Letër
FMSH i apelon OSBE-së që të ndihmojë në luftën kundër racizmin dhe islamofobisë në Shqipëri I nderuar z. ambasador, Të mbështetur në deklaratën e kryetarit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë z. Miguel Angel Moratinos, të datës 10 tetor 2007, në Deklaratën e Kordovës, dhe në vendimet e Këshillit të Ministrave të OSBE-së në Porto e Sofia si dhe në një sërë konferencash të tjera, ku organizata juaj ka shprehur qartë shqetësimin e saj në lidhje me intolerancën dhe diskriminimin kundër muslimanëve, po ju sjellim këtë letër ku kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj si ambasador, dhe të organizatës që ju përfaqësoni në lidhje me disa zhvillime të fundit në Shqipëri të cilat kanë nxitur tensione e polemika në median e shkruar dhe atë vizive. Siç edhe ju mund të jeni në dijeni, në javët e fundit, shtypi dhe televizionet tona janë përfshirë në një seri polemikash të nxitura nga një roman që është shkruar nga njëri prej krerëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Ben Blushi. Romani i titulluar ‘Të jetosh në ishull’, i recensuar nga z. Pirro Misha dhe i publikuar nga Shtëpia Botuese Toena, portretizon fenë islame dhe identitetin e shqiptarëve muslimanë me ngjyra negative. Në këtë roman shqiptarët muslimanë, popujt aziatikë dhe muslimanë, turqit dhe egjiptianët (ashkalitë), profeti Muhamed dhe principet e Islamit tregohen me ngjyra të errëta. Muslimanët portretizohen si të dhunshëm, imoralë, tradhtarë të krishterimit dhe feja e tyre krahasohet me epitete ofenduese për identitetin e tyre fetar, të cilat synojnë të shkaktojnë pasoja negative në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tyre fetare. Turqit cilësohen si të egër, të dhunshëm, aziatikë dhe kriminelë, ndërsa egjiptianët si pisanjosë dhe të pacivilizuar. Islami dhe muslimanët, të cilët përbëjnë shumicën e shqiptarëve, trajtohen si elementë të padëshirueshëm duke synuar kësisoj minimin e marrëdhënieve harmonike ndërfetare të popullit tonë. Buja mediatike artificiale me të cilin u promovua ky roman është shoqëruar edhe me një numër komentesh në shtypin tonë, të shkruar dhe viziv, ku disa komentatorë e konsiderojnë Islamin si një fe të imponuar me dhunë e që shqiptarët të rikthehen në prejardhjen e tyre të krishterë, për tu bërë kështu pjesë natyrale e qytetërimit perëndimor. Disa komentatorë kanë shkuar edhe më tej duke hedhur idenë që Islami përbën pengesë/handikap për integrimin tonë në Evropë. Edhe pse Forumi ynë respekton lirinë e shprehjes dhe të artit ne shqetësohemi kur vërejmë që pasojat mund të jenë edhe më të mëdha për faktin që në këto debate kanë marrë pjesë disa politikanë të lartë dhe drejtues të mediave në Shqipëri; të cilët në vend që të jenë nxitës të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendit tonë, kanë bërë të kundërtën kur janë munduar të justifikojnë përmbajtjen e romanit me faktin që ai s’është veçse një krijim letrar. Për ne është shqetësues edhe fakti që komente dhe portretizime të Islamit si një fe e kundërt me Europën dhe të imponuar nga Turqia, në vitet e fundit po futen edhe në tekstlibrat e shkollave tona ku shqiptarët muslimanë tregohen si të krishterë të islamizuar me dhunë. Për ne është edhe më shqetësues fakti që këto sulme kundër Islamit në shoqërinë tonë justifikohen në emër të Europës. Ne shqetësohemi përse lejohet në një shoqëri demokratike si kjo e jona që emri dhe vlerat e Europës të keqpërdoret në këtë mënyrë. Për më tepër kur muslimanët shqiptarë besojnë në vlerat evropiane, ka pasur analistë dhe disa politikanë, që janë përpjekur t’i bëjnë ata që të ndjehen të huaj në këtë kontinent dhe ta tregojnë Europën si një kontinent që pranon vetëm të krishterët. Duke qenë se muslimanët shqiptarë ndjehen evropianë, pjesë e mozaikut të madh kulturor të qytetërimit tonë të përbashkët dhe pasi vetë OSBE-ja ndan të njëjtat shqetësime me ne në lidhje me racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë, Forumi Musliman i Shqipërisë i bën apel nëpërmjet kësaj letre shkëlqesisë suaj dhe organizatës që ju përfaqësoni që të ndjekë me vëmendje zhvillimet e racizmit dhe islamofobisë në vendin tonë dhe të bëj rekomandimet e duhura për të parandaluar fyerjet, diskriminimin dhe dhunën psikike që një grup i caktuar i shoqërisë sonë ushtron ndaj bashkësisë së muslimanëve. Ne shpresojmë që organizata juaj do të asistojë dhe ndërmarrë masa të duhura lidhur me këto shqetësime serioze, në vazhdën e veprimeve të veta për promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe parandalimin e të gjitha formave të diskriminimit. Ju falënderojmë paraprakisht, Fisnik KRUJA Kryetar _______________________________________________________ Njoftim për editorët: Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilës është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë. |
|||
Te drejtat e rezervuara. Forumi Musliman i Shqipërisë |