FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

SU: FMSH dhe shoqatat e Shkodrës denoncojnë abuzimin me Vakëfet e KMSH-së

SHOQATA BAMIRËSE SHKODËR,

SHOQATA E INTELEKTUALËVE ‘KULTURA ISLAME’ – DEGA SHKODËR,

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË – DEGA SHKODËR

& KLUBI KULTUROR DRITA

Kanë përcjellur dhe vazhdojnë të përcjellin me shumë shqetësim mënyrën sesi Komuniteti Musliman i Shqipërisë, po administron pronat e vakëfit të cilët kanë rëndësi jetike për të gjithë muslimanët në Shqipëri.

Me keqardhje, kemi konstatuar një paaftësi dhe një përkushtim difiçitar në punën që kanë kryer drejtuesit e zyrës së vakëfit pranë KMSH-së, dhe veprimet e rrezikshme nga persona brenda këtij institucioni, të cilët kanë të drejtën e vendimmarrjes.

Klane dhe persona të veçantë kanë bërë vazhdimisht përpjekje për të interpretuar statusin e KMSH-së dhe krijuar hapësira që do t’u krijojnë mundësi veprimi me pronat e vakëfit, sikur të ishin prona që ja ka lënë dikush atyre si trashëgim.

Duke vepruar në këtë mënyrë, ata bëjnë presion mbi myftinitë e rretheve që edhe ato të tjetërsojnë pronat e vakëfit në të njëjtën linjë me KMSH, duke rrezatuar kështu shumë rrezikshëm një veprim që asfikson përfundimisht aktivitetin fetar musliman në Shqipëri.

Aty ku KMSH-ja është përballur me rezistencë për ruajtjen e pronave, si në rastin e muftiut Bashkim Bajraktari që u shkarkua nga detyra, ka vepruar me grusht të hekurt. Ky veprim i saj është pasuar nga një diskriminim i egër siç është rasti me z. Bajraktari i cili është ‘internuar për së gjalli’ duke u vendosur si hoxhë në një mikro xhami jashtë qytetit. Pasi KMSH-ja lau hasapet me rebelin Bajraktari tashmë duket se është trimëruar dhe filluar të hedhi në treg pronat e muslimanëve sikur t’i ketë të babës. Rasti më i fundit është shitja e një sipërfaqeje shumë të madhe trualli ndaj një biznesmeni me një çmim shumë qesharak në krahasim më atë të tregut, duke dëmtuar kështu shumë rëndë interesat e muslimanëve në të gjithë Shqipërinë, gjë që ka prodhuar një indinjatë të paparë.

Në këtë indinjatë përfshihet edhe greva e urisë që po bëjnë besimtarët e xhematit të xhamisë së Tabakëve në Tiranë këto ditë, të cilët kanë vendosur te vetësakrifikohen për të mbrojtur pronat e vakëfit. Ky veprim shkon në antitezë me ata që po tkurrin pronat e muslimanëve duke i çuar shumë shpejt drej zhdukjes, saqë sot është thuajse e pamundur që dikush të dhurojë tokë dhe troje për vakëfin e KMSH-së.

Ne, si shoqata që po prononcohemi sot, mbështesim pa rezerva grevën e urisë të vëllezërve tanë muslimanë të xhamisë se Tabakëve dhe të xhemateve të tjera të xhamive të Tiranës, të cilët me peticionet e tyre, kanë kërkuar anullimin e kësaj kontrate të turpshme që ju sjell aq dëm muslimanëve në të gjithë Shqipërinë. Ajo që duam të theksojmë në deklaratën tonë, është se ne kërkojmë në mënyrë të prerë që ato klane dhe ata persona që janë përfshirë në këto afera të rrezikshme për fatin e pronave të muslimanëve, të vihen para përgjegjësisë ligjore dhe fetare, ku pjesën e luanit në këtë pergjegjësi ta mbajnë ata që drejtojnë administrimin e pronave të vakëfit dhe veçanërisht ata që vendosin firmën vendimtare që i hap rrugë këtij batakçillëku.

Shoqatat muslimane të Shkodrës, i kujtojnë sot KMSH-së se pas kësaj deklarate, do të përshkallëzojmë shumë ashpër qëndrimin tonë, kundër atyre që duke abuzuar me karriken ku janë ulur, po nëpërkëmbin interesat e muslimanëve duke luajtur si gjithmonë rolin e grevëthyesit kundër besimtarëve muslimanë në Shqipëri

Duke përfunduar këtë deklaratë, shoqatat muslimane të Shkodrës kërkojnë anullimin e kontratës së shitjes së truallit pranë bustit të Azem Hajdarit që KMSH ka realizuar ditët e fundit dhe ndëshkimin e fajtorëve.

 Shkodër më, 5 maj 2007