Familja konservatore e ka prejardhjen hyjnore qysh në ditët e para

 

Roald A. HYSA

 

Familja konservatore nis qysh me numrin e vet të familjarëve dhe të brezave brenda saj. E madhe në numër dhe përfshin brenda tre breza, gjyshërit, prindët dhe fëmijët. Fryma e saj është fryma e dashurisë dhe e kujdesit të ndërsjellë atëror, që zbret nga lart poshtë. Ajo është e lashtë në hershmërinë e vet, një model i vendosur qysh nga prindët tonë të parë dhe më pas me të gjithë patriarkët biblikë. Në të gjithë periudhat e njohura historikisht e gjejmë atë, madje edhe sot nuk është shuar me gjithë tendencat për ta shthurur e për ta shkatërruar atë. Likurgu me kazermat spartane ku rritej e stërvitej rinia, e cila largohej nga prindët e vet është një tendencë për ta shkrirë familjen në një njësi më të madhe, në një komunitet shumë më të madh se sa FISI. Për familjen në përgjithësi është folur shumë dhe do të flitet përsëri, si dhe do të studiohet me imtësi. Minimalja e një familje klasike është çifti mashkull femër, të cilët më pas janë në gjendje edhe të shtohen, pra ajo që njihet vazhdimësia e jetës, shtimi i numrit të anëtarëve të familjes. Adami dhe Eva apo Ademi dhe Havaja është numri bazë nga i cili nisi edhe jeta njerëzore e më pas do të vinin shumë meshkuj e shumë femra në një numër pothuajse në infinit. Ne jemi të gjithë bijtë e Adamit dhe Evës dhe kur futemi në lidhje të tilla nuk bëjmë gjë tjetër veçse i imitojmë ata në dashurinë që patën për njëri-tjetrin, si dhe kur shtohemi me fënijë meshkuj apo femra. Gjenomi i sotëm njerëzor sido që ta lexosh është i përbërë nga 23 çifte kromozomesh, ku vetëm njëri prej tyre e bën ndryshimin nga Adem në Hava. Ashtu siç ka një numër të pafund njerëzish, po ashtu ka edhe një numër të pafund brezash. Nocionet e fisit dhe të kombit i përfshijnë numrat e mëdhenj të njerëzve dhe të brezave, si dhe ndryshimet në kohë. Këto janë nocione të gjeneruara nga familja, për të cilën nuk mund të jepet një përkufizim par excellance, por edhe që nuk mund të lihet manash. Përkufizimet mbeten të thata, sepse në to nuk ndihet fryma e dashurisë si një universale dominante e jetës së përditshme, por që nuk shihet, nuk preket me dorë, vetëm mund ta shijosh. Disa e shohin lidhjen mashkull femër si një fermë të nevojshme pjellorie, që nuk bën dallim nga fermat e kafshëve që mbarështrohen për shkak të nevojave të përditshmërisë njerëzore, për t’i përmbushur me kontigjentet e nevojshme zinxhirët e prodhimit. Ndërkaq familja është amanet hyjnor i përgjithshëm për të gjithë jetën njerëzore qysh në ditën e parë të krijimit, kur Ademi dhe Eva e panë njëri-tjetrin dhe e kuptuan kthjelltësisht që Zoti jo pa qëllim i kishte vendosur së bashku. Adami i krijuar nga balta dhe Eva e krijuar nga brinja e tij, një dualitet i dhimbshëm i lidhur nëpërmjet gjenomit, i cili është vazhdimësia e jetës së çiftit njerëzor. Si fjalë terminologjike çifti, gjenomi, brezat, familja, fisi, kombi kanë hierarkinë e tyre jetësore, ku prej tyre njerëzit marrin gjallërinë e tyre të përditshme dhe e gjejnë veten sipas rastit në njësitë e përmendura. Kur ju mungon busulla, atëherë krijohen premisat qendërikëse dhe njeriu largohet nga vendi i tij, migron dhe emigron deri sa të gjejë një qetësi diku në një vend të caktuar. Po nuk u kënaq me atë që ka do të vazhdojë të ikë, e prapë nuk kënaqet, e prapë ikën deri në pafundësi, kur psikologjikisht e ka humbur edhe busullën, edhe rrugën, por veç kërkon dhe nuk kënaqet. Ruajtja e lidhjeve familjare e farefisnore e përshkon familjen si një fill i padukshëm nëpërmjet dashurisë prindërore dhe kujdesit të ndërsjellë. Dashuria e pakufijtë, e cila i tejkalon kufijtë e mendjes njerëzore dhe vendoset në një pamje të ngrirë. Një dashuri e paskaj që është luksi i kujtdo për nënën, babain, fëmijën, vëllain, gruan etj. etj. shumë e vështirë për t’u ruajtur, sepse kërkon xhelozi dhe ka smirë të madhe ndaj saj. Kush kërkon ta ndërtojë ndryshe atë në thelb po kërkon ta prishi nga themelet për ta rindërtuar, sepse ndërtimi nuk është njëlloj si rindërtimi për shkak të komponentes së ndryshimit te këto dy koncepte. Ndryshojnë pak, por mjaftueshëm për t’i shkuar gjërave në thelbin e vet dhe paralelisht duke u larguar, por që për një kohë të gjatë do të udhëtojnë duke mos u takuar. Të ruash trajektoren e një jete normale sjell monotoni, e cila duhet thyer sipas modernistave. Të durosh durimin është një përpjekje akoma më vigane, e cila rritet në shkallën që po hipën sipas konservatorit. Si mund t’i përdorim universalet duke i ndryshuar apo duke i ruajtur? Njeriu është i prirur drejt të sigurtës dhe e sheh me skepticizëm pasigurinë që i ofrohet nga e panjohura. Familja ofron të gjithë sigurinë e mundshme të një bashkësie me interesa të përbashkëta dhe dashuria e lidhjeve të brendshme farefisnore garanton njëkohësisht harmoninë dhe sigurinë. Përpjekjet për ta ruajtur përditshmërisht janë vetë jeta e saj. Kjo është tendenca konservatore e familjes, e cila përcillet nëpërmjet gjenomeve të ruajtura pastërtisht njëri pas tjetrit, deri në fund të kohës.