FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

31/1/2013 / ARKIV

Një familje persekutohet për shkak se ka hyrë në Islam

Pas informacioneve të marra gojarisht nga disa burime të besueshme na u njoftua, se kishim një rast persekutimi për arsye të ndërrimit të fesë, pra konvertimit, nga i krishterë në musliman. Pasi këto informacione na u konfirmuan, atëherë FMSH ngriti një grup të posaçëm për të shkuar dhe verifikuar në vend këtë rast. P.L. ishte larguar fillimisht nga një fshati i Tropojës dhe kishte shkuar në një fshat të Shkodrës për një jetë më të mirë. Aty e gjetëm së bashku me bashkëshorten dhe me tre fëmijët e vet. Pasi ishte vendosur aty kishte gjetur përkrahjen e znj. L.B.B., e cila e prekur nga gjendja ekonomike e familjes në fjalë fillimisht ua jep shtëpinë me qera, por më pas i ndihmon gjerësisht si nga ana ekonomike, po ashtu edhe shoqërore, duke u bërë shkak që të fillojnë e të praktikojnë Islamin duke u bërë kështu muslimanë. Kjo gjë nuk është mirëpritur aspak nga rrethi shoqëror dhe farefisi i familjes së P.L., të cilët fillimisht i kanë sharë dhe i kanë ofenduar për ndërrimin e fesë, dhe më pas kanë kaluar në kërcënime të drejtpërdrejta fizike ndaj kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, gjithnjë sipas asaj që na referoi ankuesi. Ai na ka njoftuar se ka pasur presione fizike nga më të ndryshmet, po ashtu edhe djemtë e tij të pranishëm gjatë kësaj bisede. Po ashtu këto presione janë konfirmuar edhe nga fqinja L.B.B. Persona të paidentifikuar i kanë hyrë në shtëpi dhe e kanë kërcënuar. Ai na tha se edhe natën vonë i kanë hyrë në shtëpi dhe e kanë kërcënuar me armë zjarri. Ai na pohoi se është nën kërcënim të vazhdueshëm për shkak se ai, bashkëshortja e tij së bashku me fëmijët kanë kaluar në Fenë Islame. Dy djemtë e tij  na pohuan se “njerëz të panjohur” kanë kërkuar t’i tërheqin jashtë ambienteve të shkollës me kërcënime. Po ashtu gjatë bisedës u vërejt në qëndrimet e kryefamiljarit dhe bashkëshortes së tij një tension dhe stres i jashtëzakonshëm, kur tregonin për presionet dhe kërcënimet e përjetuara gjatë këtyre kohëve të fundit. Gjendja e tyre ekonomike dukej që ishte e keqe, dhe mund të hynte tek ato familje në nivelin më të ulët të varfërisë.
Të gjitha të dhënat gjenden të regjistruara dhe të arkivuara pranë Forumit Musliman të Shqipërisë.