FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Deklaratë për Shtyp/ ARKIV
03.02.2006
Karikaturat daneze ofendojnë ndjenjat
e muslimanëve dhe nxisin islamofobinë
Forumi Musliman i Shqipërisë ka mësuar nga një numër burimesh se në 30 shtator 2005, gazeta daneze Jyllands-Posten ka publikuar 12 karikatura, ku profeti i islamit, Muhamedi s.a.s. është përshkruar si terrorist dhe në forma të tjera fyese.
Forumi dënon në formën më të prerë këtë akt fyes kundër islamit dhe ndjenjave të muslimanëve, dhe shpreh shqetësimin e tij për përhapjen e islamofobisë dhe sulmeve kundër imazhit të Islamit edhe në pjesë të tjera të Evropës. Duke vëzhguar natyrën e karikaturave, Forumi mendon se ato rrëfejnë një qasje raciste dhe islamofobike, e cila për fat të keq shpesh lexohet nëpër disa media perëndimore ndaj Islamit.
Çfarë shqetëson Forumin më shumë, është se karikaturat anti-islame janë printuar edhe në disa vende fqinje me Shqipërinë, siç është Maqedonia, në të përditshmet “Vesti” dhe “Vreme”. Duke patur parasysh historitë e gjata të konflikteve dhe inateve ndërfetare në Ballkan që përsëriten kohë pas kohe, Forumi Musliman i Shqipërisë i apelon qeverisë daneze dhe të tjerave në BE që të përmirësojnë ligjet e tyre kundër urrejtjes, dhe sigurojnë që liria e fjalës nuk abuzohet nga ata që duan të fyejnë ndjenjat dhe besimet e të tjerëve.
Në të njëjtën kohë, Forumi Musliman i Shqipërisë, dënon aktet e dhunshme që disa njerëz kanë shfaqur kundër Danimarkës dhe i apelon muslimanëve anembanë botës, dhe shqiptarëve në veçanti, që të tregohen të matur dhe kuptojnë diferencat që ekzistojnë ndërmjet kulturave tona. Forumi Musliman i Shqipërisë, planifikon të takojë ambasadorin danez gjatë javës që vjen, të cilit do t’i shpreh shqetësimet e mësipërme.