Një poker ambasadash nën tryezën e lajmit

SHPËTIM DODA

Aspekt i parë lidhet me burimin e lajmit, i cili na tregon rrugën që paska ndjekur Bujar Spahiu. Për trajtimin e kërcënimeve që pretendon se i janë bërë, Bujar Spahiu iu qenkërka drejtuar përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri!

Përpara tri ditësh u përcoll lajmi se Bujar Spahiu, kreu aktual i KMSH-s, është kërcënuar së paku në dy raste me jetë për të dhënë dorëheqjen. Lajmi thuhej se mbështetej në “burime diplomatike”, ndërkohë që tek thuhej është konfirmuar edhe nga vetë KMSH, e cila, nga ana e saj, deri në këtë moment, ndonëse kanë kaluar tri ditë, nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë lajm. Mosreagimi ndaj lajmit, nuk është përgënjeshtrim, por pranim i heshtur i vërtetësisë së tij, çka i shteg spekulimit analitik e racional nën dritën e kontekstit politik e social të cilit i adresohet dhe brenda të cilit synon të operojë vetë lajmi, duke krijuar deri edhe mundësinë për ta vështruar Bujar Spahiun, në mos autor, së paku investitor, jo sepse është përfitues i drejtpërdrejtë nga lajmi, por sepse mosreagimi – qoftë për ta konfirmuar, qoftë për ta përgënjeshtruar një lajm – në suazën e lajmeve të kësaj natyre është investim i mirëfilltë, çka çdo njeri që e njeh sadopak komunikimin mediatik, e ka fare të qartë.
Lajmi në fjalë është thellësisht shqetësues në më tepër se një aspekt.

Aspekt i parë lidhet me burimin e lajmit, i cili na tregon rrugën që paska ndjekur Bujar Spahiu. Për trajtimin e kërcënimeve që pretendon se i janë bërë, Bujar Spahiu iu qenkërka drejtuar përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri! Përdorimi i përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë si një zyrë apo organ ekstra ligjor për të denoncuar kërcënime të karakterit lokal e individual, është sa qesharak në pamje të parë, aq edhe i rrezikshëm në një qasje më të thellë, nën dritën e klimës së ngarkuar sociale e politike në rajon e më gjerë. Përfaqësitë diplomatike s’janë mandatuar për të ushtruar funksionet e organeve të rendit dhe prokurorisë në Shqipëri. Sfera e veprimtarisë së tyre janë konsolidimi i marrëdhënieve me vendet ku operojnë nën dritën e interesave dhe politikave që vendet që përfaqësojnë kanë në ato vende ku këto përfaqësitë operojnë, dhe jo hetimi dhe ndjekja e personave që kryejnë vepra penale. Edhe në rast se, në një çast dalldie, do të kishin patur prirje për të marrë mbi vete një tagër të tillë, përfaqësitë diplomatike nuk do t’ia bënin me dije asnjë personi të jashtëm, për shkak se do të dilnin zbuluar si shkelës të Konventës së Vjenës. Prej këndejmi më lind dyshimi i arsyeshëm se lajmi është stisje e paramenduar për të krijuar çoroditje dhe zhvendosje vëmendjeje në kurriz të lëndueshmërisë që shfaqin çështje të caktuara.