FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

FMSH mirëpret presidentin Bush dhe shqetësohet nga aludimet rreth BE-së në shtyp

08-qershor-07

Forumi Musliman i Shqipërisë ka përcjellë me simpati deklarimet e presidentit George W. Bush për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, dhe cilësimin e shqiptarëve si ‘njerëz muslimanë që mund të jetojnë në paqe’.

Vizitën e kryetarit të vendit që më së shumti ka bërë dhe po jep përkrahje të fuqishme për çështjen kombëtare shqiptare, e konsiderojmë një ngjarje të shënuar në historinë e kombit dhe i urojmë atij mirëseardhjen.

Forumi Musliman i Shqipërisë i shpreh falenderimet e sinqerta SHBA-ve dhe vendeve të Bashkimit Evropjan për mbështetjen e qartë dhe të palëkundur që po i japin Planit Ahtisari për statusin përfundimtar të Kosovës.

Nga deklarimet e presidentit George Bush del krejt e qartë që përkatësia muslimane e shumicës së popullit shqiptar në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare nuk përbën kurrfarë pengese për integrimin euro – atlantik të tyre. Megjithatë, disa qarqe islamofobe me ndikim në median elektronike dhe te shkruar, në shoqërinë civile dhe në institucionet shtetërore, kanë arritur të krijojnë alarme në opinionin publik shqiptar duke krijuar idenë që identiteti islam i shqiptarëve është problem.

Islamofobët e vendit tonë si rezultat i kësaj propagande kanë qënë të suksesshëm që të margjinalizojnë besimtarët muslimanë, duke i diskriminuar ata dhe mbajtur jashtë universiteteve, administratës shtetërore, dhe në disa raste edhe administratës së biznesit privat.

Diskriminimi kundër muslimanëve sot në Shqipëri shihet qartë ndërsa ata nuk lejohen që të ndërtojnë një xhami në qendër  të Tiranës (por falen në rrugë), ndërkohë që një gjë e këtillë nuk ndodh me bashkatdhetarët e tyre të krishterë. Në Shqipëri sot kemi të bëjmë me një diskriminim ‘par excellence’ të shumicës.

Forumi Musliman i Shqipërisë konstaton me habi se në mënyrë paradoksale disa zëdhënës të islamofobisë në Shqipëri po nxitojnë ti japin mësime presidentit Bush për deklarimet e tij pro-muslimanëve shqiptarë, duke i dhënë të kuptojë se ‘nuk i di mirë gjërat’. Populli thotë: i zoti e shet, tellalli se jep.

Një pikë kulmore në këtë rast përbëjnë edhe direktivat e dhëna nga Ervin Baku në shkrimin e datës 7 qershor 2007 në Gazetën Shqip, me titull ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’. Në shkrimin e tij Ervin Baku insiston që shqiptarët duhet të proklamojnë origjinën e tyre të krishterë pasi islami sipas tij nuk është feja e shqiptarëve. Kujt duhet t’ia proklamojnë këto gjera shqiptarët? Evropjanëve dhe amerikanëve nga shkencëtarët e të cilëve kanë mësuar dhe mësojnë historinë e tyre? Madje nga ata kanë mësuar që edhe përpara se të ishin të krishterë, kanë qënë popull pagan. Mos vallë duhet proklamuar kjo fe meqë është më e lashtë.

Ervin Baku ndjehet i terrorizuar nga që Shqipëria aderon në Konferencën Islamike. Sipas tij ‘aderimi dhe vazhdimi i qënies sonë në Konferencën e Vëndeve Islamike përbën një handikap tejet të konsiderueshëm drejt Europës së Bashkuar. Kjo nuk do t’u thuhet kurrë zyrtarisht politikanëve shqiptarë nga interlokutorët e tyre evropjanë. Por mua personalisht më është thënë mëse njëherë në tavolinat e Brukselit dhe Strasburgut’.

Forumi Musliman i Shqipërisë nuk është i prirur të besojë që Ervin Baku është një person më konfident, se përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar me të cilët Bashkimi Evropjan ka nënshkruar marrveshjen e Stabilizim Asocimit. Mesa dimë ne, Shqipërisë nuk i është vënë kurrfarë kushti për t’u larguar nga Konferenca Islamike si kusht për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Në qoftë se pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën Islamike do të ishte kaq problematike, kërkesa e parë për largimin e saj do të kishte ardhur që në datën 11 shtator 2001. Por për çudi edhe tani që presidenti Bush viziton Shqipërinë një kërkesë e këtillë nuk bëhet, por në të kundërt presidenti Bush lavdëron muslimanët e Shqipërisë. Forumi Musliman i Shqipërisë do të dëshironte që të kishte një prononcim të qartë nga Brukseli për aludimet që Ervin Baku ka bërë në lidhje me zyrtarët më të lartë të këtij institucioni dhe për përkatësinë muslimane të shqiptarëve.