të cilat ata janë
përgjegjës për mbarëvajtjen e familjeve të tyre.
Ky problem është i përsëritur dhe ende nuk ka gjetur një zgjidhje të
përshtatshme për të interesuarit. Vërejmë se në pjesën më të madhe të
reparteve të Forcave të Armatosura, dhe të Rendit ka një numër të
konsiderueshëm besimtarësh, të cilët shërbejnë me devotshmëri dhe me
profesionalizëm në radhët e ushtarakëve me uniformë ose jo. Po ashtu shumë
prej tyre kanë shërbyer edhe në misionet jashtë vendit në kuadër të misioneve
të ndryshme ushtarake në Afganistan, Irak, Çad e Bosnje, ku edhe nuk kanë
hasur ndonjë pengesë nga mikpritësit e tyre për të ushtruar lirisht dhe në
publik besimin e tyre.
Është për t’u theksuar me forcë fakti se Shqipëria është një vend anëtar i NATOs
dhe ushtria e saj refuzon të zbatojë standardet e saj në fushën e lirisë së
besimit dhe praktikumit të fesë nga pjesëtarët e Forcave të Armatosura. Është
tashmë një fakt i njohur që në strukturat ushtarake të vendeve anëtare të
NATO-s bëjnë pjesë edhe priftërinjtë, pastorët, imamët, rabinët etj.
FMSH është duke shikuar rrugët dhe strategjitë e mundshme për t’i dhënë një
zgjidhje në përputhje me Kushtetutën e RSH-së këtij problemi dhe do të mbetet
një prioritet i punëve të FMSH-së për këtë vit.

Fisnik Kruja
Kryetar  

P.S. Forumi Musliman i Shqipërisë synon të rrisë vëmendjen e politikës dhe publikut shqiptar
në luftë kundër Islamofobisë dhe racizmit, të monitorojë incidentet e Islamofobisë dhe
racizmit, dhe të punojë për të eleminuar diskriminim fetar dhe racor, dhe të lobojë për
çështje me interes për muslimanët e Shqipërisë dhe komunitetet e tjera të vendit.