FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp/ ARKIV
12.01.2006
Su: Reagim ndaj kryqeve të vendosura në Shkodër
Forumi Musliman i Shqipërisë, i mbledhur dje për të analizuar ngjarjen e rëndë të rrëzimit të kryqit në Bushat të Shkodrës, shpreh keqardhjen për akte të tilla që cënojnë emocionet e besimtarëve dhe harmoninë ndërfetare në vend.
Duke dënuar aktin e rëndë, Forumi Musliman i Shqipërisë gjen rastin bëjë të njohur shqetësimin e tij se vitet e fundit vendosja e monumenteve në formë kryqi në vende të dukshme po përhapet në gjithë sipërfaqjen e republikës, nga jugu në veri. Vendosja e simboleve fetare jashtë vendeve të kultit si përkufizim komunitar i një territori publik bie ndesh me parimet e laicitetit të republikës sonë, si edhe përbën një dukuri që bie ndesh me traditat kulturore dhe fetare të vendit. Në deklarimet zyrtare të autoriteteve kishtare katolike shqiptare, bëhet e ditur se kryqi i Bushatit ishte i vendosur nga disa misionarë të huaj nga Anglia apo Franca. Kjo është një dëshmi tjetër në listën problematike të zakoneve të panjohura e konfliktuale që kanë sjellë klerikët apo misionarët e huaj, të pandjeshëm ndaj veçorive të Shqipërisë.
Markimi i peisazhit shqiptar me simbole fetare jashtë objekteve të kultit, është një shenjë ogurzezë e thërmimit të integritetit jo vetëm social por edhe territorial të vendit tonë. Hija e simboleve partikulariste në vende publike në të cilat kanë akses gjithë individët e shoqërisë sonë multifetare, nxit përjashtimin, garimin e panevojshëm ndërkomunitar, dhe së fundi nxit akte barbare si ai i dhunimit të ndodhur në Bushat.
Forumi Musliman i Shqipërisë kërkon që akte të tilla të rënda që cënojnë emocionet e besimtarëve të krishterë të mos përsëriten më. Duke kujtuar edhe shijen e keqe të përdorjes së eksplozivit nga autoritetet shtetërore për prishjen e një simboli fetar të krishterë vendosur në parkun kombëtar të Butrintit, Forumi sugjeron se ndonëse të paligjshme, vendosjet e kryqeve në vende publike gjithsesi nuk mund të trajtohen thjeshtë si probleme ndërtimesh pa leje. Heqja e tyre e mundshme duhet bërë me dialog me besimtarët si edhe në respekt maksimal ndaj shenjtërisë që ata përjetojnë ndaj simboleve të veta. Forumi Musliman i Shqipërisë u bën thirrje organeve shtetërore dhe komuniteteve fetare në vend që të hedhin të gjithë hapat zyrtarë për të kontrolluar veprimtarinë e misionarëve të huaj në vend, si edhe për të frenuar dominimin e mëtejshme të simboleve fetare në vende publike, të cilat ndonëse të vendosura me qëllime të mira fetare, japin rezultate jo të pëlqyeshme sociale dhe politike në vend.