Kryeministri Rama dhe Shteti Bektashi
Kohët e fundi kryeministri Rama ka hedhur në treg përmes prestigjozes New York Times idenë a krijimit të një të ashtuquajturi “shtet bektashi” brenda sipërfaqes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, duke i siguruar kështu Kryegjyshatës një status të veçantë.
“Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi është një qytet-shtet i planifikuar, mikroshtet dhe enklavë që do të vendoset tërësisht brenda Tiranës, Shqipëri. Nëse themelohet, ai do të jetë më i vogël se qyteti i Vatikanit dhe do të bëhet kombi me sipërfaqen më të vogël të tokës në botë, me një sipërfaqe totale prej 0.11 km2. Planet për krijimin e shtetit janë diskutuar nga kryeministri Edi Rama dhe mbështetur nga kreu i Urdhrit Bektashi, Baba Mondi, ku kryeministri deklaroi se më shumë detaje për krijimin e shtetit do të zbulohen në të ardhmen e afërt.”
Në intervistën e dhënë kryeministri Rama ka thënë se synimi i këtij shteti të ri është të promovojë një version tolerant të Islamit, për të cilin Shqipëria është krenare. Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që ësht toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim si të mirëqenë,- ka thënë ai.
Tashmë kryeministri Rama e ka shpallur të hapur debatin publik të këtij qytet-shteti të ardhshëm pjesë e të cilit jemi edhe ne si komuniteti sunit, të cilët përbëjnë shumicën shqiptare qysh nga themelimi i Shtetit Shqiptar. Deri në vitin 1945 Bektashinjtë dhe tarikatet e tjera trajtoheshin nën çadrën e Komunitetit Mysliman kohë kur regjimi komunist për të sjellë përçarje i trajtoi veçmas bektashinjtë dhe ia doli të krijojë edhe një shoqatë të drejtuar nga Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzo, të dy këta anëtarë të rangjeve të larta të regjimit diktatorial. Me zhvillimet demokratike komuniteti bektashi u njoh si komunitet më vete dhe jashtë ndikimit të Komunitetit Mysliman arriti të fusi brenda vetes ndikime të qarta shiite. Megjithatë bektashinjtë përfaqësojnë një nga tarikatet e shumta të botës islame dhe jo Islamin në vetvete. Për këtë ai nuk përfaqëson as nga doktrina e tij, as nga numrat komunitetin dominues musliman. Shumica e deklaruar gjendet e përfaqësuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, tek i cili gjejnë përfaqësimin edhe tarikatet e tjera me drejtim sunit siç janë halvetijtë, kadirijtë, sadijtë dhe rrifaijtë.
Po ashtu ideja e ndërtimit të shtetit bektashi ka shqetësuar edhe komunitetet e krishtera në vend. Ideja e një shteti bektashi cënon rëndë marrëdhëniet e mira ndërfetare të ngritura me vështirësi dhe që mirëmbahen me shumë kujdes nga të pesë komunitetet e njohura zyrtarisht. Kjo ide sjell disekuilibër dhe favorizim të një komuniteti ndaj katër të tjerëve. Bektashizmi është një nga shumë tarikatet (sektet) e shumta favorizimi i të cilit e ngarkon me valenca dëmtuese dhe të pamerituar ndaj identitetit të shumicës sunite në vend.
Propozimi i Ramës për shtetin bektashi paraqet një sërë problemesh.
- Është shkelje e sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë. Pra, është propozim antikushtetues.
- Vjen nga kryeministri, që do të thotë se vetë kryetari i qeverisë së republikës cënon sovranitetin e republikës, vetë artikulimi i tij përbën një akt, i cili po të artikulohej nga ndonjë politikan i lartë shqiptar do të shihej si tradhtisë kombëtare.
- Dëshmon impotencën e institucioneve të republikës.
- Përbën precedent të rrezikshëm. Me një shtet të pakërkuar nga kush, brenda Tiranës, asgjë nuk mund të pengojë Manastirin e Deçanit të kërkojë sovranitet brenda Republikës së Kosovës. Asgjë nuk do të pengojë qarqet greke në Himarë të kërkojnë shpalljen e Himarës republikë.