Referendumi popullor si zgjidhje për rivendosjen e traditës shqiptare
Roald Hysa
Ligji i barazisë gjinore duhet të kalojë me referendum popullor dhe jo përmes parlamentit shqiptar. Referendumi popullor është një domosdoshmëri për rivendosjen e traditës shqiptare dhe të ligjërohet si mjet efikas social, si në Zvicër, Itali, Hungari etj.
Ligji Barazisë Gjinore e ka sjellë në vëmendjen e të gjithë publikut shqiptar, pas një serie përplasjesh për shkak të gjinive dhe barazisë gjinore me të cilat ky projekt e trajton barazinë në draftin e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Problematikat e tij me të cilin nuk mund të jemi kurrsesi dakord janë tre në termat ligjore-juridike dhe sociale që përmenden aty. Gjinia, orientimi seksual dhe barazia e vendosur midis tyre.
Ky projekt është problematik në trajtimin e gjinisë, sepse e trajton atë me më shumë se sa dy gjini të pranuara ligjërisht, duke futur një të tretë përmes termit përkatësi e shumëfishtë gjinore apo përkatësi e shumëfishtë, që në përkufizimin e dhënë lidhet me orientimin seksual.
Orientimi seksual me pasojat e veta është një çështje që individi tashmë e vendos lirisht dhe në këtë rast nuk mund të trajtohet e vetme dhe të futet si kategori gjykimi e tretë. Nën këtë term nuk funksionon barazia, sepse çdo individ ka preferencat e veta. Për këtë fuksionojnë edhe dy institucione të rëndësishme ligjore Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në këtë draft synohet të zhduket pabarazia gjinore, kur ligjet aktuale të këtij shteti kanë vetëm dy gjini burrë grua. Mirëpo përmes përkatësisë së shumëfishtë gjinore shtohet një gjini e tretë, e cila e dëmton zbatimin e këtij projektligji përmes kuotave gjinore të përmendura në shifrat 30-50%. Po ashtu e vendos në mosbarazi totale burrin dhe gruan, në disa fusha, si tek ajo e sportit. Gruaja diskriminohet se një transgjinori mashkull në të gjitha sportet është superior fizikisht ndaj çdo gruaje. Në jetën e përditshme një grua në administratë apo në sipërmarrjen private këtu në Shqipëri, nuk ka ndonjë ndalim ligjor dhe nuk ka kazuse juridike, që ta vendosin në terma diskriminimi moral, ligjor apo qytetar.
Në mbyllje mumd të themi se të tre problematikat e parashtruara e hedhin poshtë draftin e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.
Shqetësimet rreth këtij drafti janë adresuar publikisht nga të katër komunitetet fetare, të cilat nuk janë konsultuar as para publikimit, as pas publikimit të draftit ligjor nga Ministria e Shëndetësisë si propozuese. Për pasojë mendojmë që ky draft duhet të kthehet mbrapsht dhe të mos pranohet kategorikisht.