Roald A. HYSA*
Fenomeni i Islamofobisë është një fenomen që u bë më i ndjeshëm në nivel global pas ngjarjeve të 11 shtatorit në SHBA dhe u shfaq në forma të ndryshme në vendet e ndryshme të Perëndimit. Shumë përkufizime janë dhënë për këtë fenomen ku e mbizotëron mu ai mospëlqim i thellë ndaj Islamit dhe Muslimanëve i Perëndimit dhe i ngjarjeve pasuese të 11 shtatorit, të cilët ngjallën jo thjesht një mospëlqim apo frikë. Në anglishten britanike ky përkufizim zgjerohet edhe më tej me termat e urrejtjes dhe frikës ndaj të gjithë kulturës apo politikës muslimane që vjen nga Lindja. Pra 11 shtatori mund të merret edhe si shkëndija që e ndezi flakën e përplasjes së qytetërimeve të mëdha të vendosura në Lindje dhe në Perëndim e paralajmëruar më heret nga S. Huntingtoni në librin e tij bestseller të mirënjohur globalisht.
Ajo çka e popullarizoi globalisht këtë term dhe ngjarjet pasuese ishte medializimi i tij dhe rrjetet e para sociale me grupet e e-mailave dhe jo vetëm pasja e një emaili në dispozicion, por sinjali i internetit dhe më pas telefonia celulare me smartfonat, zhvillime të cilat i kanë bërë më të ndjeshme dhe më të prekshme ngjarjet në kohë reale.
Sipas hartuesve të raportit mbi Islamofobinë në Evropë Ferid Hafiz dhe Enes Bajrakllë: “Islamofobia vepron duke ndërtuar një identitet statik musliman, të cilit i atribuohen në terma negative dhe të përgjithshëm për të gjithë Muslimanët. Në të njëjtën kohë pamjet islamofobike janë fluide dhe variojnë sipas konteksteve të ndryshme, për shkak se Islamofobia na tregon neve më shumë përreth Islamofobit, se sa na tregon neve përreth Islamit apo Muslimanit. Me këtë përkufizim pune ne fokusohemi në strukturat pushtetare dhe me këtë në margjinalizimin dhe padrejtësistë që burojnë nga strukturat pushtetare. Kur ne regjistrojmë dhe shkruajmë përreth Islamofobisë ose racizmit anti-musliman në këtë raport është për të problematizuar strukturat dehahumanizuese dhe përjashtuese, që manifestohen në mënyrat që ne e konceptojnë botën dhe vendin e Muslimanëve dhe të Islamit aty sot, po ashtu edhe veprimet që përfaqësojnë këtë dehumanizim dhe përjashtim.”
Neve na duhet ta kemi parasysh anën irracionale si përbërëse e rëndësishme e këtij termi. Termi islamofobi gjuhësisht është i ndërtuar mbi fobinë dhe frikën irracionale që ngjall Islami, duke mos e njohur atë. Pra, ata që janë islamofobë kanë një frikë irracionale kundrejt Islamit dhe muslimanëve dhe njëkohësisht mundohen vazhdimisht ta përhapin e ta mbjellin këtë fenomen në shoqëritë e tyre përkatëse ku jetojnë. E parë në këtë prizëm Islamofobia dhe aktet e saj në vende të ndryshme presupozon më tepër një vegël, që e ruan shoqërinë e atij vendi nga ndikimet e tjetrit, që në këtë rast është një musliman që jeton brenda kësaj shoqërie dhe kështu që për pasojë atij i duhet të konformohet (muslimanit) brenda kësaj shoqërie të dhënë. Ndërkaq po edhe sipas autorëve të raportit mbi Islamofobinë në Evropë ky fenomen ndryshon edhe sipas vendeve të ndryshme, për arsye dhe shkaqe të ndryshme politike, historike e kulturore. Më herët edhe në raportet tona pararendëse ne e kemi vërejtur dhe e kemi përcjellur si shqetësim të vazhdueshëm, se janë tre elementet thelbësore, ku bazohen shfaqjet dhe mentaliteti islamofobik të terrenin shqiptar: arabofobi, turkofobi dhe një mentalitet laik i ekstremizuar deri në ateizëm (në këtë këndvështrim ka ngjashmëri të theksuara në të gjitha trojet shqiptare kur vijnë në pah përplasjet midis trashëgimisë komuniste, elitave laike me pjesën fetare të popullsisë). Ky i fundit pra ateizmi është më i theksuari në strukturat shtetërore shqiptare në arsim, në rend, në ushtri, ku bëhet edhe më i dukshëm e më i ndjeshëm ky laicizim ekstrem, i cili hyn deri në sferën private të këtyre individëve dhe grupeve të tyre dhe që e imponojnë gjerësisht edhe në strukturat shtetërore të reflektuara edhe në ligje të ndryshme themelore për Shtetin Shqiptar dhe jetën shoqërore. Në një këndvështrim më të ngushtë kjo mund të shihet edhe si një trajtim antifetar i komuniteteve fetare të pranishme në Shqipëri, për shkak të një mentaliteti ateist të trashëguar në administratën publike shtetërore nga e kaluara moniste. Kjo gjë u vërejt edhe në festimet e fundit gjatë muajit dhjetor, ku edhe për efekte komerciale iu dha një hapësirë e madhe kohore dhe vendi festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndërkohë që festimet e Bajrameve rregullisht janë trajtuar asimetrikisht në të kundërt nga pushteti lokal. Kjo u vërejt në Tiranë, Shkodër, Kavajë e gjetkë ku sheshet kryesore u bllokuan në formën e panaireve të shitjeve lokale, ku nuk mungonin urimet përkatëse. Gjithashtu mund të përmendim këtu edhe një peticion të posaçëm, që u ndërmor nga një zonjë muslimane, ku shprehej pakënaqësia ndaj këtij trajtimi asimetrik ndaj një komuniteti qytetar, i cili është shumicë në Shqipëri.
Në ndihmë të këtij mentaliteti laik-ateist vendosen edhe mediat e ndryshme që rregullisht importojnë lajme nga agjencitë e huaja, duke i vendosur në kontekstin shqiptar me një përdorim termash anti-islam. Kjo gjë e ka ndihmuar rregullisht me ulje-ngritjet e veta fjalorin fyes dhe hate speech në rrjetet sociale, gjë e cila përbën një fenomen më vete për t’u studiuar dhe për të parandaluar acarimin e mëtejshëm të këtij fenomeni.
Pra përveç të huajit apo tjetrit, i cili në kontekstin e sotëm historik dhe me hapjen e kufijve, ku kemi një lëvizje të jashtëzakonshme njerëzish e mallrash, idesh etj., nuk mbetet gjë tjetër veçse t’ia atribuosh këtë frikë “irracionale” mosnjohjes së fesë dhe qëndrimit antiklerikal që vjen si pasojë e këtij mentaliteti ekstrem të laicizmit me doza të thella ateiste të trashëguara nga e kaluara moniste. * autori i shkrimit është redaktori përgjegjës i raporteve mbi Islamofobinë në Shqipëri nga viti 2016.