11 qershor 2025

 

Forumi Musliman i Shqipërisë përshëndet nismën e ndërmarrë nga deputeti Lefter Gështenja në favor të përmirësimit të Kodit të Punës për punonjësit e besimit musliman, apo siç njihet ndryshe edhe “Ora e Xhumasë”.

Të gjithë punonjësit që i përkasin besimit mysliman mund të përfitojnë të drejtën të përfitojnë dy orë pushim gjatë mesditës ditën e premte, për të kryer faljen e namazit të xhumasë.

Ditën e djeshme (10 qershor 2025) në Kuvend është prezantuar një nismë, që parashikon disa ndryshime në Kodin e Punës për të respektuar të drejtat fetare të punonjësve myslimanë.

Sipas këtij propozimi, punëmarrësit që i përkasin besimit mysliman do të kenë të drejtën të shkëputen nga puna për të kryer faljet ditore dhe veçanërisht, të kenë dy orë pushim çdo të premte për faljen e namazit të xhumasë.

Në komisionet parlamentare, u diskutua edhe detyrimi që u vendoset punëdhënësve për të ofruar hapësira për falje në rast se kanë më shumë se 50 punonjës të besimit mysliman.

Forumi Musliman i Shqipërisë së bashku me Fondacionin ALSAR dhe Lidhjen e Hoxhallarëve të Shqipërisë kanë paraqitur një kërkesë në këtë drejtim qysh në vitin 2021. Lehtësimi i kryerjes së ritit fetar “ORA E XHUMASË” për besimtarët muslimanë punonjës të administratës publike ka qenë kërkesa normale e këtyre shoqatave drejtuar Departamentit të Administratës Publike me drejtoreshë znj. Albana Koçiu. FMSH ka pasur kontakte më pas përsëri më DAP, por nuk morëm ndonjë përgjigje të kënaqshme asokohe.

Ne e vlerësojmë si shumë pozitive kërkesën e bërë nga deputeti Lefter Gështenja për amendimin e Kodit të Punës dhe shpresojmë se në mos nga kjo legjislaturë në tjetrën të marri zgjidhje ky problem.

Kujtojmë këtu Neni 10/2 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku: Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.- pra është detyrë e legjislatorit të krijojë kushtet e nevojshme për të punësuarit muslimanë dhe nevojën e tyre për faljen e namazeve dhe të xhumasë.