Bismilahir Rrahmanir Rrahim

Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëdhënësit

Në Gaza janë vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur

 

Forumi Musliman i Shqipërisë ka përcjellë me dhimbje të thellë konfliktin e fundit izraelito-palestinez, që kulmoi me shpërthimin e një rakete në El-Ehli Baptist Hospital në Gaza, ku mbetën të vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur.

Është tashmë e ditur se rrënjët e këtij konflikti me pasoja tragjike qëndrojnë në krijimin e paligjshëm e të dhunshëm të Shtetit Izraelit në trojet ku populli palestinez ka jetuar që nga thellësitë e shekujve. Që nga ajo kohë ky shtet ka ndjekur një politikë të egër dëbimi ndaj popullsisë autoktone, si rezultat i së cilës shumica e popullit palestinez ka qenë e detyruar të jetojë si refugjate në Liban, Jordani e gjetkë.

Është pikërisht që për shkak të kësaj politike këmbëngulëse terrori, lindi Rezistenca Palestineze, e cila e detyroi Izraelin që të nënshkruajë Marrëveshjen e Oslos për rikrijimin e Shtetit Palestinez në vitin 1994, marrëveshje të cilën ky shtet jo vetëm nuk e respektoi, por vazhdoi me ngulm dëbimin e zëvendësimin e palestinezëve me kolonë hebrenj.

Këto akte naziste të Shtetit Cionist kanë ngjallur reagime të shumta të opinionit publik ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar 375 rezoluta në mbështetje të popullit të martirizuar palestinez dhe e ka dënuar ashpër shtypjen izraelite.

Në raportin e saj të shkurtit 2022, Amnesty International përcaktoi se si forcat izraelite kanë kryer në Gaza (si dhe në Bregun Perëndimor dhe Izrael) akte të ndaluara nga Statuti i Romës dhe Konventa e Aparteidit, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile me synimin për të ruajtur një sistem shtypjeje dhe dominimi mbi palestinezët, duke përbërë kështu Krimin Kundër Njerëzimit të Aparteidit.

Forumi Musliman i Shqipërisë i bën apel Faktorit Ndërkombëtar, që ta detyrojë Izraelin të përmbahet nga qëllimet e tij të shpallura për agresion kundër Gazës, që do të rezultonte me një katastrofë humanitare me pasoja tragjike.