In memoriam
Abdi Baleta figurë e shquar patriotike e nacionalizmit shqiptar
Roald A. Hysa
Tashmë së fundmi përjetuam largimin nga bota lëndore të një figure të madhe si ajo e Abdi Baletës, si një orator dhe mbrojtës i Shqiptarisë në vitet e errëta të tranzicionit politik shqiptar. Ai ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare në Moskë dhe është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1964. Deri në vitin në vitin 1983 ka shërbyer në diplomacinë e shtetit shqiptar si punonjës e drejtor në Ministrinë e Jashtme dhe ambasador e përfaqësues i Shqipërisë në OKB, në New York, SH.B.A. Ka kryer detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Pogradec (1983-1987) dhe të pedagogut të së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë (1987-1995). Në vitet 1991-1996 është zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 1995 e në vijim ai merret vetëm me publicistikë, si drejtues i gazetës së përjavshme nacionaliste “Rimëkëmbja”, që botohej në Tiranë.
Në veprimtarinë e tij si mendimtar i shquar i nacionalizmit shqiptar, ai ka lënë një trashëgimi të pasur librash e botimesh në fusha të ndryshme, që i kapërcejnë kufijtë kohore të botës shqiptare, si në diasporë po ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni e trojet shqiptare në Mal të Zi, Preshevë, Medvegje e Bujanoc. Disa nga veprat e tij të testamentit politik janë: Shqiptarët përballë shovinizmit serbo-grek: përmbledhje e zgjeruar e përmbledhjeve dhe intervistave – 1995; Shqipëria as ishull, as depo municioni islamik, por kopësht i harmonisë fetare! – 1996; Dhimbjet dhe trupi i Shqipërisë: artikuj dhe intervista – 1997; Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar, bashkautor – 1998; Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje – 1999; Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit – 2002; Baleta më ka thënë: vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar – 2005; Kundërshpifografi: (jetëshkrimore politike historike) – 2005, Përballjet me Islamofobinë – 2006, Dilema historike – 2011, Jo plebishitit venizellist – 2011, Sfidat historiografike në librat e Sabri Maxhunit – Novosellës – 2012.
Një nga pamfletet e tij politike, ku dallohet për gjuhën e thukët dhe therëse, ndaj apologjetëve të rremë që fshihen pas bujës së rreme si mbrojtës të nacionalizmit Baleta shkroi dhe botoi librin “KUSH DHE ÇFARË FSHIHET PAS TRILLIMIT “KOMUNIZËM ISLAMIK”?” këtu mund të sjellim në vëmendje edhe librin e tij tjetër në përgjigje ndaj gazetares italiane islamofobe Oriana Falaçi, Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit – 2002.
Në simpoziumin e FMSH të mbajtur në Kavajë në gusht të vitit 2008 me temë “Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim” ai mbajti një kumtesë. Kumtesa e Abdi Baletës zgjoi kërshërinë e auditorit të gjerë, me titull “Trajtimi i problemeve të Islamit në literaturën perëndimore”. Kjo ishte me të vërtetë një prezantim i shkëlqyer, ku përveç të tjerash përmendi dhe tha: “Pas mbarimit të luftës së ftohtë në fund të shekullit XX dhe sidomos pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork e Uashington në fillim të shekullit XXI në Perëndim u rrit shumë botimi i librave studimorë e propagandistikë me përmbajtje politike, historike, teologjike, filozofike për Islamin e myslimanët veçanërisht me tematikën për fundamentalizëm e terrorizëm islamik, për Islamin politik ekstremist e radikal.”
Kontributi i dhënë nga Abdi Baleta ka qenë i gjithanshëm dhe ai deri në frymën e fundit u përpoq për Shqiptarinë.