ISLAMOKRACIA DHE ISLAMFOBIA SI DËMTUES TË FESË ISLAME NË KOSOVË  

 

Prof. Dr. Milazim KRASNIQI

 

Në Kosovën e pasluftës dhe veçmas në Kosovën e pavarur, (2008 e këndej) feja është bërë tema më e keqkuptuar (për shkak të naivitetit të shumë njerëzve) dhe më e keqinterpretuara, (për shkak të keqdashjes së shumë të tjerëve.) Disa nga debatet më idiote që janë zhvilluar ndonjëherë në këtë vend, kanë pasur të bëjnë veçmas me fenë islame përkatësisht me “rrezikun islamik”, i cili prej injorantëve është shëndërruar në një gogol, me të cilin ata trembin veten e tyre. Këto debate idiote kanë prodhuar “njohës” të çështjeve fetare, që në të vërtetë janë batakçinj, që nuk kanë as formimin elementar fetar e as intelektual, ndërsa kanë marrë përsipër të interpretojnë çështjet fetare dhe të propozojnë, me një lehtësi tipike që buron nga formimi stalinist, masa represive ndaj muslimanëve e masa restriktive ndaj fesë islame, në një vend ku është në funksion e në zhvillim të sforcuar demokracia liberale, ndërsa në censusin e vitit 2012, mbi 95 për qind e popullsisë janë deklaruar muslimanë!

Opinionet e lexuesve që zakonisht shoqërojnë me shumicë këso debatesh e tekstesh dhe që sipas gjasash janë të dirigjuara nga qendra të caktuara, përbëhen nga fyerjet më barbare ndaj fesë islame e ndaj ndjenjave të besimtarëve muslimanë. Egërsi të tillë të fyerjeve nuk bën vaki të hasen për asnjë fushë tjetër të debatit, që do të thotë se islamofobia është në tensione të larta në këtë vend dhe që ajo sponsorizohet nga qarqe të ndryshme. Nuk dihet saktësisht, se : a janë po ato qendra, që e sforcojnë demokracinë liberale, apo janë ato që janë kundër saj.

Por basti më shumë bie në të parat, pra që sponsorizuesit e demokracisë liberale janë porositësit/urdhërdhënësit e restriktsoneve ndaj lirive fetare. Kjo gjë paraqet një absurd të llojit të vet, sepse të stimulosh demokracinë liberale dhe në të njëjtën kohë të cënosh të drejtat elementare fetare të shumicës absolute të popullsisë, është një situatë shumë absurde dhe që në instancë të fundit e kërcënon edhe vetë demokracinë.

 

Kosova si shtet fetar- ordodoks!

 

Askush nuk e di saktësisht, se si shpërtheu gjithë kjo islamofobi në Kosovë, veçmas pas pavarësimit të vendit, kur shpresohej se të gjithë banorët e tij do të gjenin mirëkuptimin dhe paqen e nevojshme, pas vuajtjeve të jashtëzakonshme nën pushtimin serbomadh. Por ai mirëkuptim dhe ajo paqe, nuk janë arritur ende, dhe as që shihen kund në horizont, as në rrethanat e avancimit të demokracisë liberale.

Shpërthimi i islamofobisë menjëherë pas pavarësimit të vendit, ishte si shpërthimi i një abscesi, që ka mbledhur qelb për një kohë të gjatë, dhe që ka akumuluar një virulencë të lartë. Ka disa supozime lidhur me shkaqet që sollën këtë virulencë, e të cilat e kanë brenda vetes farën e rezonit logjik. E para, ka të bëjë me bisedimet e Vjenës, dhe me mënyrën se si u dizajnua shteti i ri nga akterët ndërkombëtarë, të cilët duke e propozuar që Kosova të bëhej e pavarur, e futën brenda një mbikëqyrjeje afatgjatë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile në të njëjtën kohë! Pra, formuan një farë kreature kuazi shtetërore, e cila më parë do të mund të quhej Ahtisaristan, se sa Kosovë.

Në bisedimet e Vjenës përkatësisht me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, Ahtisaristani (Kosova) u konceptua si shtet fetar, me fenë ortodokse serbe si fe shtetërore, ose më saktë, me Kishën Ortodokse Serbe, si shtet brenda shtetit. Krijimi i zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve serbe, dhënia e lehtësirave doganore për këtë Kishë, dhe një numër i madh i koncesioneve të bëra nga shteti i ri, e ka bërë Kishën Ortodokse Serbe, që të jetë tërësisht jashtë jurisdiksionit të Kosovës. Në këto koncesione bie edhe lejimi i mësimbesimit në shkollat në gjuhën serbe, përderisa është në fuqi ndalimi i mësimbesimit në shkollat në gjuhën shqipe!

Për të evituar çfarëdo kërkese të Bashkësisë Islame të Kosovës për një status më të avancuar në kuadër të shtetit të ri, dhe për më shumë liri e të drejta të muslimanëve në këtë shtet, është orkestruar presioni mbi muslimanët, që të minimizohen kërkesat e tyre, dhe bile që të mos realizohen as kërkesat minimale. Kështu, nga presioni i madh dhe permanent, është dashur të harrohej statusi i privilegjuar i Kishës Ortodokse Serbe dhe i bashkësisë ortodokse në Kosovë, gjë që tashmë edhe ka ndodhur. Kisha që thërret besimtarët e vet për hakmarrje (parulla e famshme “Osvetiti Kosovo!”) bën çfarë të dojë, madje u uzurpon edhe pronat fshatarëve, por as shteti, e as qytetarët, nuk guxojnë të bëjnë as edhe një deklaratë tamam.

Nga ana tjetër, edhe Kisha Katolike i ka realizuar disa favore për veten e saj, gjë që po ashtu është parë si diçka “e vetëkuptueshme” në një shtet kukull, ku nuk vendos vullneti i shumicës së popullsisë. Mirëpo nuk duhet të shmanget nga vëmendja fakti, që edhe Kisha Katolike administrohet direkt nga një shtet tjetër, nga Vatikani, prandaj as ajo nuk varet nga humori i institucioneve shtetërore të Kosovës.

Meqë katolicizmi nga ana e kuaziintelektalëve islamofobë është patentuar si “tharmi i shqiptarizmit”, kjo ka bërë që kjo kishë të marrë një farë statusi të privilegjuar edhe në sytë e institucioneve të shtetit të ri, gjë që e dëshmon më së miri ndërtimi i katedrales në qendër të Prishtinës, dhe uzurpimi prej saj edhe i një pjese të territorit, bile pa ua varur fare vendimeve të komunës së Prishtinës. Pra, realisht vetëm Bashkësia Islame e Kosovës dhe fatet e muslimanëve varen nga ligjet e shtetit të ri, prandaj ndaj tyre edhe janë u aplikuar masat restriktive të këtij shteti, i cili vetë është i mbikëqyrur nga të tjerët!