Forumi Musliman i Shqipërisë po ndjek me indinjatë dhunën e ushtruar nga aparati shteteror i Izraelit ndaj besimtareve muslimanë brenda Xhamisë Al-Aksa, si edhe popullsisë ne Jeruzalemin Lindor, duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre. Këto akte shtypëse brutale kanë ngjallur zemërim në të gjithë botën dhe janë shoqëruar me reagime të fuqishme nga Unioni i Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (PUIC).
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimet e tyre serioze, në lidhje me situatën në Jeruzalem, si edhe me dëbimet e planifikuara të familjeve palestineze nga Jeruzalemi Lindor.
Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje qeverisë së Izraelit të përmbahet menjëherë nga dhuna e përsëritur ndaj besimtarëve dhe Xhamisë së Shenjtë Al-Aksa, Kibla e parë e muslimanëve dhe të respektojë të drejtën universale të besimit.
Muslimanet shqiptarë e kanë më së shumti të drejtën morale për ta bërë këtë thirrje duke sjellë në kujtesë ndihmën e pakursyer, që iu dha prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm hebrenjve, që jetonin në trojet etnike shqiptare, por edhe atyre, që erdhën nga vende të tjera nën kërcënimin e Gestapos. Qenë të shumtë muslimanët shqiptarë, të cilët pa përfillur rrezikun për jetën e tyre, i fshehën hebrejtë, duke i shpëtuar nga holokausti nazist.
Populli shqiptar, i cili ka përjetuar shpeshherë gjatë historisë vdekje dhe dëbim nga trojet e tij, nuk mund të pranojë që kjo të ndodhë me asnjë popull të pambrojtur.
Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje Qeverisë Shqiptare që t’i bashkohet shqetësimit të thellë ndërkombëtar, duke u distancuar nga veprimet e autoriteteve izraelite, që minojnë paqen botërore, si dhe të mos i qortojë njëlloj si ata, që dhunojnë ashtu edhe ata të cilët dhunohen. Gjithashtu kërkojmë nga mediat shqipfolëse të jenë sa më objektive në pasqyrimin e terrorit, që po ndodh në territoret e pushtuara palestineze.