Islamofobi në rritje në vendet e Bashkimit Evropian
Roald A. HYSA
Rritja e nivelit të Islamofobisë në të gjitha rrjetet sociale, portalet apo edhe agjencitë e ndryshme, të cilat së fundmi kanë përcjellur lajmet mbi djegien e Kuranit Fisnik në Suedi e Danimarkë i ka tejkaluar nivelet e zakonshmërisë mediatike. Megjithëse Danimarka dhe Suedia kanë deklaruar, se e dënojnë djegien e librit të shenjtë të fesë islame, por nga ana tjetër ata nuk munden ta parandalojnë atë sipas rregullave që mbrojnë lirinë e shprehjes në këto vende. Demonstrata në Kopenhagen, nga një grup i ashtuquajtur “Patriotët danezë”, pasoi me djegien e Kuranit para ambasadës irakiane nga ky grupim dhe dy incidente të tilla gjithashtu janë regjistruar në Suedi gjatë muajit të fundit. Një shtetas suedez me origjinë irakiane Salwan Momika është vënë në epiqendrën e vëmendjes mediatike me veprimet e tij dhe rregullisht është mbrojtur nga policia suedeze nën “justifikimin” e mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Cecilie Saav nënë e dy fëmijëve ju turr irakenit me fikëse zjarri për ta shpëtuar Kuranin. Suedezët e thjeshtë nuk jane dakord me djegien e Kuranit dhe unë as që e çaj kokën pse mund të më dënojnë për këtë, ka thënë ajo. Pas reagimeve të shumta policia suedeze tha, se është ngritur kallëzim ndaj Momikas, i cili ka kryer aktin e djegies së Kuranit, për veprën penale të “provokimit të popullit”.
Shkollari amerikan Orlando Paterson vëren: “Nëse me lidhjen ‘pronësi-pronë’ ne nënkuptojmë më shumë të drejta të kufizuara për kontrollin dhe përdorimin e tyre, atëherë edhe në demokracitë liberale moderne populli e zotërojnë njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme gjatë gjithë kohës, për shkak të marrëdhënieve dhe të drejtave që kanë ata, me dhe për njëri-tjetrin.”
Mirëpo këtë lloj eskalimi e shohim të pavend në një kohë kur brenda Danimarkës, Suedisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera evropiane gjenden komunitete të gjera muslimane, dhe e shohim si një tendencë të dëmshme që sjell rritjen e islamofobisë në jetën e përditshme dhe rrjetet sociale. E drejta e fesë është një e drejtë themelore universale e njeriut dhe ne të gjithë duhet të përpiqemi për garantimin e ushtrimit të kësaj të drejte dhe jo të ndezim urrejtjen duke djegur Librat e Shenjtë të kujtdo feje qofshin ata, Kuranin apo Biblën. Shumë vende muslimane kanë reaguar ashpërsisht ndaj këtyre veprimeve, ku në krye të tyre është vendosur Turqia me të gjithë arsenalin e saj diplomatik. OKB-ja, BE-ja dhe shumë organizma të mirënjohura ndërkombëtare i kanë dënuar këto veprime. Gjithsesi presim me shumë shpresë një përmirësim të ndjeshëm për problemet e Islamofobisë, e cila për konvencion njihet si e tillë në fjalorin tonë, sepse në shumë raste në vendin tonë ky realitet është më tepër armiqësor ndaj identitetit tonë musliman nga pjesa laike e shoqërisë.