Vëzhgimi Kombëtar mbi Urimet Zyrtare

Kemi kënaqësinë t’Ju njoftojmë të gjithë juve, se në ditët e para të Majit 2022 u mbyll faza e parë e Vëzhgimit Kombëtar mbi Urimet Zyrtare të qeverisjes vendore e qendrore nga ana Forumit Musliman të Shqipërisë. Edhe më heret kemi mbledhur të dhëna të tilla, por monitorimi i sivjetëm Prill-Maj 2022 u krye në bazë të një metodologjie të përcaktuar paraprakisht, e cila i është vënë në dispozicion edhe publikut të gjerë.

 

Në këtë fazë të parë arritëm të angazhojmë në shkallë kombëtare 30 persona, të cilët janë persona të njohur për aktivizmin shoqëror në qytetet e tyre dhe janë të integruar shumë mirë si në jetën shoqërore por edhe me integritet të lartë moral personal. Niveli i arsimimit të tyre është i nivelit të lartë, gjë që nuk e kemi pasur mundësinë më parë, dhe raportimet e bëra prej tyre janë krejtësisht korrekte dhe reflektojnë realitetin lokal, pasi janë kontrolluar edhe nga ne. Të dhënat e mbledhura tashmë i janë kaluar një statisticieni profesionist dhe pedagog i mirënjohur i fushës, i cili shumë shpejt do të na japë rezultatet, që do t’ua kalojmë edhe juve për të pasur një mendim profesional nga ana juaj sipas fushave që ju i përkitni. Një vëmendje e posaçme është treguar për qytetin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës për shkak edhe të madhësisë gjeografike që paraqesin. Tirana ka pasur 5 monitorues, Durrësi 2, Elbasani 2, Shkodra 2, po ashtu është treguar vëmendje e posaçme edhe për Jugun e Shqipërisë e sidomos për qytetin e Gjirokastrës, Korçës e Sarandës. Një mos-sukses ka qenë mospërmbushja brenda afateve të vendosura paraprakisht për të gjetur dy monitorues vendorë në Përmet e Tepelenë, por edhe kur u gjetën ata nuk arritën të plotësonin kërkesat tona për monitorimin për arsye objektive. Gjithsesi edhe këto dy qytete do të përfshihen në statistikat tona për të qenë më të ndershme dhe më reale.

 

Një ndihmesë të madhe kemi pasur nga një zonjë e mbuluar muslimane me shkollë të lartë dhe me studime post-diplomike të fushës juridike (* për shkak se nuk i kemi marrë leje nuk po ia përmendim emrin, po ashtu edhe emrat e monitoruesve do të ruhen për shkak të sekretit profesional dhe se ju kemi garantuar që nuk do të bëhen publike pa dijeninë e tyre), e cila së bashku me bashkëshortin e saj e kanë kthyer në motivin kryesor të jetës së tyre qytetarizimin e Mbulesës Muslimane në shoqërinë shqiptare.