PROCESET E PAKOORDINUARA KOMBËTARE DHE KONSTRUKTET E KOORDINUARA ANTIKOMBËTARE
Prof. Dr. Milazim KRASNIQI/Prishtinë
Proceset e pakoordinuara përshkojnë gjithë historinë tonë të kombformimit, që nga përpjekja e Mahmut Pashë Bushatit për të formuar një shtet shqiptar, nga rivalitetet dhe madje konfliktet e armatosura ndërmjet Bushatlive e Ali Pashë Tepelenes, nga fërkimet në Lidhjen e Prizrenit e deri në ditët tona. Unë do të fokusoj vetëm disa nga episodet pas rënies së Murit të Berlinit, kur u krijuan realitete të reja e mundësi të reja të koordinimit brendakombëtar.
Koordinim i mbetur në tentativë
Kriza e ish RSFJ nxiti në Kosovë e në viset e tjera shqiptare një lëvizje antikomuniste, demokratike, e cila aspironte bashkëngjitjen e shqiptarëve në sferën atlantike. LDK në Kosovë ishte bartësja kryesore e atij procesi. LDK ndikoi edhe të shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi. (Ibrahim Rugova, Nevzat Halili, Riza Halimi, Mehmet Bardhi, ishin liderët e rinj dhe të ardhur nga një proces koordinimi brendashqiptar.) Edhe pse autonomia e Kosovës u abrogua nga Serbia në vitin 1989 dhe Kosova ra në okupim klasik më 5 korrik 1990, lëvizja për demokraci e pavarësi vazhdoi të jetë aktive. Për të gjetur përgjigje për dilemat e reja që u shfaqen për fatet e shqiptarëve në ish Jugosllavi, u formua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, i cili miratoi dokumentin e rëndësishëm “Tri opcionet”, një shembull i rrallë i koordinimit të plotë ndër shqiptarë.
Në atë dokument parashihej që të formohej Republika e Kosovës, nëse nuk ndryshonin kufijtë e brendshëm të RFSJ-së, Republika e Shqiptarëve në Jugosllavi, nëse ndryshonin kufijtë e brendshëm të republikave e krahinave ekzistuese, ose bashkimi me Shqipërinë, nëse ndryshonin kufijtë e jashtëm të federatës. Në rrethanat e okupimit dhe të luftës që kishte filluar në pjesën veriore të ish federatës jugosllave, ai koordinim ishte domehthënës, sado që nuk kishte ndonjë ndikim konkret në zhvillimet që pasuan, në rend të parë për mungesë të komponentës ushtarake tek ne shqiptarët, pasi me eliminimin e autonomisë ishte eliminuar edhe Mbrojtja Teritoriale, një komponentë gjysmë ushtarake, e cila në luftën sllovene, i dha Sllovensië fitoren në konflikt me armatën jugosllave.
- Lëvizja e dhjetorit 1990 në Shqipëri solli dinamikë të re në skenën kombëtare. Rënia e stalinizmit shqiptar dha impulse për bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve në realitetet e reja gjeokulturore e gjeopolitike, ku Perëndimi po merrte terren. Ndikimi i Kosovës në nxitjen e asaj lëvizjeje nuk është shumë i qartë, por me gjasë ka ekzistuar, e pakta në aspektin psikologjik e propagandistik. (Ibrahim Rugova më ka thënë privatisht, në vitin 1996, në kulmin e hidhërimit me Berishën, se Rugova ishte pyetur nga amerikanët dhe se e kishte dhënë “okejin” për Sali Berishën si lider i lëvizjes.) Fitorja e demokracisë në Shqipëri, solli më shumë kontakte, por jo edhe kooordinim të mirëfilltë.
- Ngjarjet në ish Jugosllavi, sidomos agresioni serb në Slloveni e Kroaci, nxiti veprime të shpejta edhe në Kosovë, sikundër ishte referendumi për pavarësinë e Kosovës në shtator 1991. Referendumi ishte më shumë i koordinuiar me veprimet që u bënë në Slloveni e në Kroaci, se sa me ndonjë koordinim brendashqiptar. Zgjedhjet parlamentare në mars të vitit 1992 në Shqipëri dhe zgjedhjet parlamentare e presidenciale në maj 1992 në Kosovë, e krijuan në realitet të ri, ku raportet Kosovë-Shqipëri duhej të shiheshin si raporte ndërshtetërore. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi, faktikisht u lanë në fatin e vet. U la mënjanë platforma e Këshillit Koordonues të Partive Shqiptare, ndoshta edhe nën ndikimin e raportit të Rober Badenterit, i cili në dhjetor në vitit 1991 konstatoi procesin e dezintegrimti të Jugosllavisë, por pa prekur kufijtë e republikave ekzistuese, gjë që nënkuptonte se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi, do të mbteteshin brenda atyre republikave të pavarura.
- Forcimi i pushtetit në Berishës në Tiranë filloi të reflektohej si sjellje paternaliste ndaj Kosovës e sidomos ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pati një tentim për armatosje të shqiptarëve në R.M, i cili u zbulua e u kompromentua, duke sjellë pasoja në organizimin politik shqiptar. (Sipas rrëfimit të Mitat Eminit, udhëtimin e vullnetarëve shqiptarë e kanë mbuluar me kamera ushtarakë të ushtrisë shqiptare, ndërsa ato material mandej kanë rënë në duart e autoriteteve maqedonase.) Atje u provokua pastaj fraksionimi i Partisë për Prosperitet Demokratik e prej saj doli Partia Demokratike Shqiptare e Arben Xhaferit, e cila në fillimet e saj ishte e afërt me Berishën, (më vonë u afrua me Partinë Socialiste.) Në vitin 1996 pati një tentativë nga Berisha edhe për detronizimin politik të Rugovës, me anën e Demaçit dhe të disa eksponentëve brenda LDK-së. Iniciativa me gjasë ishte në kundërshtim me sugjerimet amerikane, (u bë për të fshehur problemin e zgjedhjeve të vitit 1996, vjedhjen masive të votave) gjë që pati pasoja të rënda për Berishën e Shqipërinë, e cila praktikisht u dezintegrua si shtet në vitin 1997. Kësisoj, në vend të koordinimit, u eksperimentua paternalizmi, destabilizimi dhe prishja e raporteve.
- Koordinim brendakombëtar nuk pati as për luftën çlirimtare të viteve 1998-1999. E para, nuk pati koordinim brenda Kosovës, gjë që u tregua kobsjellëse për politikën në Kosovë, pas çlirimit. Por as në Shqipëri nuk pati koordinim të qartë lidhur me UÇK-në.
- Proceset pas çlirimit të Kosovës morën tjetër drejtim. Prezenca civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, nuk lejoi më asnjë politikë që aspironte integrimin e bashkimin kombëtar. Partitë që proklamonin program të atillë, nuk fitonin as 1% në zgjedhje dhe u shuan. Pra, Kosova nën UNMIK-un dhe KFOR-in, e formësuar nga Plani i Ahtisarit, është shpall shtet multientik, krejt në kundërshtim me aspiratën e shqiptarëve për shtet kombëtar e bashkim kombëtar. I tërë drejtimi i lëvizjes kombëtare është deformuar. Kjo shihet tragjikisht në deklaratën e Albin Kurtit para disa vitesh, te varri i Skenderbeut në Lezhë, ku pati thënë se e kishte kuptuar që Kushtetuta e Kosovës nuk e lejonte bashkimin kombëtar!
- Proceset kombëtare në Maqedoninë e Veriut, pas konflikti të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, shkuan në drejtim të integrimit të shqiptarëve në atë shtet duke hequr dorë edhe nga projekti “Ilirida.” E njëjta gjë ka ndodhë edhe më shqiptarët në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Pra, në demokraci e në liri është hequr dorë nga Projekti nacional, “Tri Opcionet” e vitit 1991 të KKPSHJ dhe nga programi klasik kombëtar. Sot jemi komb pa program kombëtar.
Gjendja shqiptare sot
- Shqipëria anëtare e NATO-s dhe shtet kandidat për në Bashkimin Europian. Por, edhe përkundër këtij procesi, Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë janë të distancuara nga njëra-tjetra. Gjendja u bë acaruese sisomos pas disa tentativave të ndërhyrjeve naïve, si pjesëmarrja e LVV-së zgjedhjet në Shqipëri. Paradoksalisht, Qeveria e Kosovës ka marrërdhënie të mira me qeverinë nacionaliste të Maqedonisë së Veriut e deri diku edhe me Greqinë, por jo me qeverinë e Tiranës.
- Kosova është shtet i proklamuar i pavarur më 17 shkurt 2008, por ende është de jure protektorat ndërkombëtar, me prezencë ushtarake të KFOR-it, i cili e mirëmban konfliktin e ngrirë.
- Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me disa të drejta të dozuara, por pa asnjë qartësi për të ardhmen e tyre.
- Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë në rrezik potencial ekzistencial, duke u shpërngulë e duke ua fshirë adresat. Nëse vazhdon kështu edhe disa vite, atje rrezikon të nbyllet ajo që ne e quajmë çështje shqiptare në Luginën e Pershecës ose Kosovën Lindore
- Shqiptarët në Malin e Zi janë pa ndonjë projekt, pa ndonjë lidhje në ndonjë program nacional, të lënë të shijojnë triumfin e komunës së Tuzit dhe të numërojnë vendbabimet e shuara.
- Ndërsa shqiptarët në Greqi e në Turqi nuk kalkulohen në ansjë lloj kombinimi.
- Sa u përket emigrantëve, ata përllogariten me sasinë e remitencave që dërgojnë në vendet e origjinës.
Disa nga konstruktet antikombëtare sot
Konstrukte antishqiptare të ndryshme, nuk është e vështirë të lancohen brenda këtij realiteti shqiptar, ku mungon program kombëtar, ku mungon bashkëpunimi, mungon edhe vullneti për bashkëpunim. Pra, projektet antishqiptare janë edhe produkte të dobësive tona e jo vetëm i fuqisë a mençurisë së armiqve tanë.
- Kostrukti më virulent në këto vite ka qenë dhe mbetet “Lëvizja e Deçanit”, e cila kërkon konvertimin e shqiptarëve të Kosovës në të krishterë, pothuajse me formulën e Rekonkuistës spanjolle të shekullit XV. Lidhja e emërtimit me Deçanin, në fakt ka të bëjë me lidhjen me manastirin e Deçanit dhe thirrja për kalim në katolicizëm, sipas një dokumenti kroat, shihet vetëm si fazë kalimtare për kalim në ortodoksinë serbe. Ideja e “Lëvizjes së Deçanit” është proserbe, antikombëtare, antikulturore. Synimi i saj është formimi i një minishteti serb rreth manastirit të Deçanit e kthimi i selinë së Patriarkanës Serbe në Pejë. Formimi i atij minishteti do ta ndante Kosovën dhe do ta rilegjitimonte influencën serbe.
- “Kombi Kosovar” është një kontrukt tjetër ideologjik e propagandistik, i cili dëgjohet herë pas herësh, por gjithnjë më i ngjirur. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2024 ka dhënë rezulatin, ku shumica absolute e popullsisë janë thjesht shqiptarë.
- “Shteti bektashi” është një konstrukt tjetër ideologjik e propagandistik, i lancuar por pa asnjë mbështetje as në traditat fetare bektashiane shqiptare as në realitetin politik e kombëtar shqiptar. Ideologu i bektashizmit, Naim Frashëri, në “Fletore e bektashijet” shprehet kështu: “ : “Bashkë me pleqësinë e me parësinë të bëjnë dashurin’ e vëllazërinë edhe njësin’ e miqësinë në mes të të gjithë shqiptarëvet, të mos ndahen njeri nga tjatri, të Krishter e Myslimanë të jenë tok, pa të venë gjithë punët mbroth e mbarë, të mos shahenetë sot Shqiptari, që ka qënë i lëvduar në gjithë botë gjithnjë.” Ndërsa ideologu i kombformimit shqiptar, Sami Frashëri në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, shkruan: “edhe nga besa (feja-sqarim imi) Shqiptarët ndahenë në mysylmanë, që janë dy të tret e më të krishterë, që janë një e treta. Të krishtenët ndahen afro përgjysmë më katolikë Llatinë, si i themi, edhe më orthodoksë. Në Gegëri krishtenët janë katolikë, në Toskëri orthodoksë. Edhe myslimantë janë në ndarë në synij e Bektashinj. Po këto ndarje të besës nuk sjellnë nonjë ç’qim (dallim) e çarje në mes të Shqiptarëvet.” Samiu më tutje argumenton: “Shqipëtari mysliman qoftë, orthodox qoftë, katholik qoftë ëshët gjithnjë shqiptërar. Besa (feja, sqarim imi) nuk sjellë kurrë ndarje e çarje në mest të tyre.”
Nëse këto ndarje fetare nuk sillnin dallime në fundin e shekullit XIX, kur ishte hapur çështja e formimit të kombit, si është e mundur që ato dallime në shekullin XXI të provokohen e të acarohen deri në idenë e formimit të një shteti brenda shtetit shqiptar, goja për të mbrojtur bektashijtë shqiptarë? Prej kujt u dashka të mbrohen bektashijtë, kur absolutisht nuk i diferencon dhe nuk i provokon askush?
- Plani Franko-Gjerman dhe Aneksi i Ohrit kanë ngjashmëri me Protokollin e Korfuzit të vitit 1914, sepse krijojnë autonomi të serbëve dhe e federalizojnë Kosovën. me Planin Franko-Gjerman dhe me planin e zbatimit, serbët kanë fituar autonominë territoriale (me Asociacionin), autonominë kulturore (arsim e kulturë të lidhur direkt me Serbinë), autonominë funksionale (me Kishën në qendër) dhe autonominë personale me vetë-menaxhimin në qendër. (Paraprakisht ishte ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë e Kosovës, një projekt i hartuar nga Instituti “Lindje Perëndim” të idejuar e drejtuar nga ish ambasadori amerikan në Beograd, Kameron Manteri e të pëlqyer nga ish sekretari amerikan për siguri, Xhon Bolltoni.)
Konkludim
Tërësinë e kombit shqiptar, kështu si është, i pakooordinuar e pa asnjë program kombëtar, e mban në këmbë vetëm përkatësia jonë në hapësirën gjeokulturore e gjeopolitike atlantike, e jo ndonjë projekt shqiptar. Në rast se do të ndodhte ndonjë ndryshim, që do të sillte dobësimin e ombrellës atlantike, shqiptarët do të ktheheshim në ciklin e njohur të tragjedive që nga Kongresi i Vjenës (1815), i cili krijoi ambientin për shkatërimin e pashallëqeve shqiptare, Kongresi i Berlinit(1878) , i cili legalizoi spastrimin etnik dhe aneksimin e territoreve shqiptare, Konferenca e Londrës (1913), e cila zyrtarizoi copëtimin e territoreve shqiptare dhe gjenocidin e luftërave ballkanike, Konferenca e Jalltes (1945) , e cila i la hapësirat shqiptare nën sundimin sllavo-komunist. Pra bindja ime është se ende jemi jo vetëm komb i parehabilituar nga tragjeditë e nga traumat, po edhe komb i rrezikuar, në rast se prishet dominanca e tashme atlantike. (27 shtator 2025, Tiranë)