Nexhmi Haveriku

Nexhmi Haveriku, i lindur në Kavajë 06-02-1950, dhe banues po në këtë qytet. Para vitit 1992 ka punuar si teknik mekanik, teknik ndërtimi dhe si ekonomist. Në vitin 1992 themelon shoqërinë ndërtimore “Vëllezerit Haveriku”, e cila e fillon veprimtarinë e saj me ndërtime godinash administrative (zyra, magazina sheshe etj). Ndërton “Kompleksin Islamik” në qytetin e Kavajës (dy shkolla, dy konvikte, godinë banimi etj). Merret  me ndërtime në qytete të ndryshme të vendit, godina banimi, xhami dhe medrese, rrugë, vepra vaditëse dhe kullimi. Me firmën e tij ndërton një vepër arti e mirënjohur për qytetin e Kavajës monumentin Demokracia në sheshin kryesor. Ai ka qenë kryetar i “Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë” Kavajë nga viti 1995 deri në vitin 2010, kur kjo Dhomë u përfshi në “Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë” Tiranë.

Ai vazhdon të jetë aktiv në fushën e ndërtimeve. Ai ka qenë 2 herë së bashku me bashkëshorten e tij për “Haxh”. Çifti Haveriku janë të njohur në fushën e bamirësisë për qytetin e Kavajës. Në vitin 2005 me iniciativën e një grupi besimtarësh të devotshëm muslimanë nga Tirana, Shkodra dhe Kavaja mblidhen në Tiranë për t’u organizuar në një shoqatë të shoqërisë civile, e cila do të vepronte në promovimin e vlerave të Islamit dhe mbrojtjen e këtyre vlerave. Mbas një bashkëbisedimi konstruktiv dhe shumë të frytshëm me të gjithë pjesëmarrësit u ra dakord për krijimin e “Forumit Musliman të Shqipërisë”, ku edhe Nexhmi Haveriku zgjidhet nënkryetar i FMSH.

Në vitin 2008 në vazhdën e aspiratës së Shqiptarëve për t’u futur në familjen evropiane, “Forumi Musliman i Shqipërisë” organizoi me mbështetjen kryesore të Nexhmi Haverikut simpoziumin mbarëkombëtar me kryetemë “Integrimi i Shqiptarëve në Europë dhe vlerat që Islami përcjell në këtë integrim” në Kavajë. Aty morën pjesë dijetarë dhe hulumtues muslimanë nga republika e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, ndërsa nga diaspora Zvicër dhe Norvegji. Të gjitha kumtesat u botuan në një libër që mban emrin e kryetemës me sponsorizimin e Nexhmi Haverikut. Ai vazhdon të japë kontributin e tij si nënkryetar pranë Forumit Musliman të Shqipërisë në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të Islamit, të individit, familjes dhe shoqërisë si një veprimtar shoqëror i dalluar dhe i vlerësuar në qytetin e tij të lindjes dhe më gjerë në Shqipëri.