Opinion

Dorina Lamaj, Avokate

 

Bota nuk duhet të heshti për Palestinën.

 

Pyetja që duhet kthyer në pasqyrë!

Kohët e fundit, sa herë që postoj në lidhje me gjenocidin që po e shohim çdo ditë në kohë reale, shpesh më drejtohet pyetja, çfarë të përbashkët kemi ne shqiptarët me Palestinën?

Pyetje, ndoshta e thënë me mendje të lirë, ndoshta me dozë cinizmi, ndoshta për të arsyetuar indiferencën..,

Por si Avokate dhe si qytetare shqiptare, kjo pyetje më vjen si një thirrje për të reflektuar thellë, jo vetëm për një konflikt gjeopolitik ndonëse të largët, por për vetë mënyrën se si ne e kuptojmë drejtësinë, solidaritetin dhe historinë tonë.

Kjo pyetje, në thelb, nuk është thjesht mungesë informacioni. Është simptomë e një rreziku më të madh, dehumanizimit të viktimës dhe normalizimit të dhunës, për sa kohë ajo ndodh larg syve tanë dhe nuk prek drejtpërdrejt interesat tona të përditshme.

Por nëse ndalemi dhe reflektojmë me ndershmëri historike, me integritet juridik dhe me ndërgjegje njerëzore, përgjigjja është e qartë, Ne kemi shumëçka të përbashkët me popullin palestinez.

Shqipëria dhe Palestina nuk janë vende që ndajnë kufij, por ndajnë kujtesë.

Kujtesën e mohimit, të përjashtimit, të mbijetesës. Shqiptarët janë një popull që e ka jetuar në lëkurë ndarjen e padrejtë të territoreve, përpjekjet për shuarje të identitetit dhe heshtjen e dhimbshme ndërkombëtare në çaste vendimtare. A nuk janë këto pikërisht përvoja që përditë po përjeton populli palestinez?

Shqiptarët dhe palestinezët janë dy popuj që kanë përjetuar pushtime, përjashtime, mohime identiteti dhe padrejtësi ndërkombëtare. Ne kemi përjetuar ndarjen e padrejtë të trojeve, spastrimin etnik, mohim të vetëvendosjes, dhe heshtjen e dhimbshme të “botës së qytetëruar”.

Ne e dimë shumë mirë çfarë do të thotë kur vendimet për fatin e një kombi merren në tryezat e fuqive të mëdha, duke anashkaluar popullin që prek realisht ajo politikë.

Nga ana tjetër, Palestina është sot simboli i një të drejte të mohuar dhe i një padrejtësie të institucionalizuar. Prej më shumë se 75 vjetësh, ky popull jeton nën pushtimin më të dhunshëm, nën rrethim dhe izolim, në shkelje të çdo norme të së drejtës ndërkombëtare dhe çdo parimi humanitar.

Janë shkelur Konventa e Gjenevës, e drejta për vetëvendosje, e drejta për kthim, dhe më e rënda e drejta për ekzistencë. Dhe e gjithë kjo shpesh në emër të “sigurisë”, “vetëmbrojtjes” dhe heshtjes perëndimore.

Palestinezët nuk janë popull pa histori, ata janë popull pa të drejtë. Dhe kur një popull nuk ka të drejtë, atëherë drejtësia nuk është më universale.

Në këtë kuptim, çështja palestineze nuk është vetëm arabe, islame apo gjeopolitike është pasqyrë për vlerat dhe standardet që “shoqëritë e civilizuara” pretendojnë se mbrojnë.

Shqiptarët, si popull që kemi njohur pushtimin, përbuzjen, mohimin dhe shpërbërjen kombëtare, kemi detyrimin moral të mos qëndrojmë indiferentë. Ne nuk mund të jemi spektatorë përballë padrejtësisë, vetëm sepse ndodh në një cep tjetër të botës. Përkundrazi, duhet ta kuptojmë se heshtja përballë dhunës është një formë e re e bashkëpunimit me të.

Për ata që pyesin ende “çfarë na lidh ne me Palestinën”, përgjigjja është e qartë. Kemi të përbashkët kujtesën e dhimbjes dhe dëshirën për liri. Kemi të përbashkët betejën për dinjitet dhe të drejtën për të qenë vetvetja në tokën tonë. Dhe mbi të gjitha, kemi të përbashkët detyrën për të mos harruar se drejtësia nuk vlen vetëm për ata që kanë aleatë të fuqishëm, por duhet të jetë zë për më të pambrojturit.

Në fund të fundit, nuk është pyetja që ka rëndësi, por qëndrimi që zgjedhim të mbajmë kur padrejtësia ndodh në dritën e ditës. Dhe është pikërisht qëndrimi që përcakton jo vetëm se kush jemi, por çfarë shoqërie po ndërtojmë.

Por përtej ngjashmërive historike, ka edhe një realitet tjetër që nuk mund të anashkalohet.

Realiteti fetar, një tjetër e vërtetë që rrallë thuhet me zë.

Nuk është populli palestinez ai që ka shkelur parimet e bashkëjetesës fetare, nuk janë myslimanët ata që në epokën moderne kanë nisur fushata kolonizuese, luftëra për burime apo pushtime ideologjike me çmime katastrofike për popujt autoktonë. Historia e dy shekujve të fundit flet qartë. Janë pikërisht fuqitë perëndimore ato që kanë kolonizuar, copëtuar, shfrytëzuar dhe kthyer territore të tëra në teatro të përhershëm lufte, shpesh duke përdorur ideologji fetare si mbulesë të agjendave politike.

Nga Algjeria në Irak, nga India në Amerikën Latine, nga Afrika deri në Lindjen e Mesme, kolonializmi modern nuk ka pasur për autor myslimanët, por perandoritë perëndimore, që në emër të “civilizimit” dhe “modernitetit” kanë përdorur edhe fenë si mjet kontrolli dhe përçarjeje.

Palestina është shembulli më i gjallë i këtij standardi të dyfishtë. Një popull i tërë mbahet nën pushtim për dekada, shkelet e drejta ndërkombëtare, ndërtohen koloni të paligjshme, kryhen masakra dhe shkatërrohen qytete të tëra, ndërsa bota “demokratike” hesht “në rastin më të mirë” ose justifikon “në rastin më të keq”. Dhe kur zëri i së drejtës ngrihet nga bota myslimane, shpesh etiketohen si “radikalë”, “fanatikë” apo “të pabesueshëm”.

Si avokate, më shqetëson heshtja e drejtësisë ndërkombëtare, mospërfillja e normave të Konventës së Gjenevës, mohimi i së drejtës për rezistencë, dhe kriminalizimi i vetë të drejtës për të jetuar me dinjitet. Si shqiptare, nuk mund të mos ndjej afërsi me një popull që kërkon të mbijetojë, të jetojë i lirë dhe të mos zëvendësohet me të ardhur të armatosur.

Nuk mund të quhesh “i qytetëruar” për sa kohë hesht përballë padrejtësisë. Nuk mund të jesh “neutral” përballë pushtimit dhe shfarosjes. Dhe nuk mund të jesh i ndershëm me veten, për sa kohë i mohon një populli tjetër atë që ti vetë do të mbroje me çdo kusht për vendin tënd.

Palestina nuk është çështje vetëm arabe, myslimane apo rajonale. Palestina është çështje e ndërgjegjes njerëzore dhe e legjitimitetit të së drejtës ndërkombëtare.

Për këtë arsye, çdo shqiptar që beson në drejtësi, në të drejtën e popujve për të jetuar të lirë, në paqe dhe në dinjitet, nuk mund të qëndrojë as indiferent, as i heshtur.

Sepse e drejta për liri dhe dinjitet nuk negociohet.