Shenjtëria e Idhujve
nga hoxhë Justinian Topulli
Duke qenë se jetojmë në një epokë ku e vërteta me të kotën është përzierë në ligjërimin e përgjithshëm global dhe në mendjet e njerëzve është formësuar një tollovi ku nuk bëhet dot dallim mes njërës dhe tjetrës, ku e Vërteta është relativizuar si kurrë më parë, i dëgjojmë mjaft njerëz të thonë se Islami i respekton besimet e tjera, edhe pse këto besime mund të bien kokë e këmbë në kundërshtim me Islamin.
Pra i bie që nëse në një fe apo besim të caktuar besohet se ka më shumë se një zot dhe të adhuruar, pra lejohet apo inkurajohet shirku, idhujtaria, atëherë ne si muslimanë duhet ta respektojmë këtë doktrinë, sepse edhe pse ajo për ne nuk është e vërtetë ajo është e shenjtë dhe e vërtetë për ata që e besojnë atë dhe ne si muslimanë respektojmë shenjtëritë e besimeve të tjera!
Të gjithë këta që e thonë këtë broçkull, ndër argumentet që përdorin është ajeti i Kuranit që thotë: “Mos ua shani ata (idhujt), të cilëve ata iu luten krahas Allahut, sepse nga armiqësia dhe padituria e tyre, ata mund të shajnë Allahun.” (el-Enam: 108) duke përfshirë në kuptimin e këtij ajeti çdo cenim shenjtërie apo zhvlerësim të besimeve të kota dhe idhujve që besojnë të tjerët!
Edhe pse ajeti jo vetëm që është i qartë dhe nuk është argument për këtë përdorim të gabuar, por ai nënkupton, siç edhe përcillet në disa transmetime të komentit të tij, se kishte prej muslimanëve të parë në Mekë të atillë që shanin dhe ofendonin hyjnitë e idhujtarëve, gjë që në vetvete, siç thonë dijetarët, nuk përbën diçka të ndaluar, sepse e pavërteta dhe e kota nuk kanë asnjë shenjtëri, përkundrazi.
Dispozita e ndalimit të sharjes së idhujve është e lidhur qartësisht me shkakun e dëmit që ajo sjellë, që është sharja dhe ofendimi i Allahut, pra i Zotit dhe së Vërtetës, dhe jo se idhujt apo besimet e pavërteta posedojnë shenjtëri në vetvete.
Ne si muslimanë quajmë të shenjtë atë që e vërteta e shpalljes Kuranore konsideron të shenjtë, pra ajo që në vetvete është e shenjtë, me përcaktimin e Krijuesit si të tillë, dhe jo thjesht atë që besojnë dhe konsiderojnë njerëzit si të shenjtë.
Islami është besim ekskluziv dhe përjashton nga e vërteta e plotë dhe finale çdo besim tjetër, cilido qoftë ai, edhe nëse dikur mund të ishte i vërtetë, apo kanë ngelur disa të vërteta në të. Islami që erdhi me të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (alejhi salatu ue selam) i vuri vulën profetësisë dhe vërtetësisë dhe shfuqizoi çdo besim dhe fe që ekzistonte para tij. Kështu që është absurde që një musliman të thotë, e aq më keq të besojë, se fetë dhe besimet apo idhujt, që njerëzit adhurojnë veç Zotit apo bashkë me Të, janë të respektueshme edhe nga ne si muslimanë, ndërkohë që ne besojmë se ato janë të kotë dhe të pavlerë!
Kurani nga fillimi deri në fund është i mbushur me fjalët e Zotit që zhvlerëson dhe tregon kotësinë dhe pavërtetësinë e idhujve dhe besimeve të tjera të gabuara, madje edhe të feve që dikur kishin qenë të vërteta. Nëse Kurani nuk do ta kishte bërë këtë, atëherë thirrja në Islam që njerëzit të bëhen muslimanë nuk do të kishte asnjë kuptim, sepse i bie që çdo fe dhe besim, kush më shumë e kush më pak, të gjitha njëlloj të shenjta do të ishin dhe do të kishin vlerë tek Zoti në çdo kohë! Por ja që katërçipërisht dhe absolutisht nuk është aspak kështu.
Ajo që ndalon qartësisht Kurani nuk është hedhja poshtë e kotësisë së idhujve dhe besimeve të tjera veç Islamit, por përdorimi i gjuhës së ulët, që nuk përmban argumente dhe arsyetime, por vetëm sharje dhe ofendime të ulëta. Ai që nuk bën dallim gjuhësor dhe konceptual mes sharjes dhe zhvlerësimit apo de-konstruktimit të një ideje apo besimi, i bie të mos flasë kurrë kundra të pavërtetës, sepse me siguri që ajo shenjtërohet nga shumë njerëz dhe ata lëndohen kur ajo tregohet si e pasaktë dhe e kotë.
Një arsye tjetër e mospërdorimit të sharjes së idhujve është sigurisht edhe marrëdhënia e butë dhe dashamirëse me pjesën tjetër të njerëzve, pavarësisht besimit të tyre të gabuar. Pra thënia e së vërtetës për hyjnitë e rreme dhe e kotësisë së idhujve dhe feve të tjera nuk duhet bërë përmes një gjuhe vulgare, por përmes arsyetimit të mirëargumentuar, pasi sharjen dhe ofendimin mund ta bëj çdokush. Dhe kështu nëse ne si muslimanë shajmë dhe ofendojmë të pavërtetën e feve të tjera, atëherë edhe ata do të shajnë dhe ofendojnë lehtësisht të vërtetën dhe fenë tonë, por nëse ne e zhvlerësojmë dhe i dekonstruktojmë të pavërtetat e besime të tjera me argumente, ata nuk kanë shans ta bëjnë këtë me të vërtetën tonë, sado që të përpiqen dhe mundohen, sepse ajo është vetë e vërteta absolute e ardhur nga Krijuesi i gjithësisë.
Kështu që në thelb Islami respekton qenien njerëzore dhe dinjitetin e tij, sepse ai është krijesë e Zotit dhe përpiqet t’i tregojë atij të vërtetën e Allahut, pa përdorur një ligjërim vulgar që sjell më shumë dëm sesa dobi. Por ndërkohë Islami edhe pse njeh të drejtën e lirisë së besimit dhe ndalon të besuarit me dhunë, ai nuk pranon dhe nuk njeh asnjë shenjtëri tjetër që nuk e njeh dhe nuk e pranon shpallja hyjnore që i zbriti Muhamedit (alejhi salatu ue selam).
Lexime: 25