Tiranë 26 qershor
Në këto ditët e fundit pranë FMSH-së kanë mbërritur disa raportime mbi sulme agresive dhe shumë të dhunshme ndaj grave të mbuluara të shoqëruara me një fjalor të dhunshëm skajshmërisht. Janë tri raste të ndryshme kur në publik janë sulmuar me ofendime të ndryshme gratë muslimane për shkak të veshjes së tyre islame. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara edhe për shkak se kanë ndodhur në vende publike. Në një rast bashkëshorti e ka sulmuar dhe e ka rrahur bashkëshorten e tij për shkak të mbulesës, duke shkuar në ekstrem dhe duke ia marrë edhe fëmijët e për pasojë duke e dhunuar jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht atë grua. Pra duke e dënuar që të mos shikojë as fëmijët e vet. Ne i bëjmë apel të gjitha palëve të interesuara në këtë drejtim dhe të gjithë shoqërisë civile të mos heshti ndaj këtyre rasteve të dhunshme.
Dhuna ndaj gruas muslimane është një abuzim shoqëror, i cili nuk duhet toleruar dhe të gjithë ne së bashku fillimisht duhet të sensibilizohemi dhe t’iu themi stop këtyre individëve të papërgjegjshëm që ushtrojnë dhunë. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë palëve të interesuara të paraqesin ankesat e tyre pranë organeve ligjzbatuese dhe të mos heshtin ndaj kësaj dhune të paprecedent.
Forumi Musliman i Shqipërisë është i angazhuar dhe do t’jua përcjellim të gjithë organeve kompetente dhe shoqërisë civile këto raste dhe qëndrimet tona. Ne do t’ju ofrojmë mbrojtjen ligjore dhe këshillat e nevojshme të gjitha grave të dëmtuara në këtë drejtim dhe do të jemi vazhdimisht në mbështetje të të drejtave të tyre fetare e civile.