FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp / ARKIV

24 / 09 / 2005

Forumi Musliman i Shqipërisë, dënon përpjekjet e Ilir Kullës për të paraqitur dorëheqjen e tij si një presion që i bëhet nga besimtarët muslimanë të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e tyre.

Ilir Kulla është rrëzuar nga posti që në datën 3 korrik 2005, kur populli shqiptar ndërshkoi me votën e tij, Kullën dhe Partinë Socialiste.

Duam t’i kujtojmë opinionit publik shqiptar, se si rezultat i ndërhyrjeve flagrante, intrigave, veprimtarisë përçarëse dhe antikushtetuese të Ilir Kullës, situata në Komunitetin Musliman, që është përfaqësues i fesë së shumicës të popullsisë në Republikën e Shqipërisë, sot është në pikën e saj më kritike të të gjithë historisë së tij të njohur, që nga viti 1923. Dhe për më tepër, mbasi ka bërë gjithë atë katrahurë, krejt ndryshe nga paraardhësit e tij (si Halil Lalaj, Fatri Sinani, Bardhyl Fico etj), Ilir Kulla i bën thirrje qeverisë që të rregullojë dëmet që ai vetë i ka shkaktuar.

Rezultat direkt i veprimtarisë intrigante dhe shpifëse të Ilir Kullës janë ngjarjet tronditëse për Bashkësinë Islame, të arrestimit të imamëve (udhëheqësve në fe) të Tiranës gjatë muajit Qershor 2005 dhe përpjekjet e tij për t’i paraqitur ata në shtyp si terroristë dhe banditë, vetëm pse ata guxuan të denoncojnë veprimtarinë jo korrekte të kryetarit të Komunitetit Musliman, z. Selim Muça i cili nën presionet e Ilir Kullës, devijoi misionin e institucionit të tij, për hir të pazareve në dobi të Partisë Socialiste. Ilir Kulla me veprimtarinë e tij këmbëngulëse në ndërhyrjet në çështjet e Komunitetit Musliman, ka cënuar rëndë sovranitetit e këtij institucioni dhe në të njëjtën kohë ka shkelur karakterin laik të shtetit shqiptar të garantuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe rolin dhe imazhin e Komitetit Shtetëror të Kulteve, detyrë e të cilit është ruajtja e harmonisë fetare në vend, dhe pavarësisë së institucioneve fetare.

Nuk është për t’u çuditur që sulmet e tij, janë drejtuar kundër njerëzve më të ndershëm e të përkushtuar të kryesisë së Komunitetit Musliman, siç është nënkryetari i këtij institucioni, dhe myftiu i Tiranës, Bledar Myftari. Kjo tregon se personat e sulmuar, duket të kenë refuzuar bashkëpunimin dhe kthimin në njerëz të interesave politike të Ilir Kullës.

I apelojmë kryeministrit Berisha, që në emërimin e kryetarit të ri të Komitetit të Kulteve të tregojë një kujdes të veçantë, duke patur parasysh pasojat e krizës së rëndë që Ilir Kulla i ka shkaktuar Bashkësisë Islame të Shqipërisë, duke nxitur përçarjen në mesin e saj. Në të njëjtën kohë ne i apelojmë institucioneve përgjegjëse të shtetit shqiptar që të nisin një proçes hetimor ndaj aferave dhe veprimtarisë së dyshimtë të Ilir Kullës gjatë shërbimit në postin e Kryetarit të Komitetit Shtetëror të Kulteve.

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË TIRANË