KËRKESË
Tiranë 30.12.2021
Lënda: Lehtësimi i kryerjes së ritit fetar “ORA E XHUMASË” për besimtarët muslimanë punonjës të administratës publike.
Drejtuar: ZNJ. ALBANA KOÇIU
DREJTORESHË E DEPARTAMENTIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE
E nderuar znj. Koçiu,
Jemi një grup organizatash të shoqërisë civile me orientim kulturor, arsimor, bamirës dhe në mbrojtje të lirisë së besimit, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku aderon Shteti Shqiptar. Meqenëse Departamenti i Administratës Publike është institucioni përgjegjës në Shtetin Shqiptar për organizimin sa më të mirë të punës së administratës publike dhe ka si qëllim krijimin e një administrate publike me punonjës të përkushtuar, profesionistë dhe të dedikuar në shërbimin ndaj qytetarëve, po ju drejtohemi për një shqetësim të ardhur nga disa drejtime, i ngritur si problem gjithashtu nga punonjës së administratës publike, besimtarë muslimanë, për sa i përket kryerjes së riteve fetare nga ana e tyre gjatë ditës së Premte (falja e Xhumasë).
Në nenin 9 të Kushtetutës në lidhje më lirinë e ushtrimit të fesë parashikohet se: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve”.
Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë është një e drejtë themelore e njeriut e cila përveçse ka rëndësi të madhe për jetën e një individi në veçanti, gjithashtu ka rëndësi të jashtëzakonshme për shoqërinë në përgjithësi. Liria e fesë përfshin bindje dhe besime të karakterit fetar, pra të cilat burojnë nga një fe e caktuar. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur parimin sipas të cilit, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë në dimensionin fetar të saj është një nga elementet më jetike që formëson identitetin e besimtarëve dhe konceptin e tyre të jetës, por gjithashtu është një pasuri e çmuar për ateistët, agnostikët, skeptikët dhe të painteresuarit.
Në nenin 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jepet përkufizimi sipas të cilit liria e fesë përfshin tri lloj të lirive: lirinë për të pasur një fe, lirinë për të ndërruar fenë, dhe lirinë për të manifestuar fenë qoftë vetëm apo në komunitet me të tjerët, në mënyrë private ose në publik.
Punonjësit e administratës publike kanë të drejtën e tyre, që të shfaqin besimin e tyre fetar dhe të kryejnë ritet fetare përkatëse pa cënuar vijimin e punës së tyre sipas detyrave që ushtrojnë. Ata duhet të lejohen të kryejnë ritet fetare, kryesisht faljen e ditës së Premte (falja e Xhumasë) për besimtarët myslimanë, pa e cënuar mbarëvajtjen e funksionimit të punës sipas orareve zyrtare, ku nuk ka as përcaktim mbi një pushim dreke, referuar VKM nr. 568, datë 06.10.2021 “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”.
Gjithashtu sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, punëdhënësi është i obliguar që punëtorit t’i gjejë një zgjidhje alternative për të manifestuar besimin e tij. Pra, sado i rëndësishëm që është parimi i shekullarizmit apo laicitetit në një shoqëri demokratike, nuk duhet të përdoret për të eliminuar në tërësi lirinë e manifestimit të fesë, si pjesë e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, e cila është një e drejtë themelore e njeriut.
Ne, si organizata të shoqërisë civile muslimane, kërkojmë prej jush mbajtjen e një qëndrimi lidhur me lejimin nga çdo segment i administratës publike të punonjësve që janë besimtarë muslimanë, që të kryejnë faljen e Xhumasë (ditës së Premte), e cila sipas Fesë Islame është detyrim për besimtarët.
Duke ju falënderuar paraprakisht për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga ana juaj.
Me respekt
Forumi Musliman i Shqipërisë, Fisnik KRUJA
Fondacioni ALSAR, Mehdi Gurra
Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë, Sokol Kondakçi