Një takim i frytshëm ky i organizuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë për të nxjerrë në pah sfidat e reja të bashkësisë muslimane që e presin atë, si dhe format e reja të shfaqjeve islamofobike në shoqërinë shqiptare. Në këtë takim ku morën pjesë një grup intelektualesh të specializuara në fusha të ndryshme në qendër të vëmendjes u vu kryesisht mbulesa e femrës muslimane dhe fuqizimi i gruas për të zënë një vend sa më të ngritur në shoqëri. Kryetari i FMSH Fisnik Kruja në fillim të takimit bëri një përmbledhje të qasjes së FMSH ndaj problemeve të ndryshme, duke i ilustruar ato dhe zgjidhjet që kanë marrë gjatë kësaj periudhe në bazë të platformës së FMSH, e cila mbështetet në mbrojtjen e të drejtave të besimit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa sekretari i FMSH Roald Hysa theksoi ndryshimet e mëdha teknologjike në fushën e komunikimit të ndodhura gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare, si dhe reagimet e ndryshme tashmë që çdo lajm apo fenomen është më i prekshëm edhe prej zhvillimeve marramendëse të rrjeteve sociale, të cilat i transmetojnë ngjarjet pothuajse në kohë reale. Në vijim ai vuri në dukje një nga problemet themelore që haset në administratën shtetërore, atë të një laiciteti ekstrem që ka sjellë si pasojë në disa raste ndalimin e mbulesës së femrës muslimane nëpër auditorët e ndryshëm të arsimit, apo edhe në disa raste edhe në zyra të tjera, si në privat ashru edhe në institucionet shtetërore. Njëkohësisht R. Hysa parashtroi përpara bashkëbiseduesve edhe matjen apo vendosjen e një niveli apo indeksi të islamofobisë në projektet e ardhme të Forumit Musliman të Shqipërisë. Aktivistja dhe studiuesja Dr. Nada Dosti në abstraktin e saj sugjeron, se duhen përballuar këto sfida dhe njëkohësisht duhen përdorur për fuqizimin e gruas muslimane dhe në dobi të shoqërisë.
Studiuesja Dr. Armanda Kodra theskoi se “Ne duhet t’i shmangemi viktimizimit dhe duhet të vendosim disa parametra për të dalë më pas me nivelin apo përshkallëzimin e Islamofobisë.” Dr. Anjeza Xhaferaj tha se duhet të organizojmë një anketë për të vendosur rreth nivelit të diskriminimit dhe pyetësori duhet të ketë një seri pyetjesh të mirëorganizuara, në mënyrë që anketimi të dalë sa më pranë reales. Pedagogu i gazetarisë R. Zili pasi solli sugjerimet e tij për vëzhgimet e vazhdueshme ndaj shfaqjeve të ndryshme islamofobike dhe mënyrave të sofistikuara se si po shfaqen ato, sugjeroi për bashkëpunimet e mundshme dhe zgjidhjen konkrete të asaj që ai e emërtoi “Indeksi i kufizimeve fetare në Shqipëri”. Znj. Anduena Qefalia solli vizionin e saj praktik gjatë punës në projektet e ndryshme, ku ajo ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj, kurse Dr. Edvin Cami vërejti se nëpër auditorët e universiteteve ka një rënie të ndjeshme të shfaqjeve islamofobike (kundër mjekrrave dhe mbulesës së femrës muslimane), porse rrjetet sociale e shpërfaqin tashmë atë që këta persona e shmangin gjatë ballafaqimeve njerëzore. Pjesëmarrësit u njohën edhe me raportin e fundit të FMSH për Islamofobinë në Shqipëri, si dhe problemet e mbetura pa zgjidhje në këto vite. Organizatorët e konsideruan këtë takim dhe të gjithë atë që u diskutua si nisjen e një procesi për të përballuar sa më mirë në të ardhmen shfaqjet islamofobike të evidentuara, si dhe sfidat e reja që e presin bashkësinë muslimane. Nënkryetari i FMSH Nexhmi Haveriku i falënderoi pjesëmarrësit për praninë dhe diskutimet e tyre, por gjithashtu vërejti se ky proces ka nevojë për më shumë angazhim edhe nga intelektualë të tjerë. Kryetari Fisnik Kruja e mbylli takimin e zhvilluar në zyrat e FMSH-së duke ju kërkuar të pranishmëve formulimin e një dokumenti, ku do të vendosen pikat themelore dhe kërkesat për parametrat e këtij indeksi.