Diversion

Sqarim nga hoxhë Justinian Topulli
Në Mekë po zhvillohet një konferencë ndërkombëtare me drejtues muslimanë dhe dijetarë nga shumë vende të botës, dhe në një moment dikush ka kapur në foto një shtrëngim duarsh, që duket krejt rastësor, mes kryetarit gylenist të KMSH dhe kryetarit të Dijanetit të Turqisë. Pas kësaj portalet gyleniste dhe të tjerë kanë mbushur dynjanë me zhurmë se mes Turqisë dhe KMSH po fryjnë erërat e pajtimit!
Në fakt ata që e kanë bërë foton dhe shpërndarë atë, e kanë menduar shumë mirë këtë gjë, për të bërë diversion ndaj atyre që kërkojnë largimin e uzurpimit gylenist të KMSH, duke thënë së paku me këtë foto se as Turqia nuk iu mbështet dhe kot e keni që iu bini gylenistëve!
Cilado që të jetë e vërteta pas asaj fotoje, për ne nuk ka asnjë rëndësi vërtetësie dhe morale për kauzën tonë, sepse kur e kemi nisur këtë lëvizje dhe deri më sot nuk jemi dirigjuar dhe as komanduar nga Turqia. Turqia është një vend mik, por ne betejën për dinjitet, legjitimitet dhe gjithëpërfshirje nuk e kemi ngritur mbi premisën se çfarë bën dhe nuk bën Turqia, apo ndonjë vend tjetër.
Ne nuk jemi zgjatim dhe as vasalë të askujt, ne jemi muslimanë shqiptarë që duam më të mirën për atdheun tonë dhe muslimanët e këtij vendi. Kështu që foto në fjalë, cilado qoftë e vërteta pas saj, në fakt është diversion i dështuar, dhe nuk ka për të na tërhequr nga ajo që kemi nisur.