Cili është objekti i konfliktit Izrael-Palestinë?
Një udhërrëfyes i thjeshtë
Ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shpërngulur miliona të tjerë. E ardhmja e tij gjendet në të shkuarën e tij. Ne po e zbërthejmë atë.
Nga stafi i Al Jazeera-s
Konflikti izraelo-palestinez, i cili ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra jetëve dhe shpërnguljen e shumë milionë njerëzve, i ka rrënjët në një akt kolonialist të ndërmarrë më shumë se një shekull më parë.
Për dekada me radhë, mediat perëndimore, akademikët, ekspertët ushtarakë dhe liderët botërorë e kanë përshkruar konfliktin Izrael-Palestinë si të vështirë, të ndërlikuar dhe pa rrugëdalje.
Ky është një udhërrëfyes i thjeshtë për të zbërthyer një nga konfliktet botërore më jetë-gjatë:
Çfarë është deklarata e Balfour-it?
- Më shumë se 100 vite më parë, më 2 Nëntor 1917, sekretari i jashtëm britanik i atëhershëm Arthur Balfour i drejtoi një letër Lionel Walter Rothschild-it, një figurë e rëndësishme e bashkësisë hebraike britanike.
- Letra ishte e shkurtër – vetëm 67 fjalë – por përmbajtja e saj pati një efekt sizmik për Palestinën, i cili ndjehet edhe sot.
- Në të qeveria britanike angazhohej për “themelimin në Palestinë të një vatre kombëtare për popullin hebre” dhe dhënien e ndihmës për “arritjen e këtij objektivi”. Kjo letër njihet si Deklarata e Balfour-it.
- Në thelb, një fuqi europiane i premtoi lëvizjes sioniste një shtet, në një vend ku arabët palestinezë autoktonë përbënin më shumë se 90% të popullsisë.
- Në vitin 1923 u krijua Mandati Britanik, i cili zgjati deri në vitin 1948. Gjatë kësaj periudhe, britanikët dhanë ndihmesë për emigrimin në masë të hebrenjve, shumë prej të cilëve po i largoheshin nazizmit në Europë, si dhe u përballën me protesta dhe greva nga ana e palestinezëve që po alarmoheshin nga ndryshimi demografik dhe konfiskimet e tokave të tyre prej britanikëve për t’ua dhënë kolonëve hebrenj.
Çfarë ndodhi gjatë viteve 30-të?
- Tensionet në rritje çuan në Revoltën Arabe, e cila zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1939.
- Në prill të vitit 1936, Komiteti Kombëtar Arab i sapoformuar i bëri thirrje palestinezëve të hidheshin në një grevë të përgjithshme, të ndalnin pagesën e taksave dhe të bojkotonin produktet hebraike, në formë proteste ndaj kolonializmit britanik dhe emigrimit në rritje të hebrenjve.
- Greva 6-mujore u shtyp egërsisht nga britanikët, te cilët nisën një fushatë arrestimesh në masë dhe kryen shkatërrime shtëpish në formë ndëshkimi, një praktikë që Izraeli vazhdon ta zbatojë edhe sot kundër palestinezëve.
- Faza e dytë e revoltës filloi në fund të vitit 1937, e udhëhequr nga lëvizja për rezistencë e fshatarëve palestinezë, e cila synonte të godiste forcat britanike dhe kolonializmin.
- Nga gjysma e dytë e vitit 1939, Britania kishte grumbulluar 30 mijë trupa në Palestinë. Bombardimet e fshatrave nga qielli, shtetrrethimet, shkatërrimet e shtëpive, arrestimet dhe pushkatimet kolektive u përhapën në masë.
- Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me komunitet e kolonëve hebrenj, britanikët formuan grupe të armatosura dhe një formacion me luftëtarë hebrenj për të shypur kryengritjen, të emërtuar Skuadrat Speciale të Natës.
- Brenda Yishuv-it, territorit të bashkësisë së kolonëve përpara shtet-formimit, filluan të importohen në mënyrë sekrete armë dhe të krijohen fabrika prodhimi armatimesh për të zgjeruar Hagana-n, formacionin para-ushtarak hebre që më vonë do të përbënte bërthamën e ushtrisë izraelite.
- Gjatë atyre tre viteve revoltë u vranë 5,000 palestinezë, u plagosën 15,000 – 20,000 të tjerë dhe u burgosën 5,600 vetë.
Përgatiti Gerd Demneri