Procesi zgjedhor kërkon transparencë!
Kërkesë për transparencë
Drejtuar Kryesisë së KMSH dhe Kryetarit
Për dijeni Komitetit Shtetëror të Kulteve

Nga burime të ndryshme mësojmë se ka filluar procesi zgjedhor i këshillave të xhamive dhe të myftinive në të gjithë vendin. Ky proces në vite ka vuajtur nga mungesa e transparencës dhe nga mënyra se si “të zgjedhurit” kanë ecur përpara në këtë proces nga këshillat e xhamive për të shkuar te myftinitë vendore, e më pas për t’u zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së. Kjo mungesë transparence i ka lënë vend dhe shteg abuzimeve ndaj legjitimitetit të procesit, ku në fund në rrethin më të lartë kanë përfunduar njerëz, që nuk kanë të bëjnë me vendet e origjinës, që ata kishin marrë “tagrin e përfaqësimit”. Pra i gjithë ky proces ka vuajtur nga mungesa e legjitimitetit dhe e transparencës, e për pasojë ka pasur vazdimisht kontestime nga më të ndryshmet. Më të fundit mund t’i përmendim për zgjedhjen e kryetarit të ri të KMSH-së, ku njëri nga kandidatët lëshoi akuza të ashpra ndaj atij që fitoi. Kriteret e vendosura nga komisioni që organizoi zgjedhjet, vendosi kritere që mund të shihen edhe si favorizuese ndaj atij që fitoi.
Në këtë mënyrë muslimanët nuk ndjehen të përfaqësuar nga drejtuesit e sotëm të lartë të KMSH-së, dhe gjenden përsëri përpara faktit të kryer, i cili po ju serviret si zgjedhja më e mirë e mundshme. Për këtë kemi nevojë, që me këto zgjedhje të fillojnë me një proces transparence, duke u bërë publike i gjithë procesi se si do të kryen zgjedhjet në bazë të statutit të KMSH-së! Si do të funksionojë procesi i seleksionimit të kandidatëve dhe datat kur do të kryhen këto zgjedhje! KMSH-ja dhe Kryetari i ri e kanë domosdoshmëri legjitimitetin dhe ku bazohet ai, pikërisht xhematin. Gjithsesi Forumi Musliman i Shqipërisë është i angazhuar, që me aktivistet e tij në gjirin e Xhematit të monitorojë me kujdes procesin zgjedhor, duke denoncuar çdo shmangie nga rregullat e Statutit të KMSH.