Histori

Spastrimet etnike ruse mbi popullsitë myslimane të Kaukazit

 

Roald A. HYSA

 

Hyrje

Për gati gjysëm shekulli kanë zgjatur luftërat midis Perandorisë Ruse dhe popullsive muslimane të vendosura në zonat e Kaukazit, ku dominojnë popullsi të etnive të ndryshme me çeçenët, ingushët, dagestanët, çerkezët, avarët, tartarët, bashkirët etj. Luftërat për dominimin rus në këto zona njihen gjithashtu edhe si luftërat e Kaukazit dhe të Krimesë dhe kanë një kohëzgjatje që nisin nga fundi i shek. XVIII e deri në konfliktin e fillim viteve 1990, kur tashmë kishte nisur shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Tashmë Federata Ruse apo Rusia, e cila shtrihet në dy kontinente ka hyrë në një periudhë të re zhvillimesh gjeopolitike, dhe që duan të rikthejnë lavdinë e dikurshme plot shkëlqim të Perandorisë së Carëve e pasuar nga dhuna mizore e diktaturës staliniste sovjetike. Fryma e pansllavizmit rus e nisur qysh me imponimin perandorak të Pjetrit të Madh, dhe më pas me epokën e princit Potjemkin dhe Ekaterinës së Madhe nuk reshti, edhe pse bolshevikët e vranë Car Nikollën dhe i dhanë fund Perandorisë Cariste. Në erën e re bolshevike erdhën në krye të Bashkimit Sovjetik dy diktatorë Vladimir Iliç Uljanovi- Lenini dhe Josif Visarionoviç Xhugashvili- Stalini, njëri ishte rus e tjetri gjeorgjian. Në gjithë këtë areal gjeopolitik rus gjatë gjithë kësaj kohe janë përfshirë shumë popuj dhe etni të ndryshme, ku dominojnë ato me origjinë ruse, ukrainase, gjeorgjiane, armene, turkmene e deri aziatike me Siberinë e largët me pakica mongole.

Religjionet zyrtare në Rusi janë disa, porse Rusia e sotme dominohet nga Krishterimi Ortodoks Sllav, dhe figurat dominuese janë dy murgj tashmë shumë të mirënjohur në Krishterimin Lindor Kirili dhe Metodi, duke nisur nga Ballkani e deri në stepat më të largëta aziatike. Ndikimi pravosllav i Kishës Ortodokse Ruse ndihet edhe në territoret me dominancë shqiptare të hershme, si me Kryepeshkopatën e Ohrit, Kishën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Mitropolinë e Beratit dhe Manastirin e Ardenicës, në Fier dhe të Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Religjioni i dytë dominues në Rusi është Islami, i cili u përfshi për shkak të territoreve me popullsi muslimane gjatë ekspansionit rus në kohë dhe me aneksimin e Krimesë më 1783 e fut në një fazë të re zgjerimin e territoreve. Në gjithë këtë zonë, që nis nga Krimeja e deri në Kaukaz mbizotërojnë disa popuj me etni të përziera, ndër to edhe çeçeno-ingushët, çerkezë, turq etj. Për shkak të fesë dhe popullsive turkmene ndikimi i Perandorisë Osmane ka qenë i madh, por që ra ndjeshmërisht poshtë me rënien e sulltanatit osman në 1 nëntor 1922, kur Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë shpalli Republikën Turke.

 

Lufta si mjet i zbatimit të politikave të nënshtrimit dhe dominancës

Spastrimi etnik si pjesë e politikave rusofilizuese e ka karakterizuar gjerësisht në kohë Rusinë dhe qeverisjen e saj të popujve të nënshtruar ndaj politikave qeveritare, si perandorake, edhe të mëvonshmet. Ato popullsi, që janë cilësuar si armiqësore ndaj nënshtrimit rus kanë vuajtur një sërë politikash dhe veprimesh luftarake, që kanë pasur si objektiv zhvendosjen e tyre.

Luftërat spastruese në pjesën lindore të Kaukazit Verior u mbyllën më 1859 me kapjen rob të Imam Shamilit, të cilin e detyruan me forcë të dorëzohej dhe t’i betohej për besnikëri Carit, dhe më pas do ta dëbonin në Rusinë Qendrore. Nga ngjarjet më të dhimbshme të pasluftës të popullsive vendase e veçanërisht atyre çerkeze do të ishte emigracioni i forcuar (zhvendosja ose dëbimi i popullsive me dhunë), apo transferimi i tyre brenda territoreve të Perandorisë Osmane fillimisht, dhe më vonë edhe në Republikën Turke. Ky fenomen shoqëroi edhe muhaxhirët boshnjakë, të cilët janë të vendosur në Shijak e rrethina në fshatrat e Koxhasit, Borakës etj., e me popullsitë muslimane çame, që u zhvendosën rregullisht nga territori i Greqisë, dhe u shtynë drejt territorit të brendshëm të Republikës së Shqipërisë në vitet 1943-1945.

 

Spastrimet ruse mbi popullsinë Çeçene dhe Ingushe

Kështu historia e marrëdhënieve Rusi-Çeçeni nga shekulli 19 mund të shihet nga të dy krahët, por në thelb ajo ka një konflikt: pushtim kolonial, sundim perandorak, sovjetizim, dhe më pas deportimin e popullsisë çeçene dhe ingushe. Ky konflikt vazhdoi edhe pas viteve 1990 dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik me atë që njihet si Luftërat Ruso-Çeçene, dhe që u përfshinë edhe republikat autonome të Ishkerisë, Ingushetisë dhe Dagestanit (1994-1996 dhe 1999-2009). Me një manifest të Carit rus Aleksandri II të 2 qershorit 1864 mbyllet një etapë e zezë e invadimeve ruse në Kaukaz dhe të deportimeve të këtyre popullsive, ku më i mirënjohuri është spastrimi etnik i Popullsive Çerkeze (Adighave ose Abkhaz-Abazave). Pjesë të këtyre popullsive çerkeze të zhvendosura asokohe për në Perandorinë Osmane gjenden edhe sot në Shqipëri (fshati Çerkezë pranë Tiranës), në Kosovë e Maqedoni.

Sovjetizimi i Republikave Turkmene me shumicë muslimane ka nisur qysh në çastet e para të ardhjes në pushtet të bolshevikëve rusë, ku në rajonin e sotëm të Uzbekistanit do të vritej duke luftuar edhe Enver Pasha- ish-ministër i Perandorisë Osmane në vitin 1922, që kishte vajtur për të drejtuar rezistencën ndaj bolshevikëve në këtë rajon. Me një urdhër të posaçëm të Stalinit të 23 shkurtit 1944 nis spastrimi sistematik, deportimi dhe zhvendosja e popullsive çeçeno-ingushe të rajonit. Në një vlerësim të bazuar në një raport të përgatitur nga Laurenti Beria për Josif Visarionoviç Stalinin 150,000 nga 478,479 frymësh të popullsisë çeçeno-ingushe (ose 31,3%) vdiqën brenda katër viteve të para të deportimit dhe risistemimit të tyre. Të dhënat e nxjerra nga regjistrat e NKVD (pararendëse e KGB-së) 113,000 Ingushë dhe Çeçenë vdiqën gjatë këtij procesi zhvendosjeje masiv (3,000 përpara se të deportoheshin, 10,000 gjatë deportimit dhe 100,000 pasi ishin risistemuar në kampet e përqendrimit). Masakrat ndaj popullsive Ingushe-Çeçene gjatë të gjithë kësaj periudhe janë të shumta dhe me duzina varresh masive, që përmbanin me qindra kufoma janë zbuluar qysh nga fillimi i Luftës së Parë Çeçene në 1994. Sipas të dhënave të grupeve të të drejtave të njeriut 80,000 civilë janë vrarë gjatë këtij konflikti të parë, si dhe në Luftën për Groznin, ndërsa burimet shtetërore të Federatës Ruse japin një shifër prej 30,000 -40,000 civilësh të vrarë, dhe 500,000 civilë të zhvendosur nga vendet e tyre të origjinës.

Invadimi i Dagestanit u bë shkas i Luftës së Dytë Çeçene, ku më 7 gusht Shamil Basajevi në bashkëpunim me një komandant muxhahidinësh saudit Ibn-Hatabin udhëhoqën dy ushtri me mbi 2000 ushtarë për në Dagestanin fqinj. Nga mesi i shtatorit 1999 militantët u shpartalluan në disa fshatra, që ata i kishin kapur dhe u zmbrapsën për në Çeçeni. Disa qindra militantë u vranë në luftime, ku Forcat Federale Ruse raportuan 275 ushtarakë të vrarë dhe përafërsisht 900 të plagosur.

Lufta e Dytë Çeçene u zhvillua në Çeçeni, dhe në rajonet kufitare të Kaukazit Verior ndërmjet Federatës Ruse dhe Republikës Çeçene të Ishkerisë nga gushti 1999 në prill të vitit 2009. Rusia nga viti 2009 e ka çaktivizuar të ashtuquajturën Lëvizje Separatiste Çeçene dhe luftimet në shkallë të gjerë kanë pushuar. Ushtria Ruse dhe trupat e Ministrisë së Brendshme i ndaluan patrullimet. Kryeqyteti Çeçen Grozni iu nënshtrua një rindërtimi dhe pjesa më e madhe e qytetit dhe rrethinave u rindërtuan me shpejtësi. Dhuna sporadike vazhdoi në Kakukazin Verior me bombardime rastësore dhe kurthe, që synonin trupat federale në këtë rajon. Në prill 2009 operacionet ushtarake qeveritare ruse në Çeçeni përfunduan zyrtarisht.

Viktimat dhe humbjet në këtë konflikt nga ana qeveritare ruse pretendohet të jenë nga 7,200- 7450, ndërsa në anën e militantëve janë rreth 16,300. Ndërsa për humbjet në jetë civile ka disa vlerësime nga burime perëndimore. Një OJF ndërkombëtare me bazë në Gëtingen të Gjermanisë “Society for Threatened Peoples International- Shoqata Ndërkombëtare për Popujt e Kërcënuar- STPI” jep një numër prej 80,000 qytetarësh të pafajshëm të vrarë.

Kjo konfirmon në vija të përgjithshme të gjithë atë që u shpreh më sipër në hyrjen e bërë të këtij punimi. Spastrimi etnik i ndjekur si mjet nënshtrimi del si rezultat i kësaj teme të gjerë, që përfshin një hapësirë të madhe kohore e gjeografike dhe ky ishte qëllimi.