Bigamia në Kodin e Ri Penal – Ligj apo Selektivitet i Maskuar?
Avokat Gentian Sejrani
Në Kodin e ri Penal, bigamia është shpallur vepër penale. Por mënyra sesi është formuluar kjo dispozitë ngre disa pyetje serioze për objektivitetin, qëllimin dhe adresimin e saj real.
1. Formulimi diskriminues? Kur thuhet “lidhje e dy ose më shumë martesash”, është e qartë se objektivi i kësaj norme janë individët që ndjekin norma të tjera martesore nga ato që njeh ligji shqiptar, konkretisht ata me orientim islam. A nuk kemi të bëjmë me një përzgjedhje selektive?
2. Martesë apo bashkëjetesë? Sipas Kodit të Familjes, një person nuk mund të lidhet ligjërisht me më shumë se një martesë. Atëherë si përcaktohet në praktikë që një person është “martuar dy herë” dhe nuk është në bashkëjetesë apo në një formë tjetër lidhjeje joformale?
3. Pse jo edhe për bashkëjetesat? Nëse qëllimi është ndëshkimi i praktikave që shkojnë kundër parimit të monogamisë, pse atëherë nuk përfshihen edhe ata që jetojnë në martesë dhe bashkëjetesë të njëkohshme? A nuk përbën edhe kjo një trajtë “de facto” të të njëjtit fenomen?
4. Diskriminimi si vepër penale? Për herë të parë, diskriminimi është parashikuar si vepër penale në vetvete. A nuk jemi para një rasti ku vetë hartuesit e Kodit bien ndesh me këtë normë, duke diskriminuar një kategori qytetarësh për shkak të bindjeve dhe praktikave të tyre fetare?
5. Juridiksion jashtë kufijve? Pika 3 e këtij neni e shtrin efektin e tij edhe kur “shkelja” e normës ndodh jashtë territorit të Shqipërisë. Si mund të ndëshkosh një qytetar që, brenda një shteti tjetër, ka vepruar në përputhje me ligjet e atij vendi?
Kjo dispozitë lë hapësirë për keqinterpretim, përndjekje selektive dhe, në fund të fundit, çon drejt një norme penale që vetë përmban elementë diskriminues.
Drejtësia nuk duhet të ketë target.
Lexime: 2