Elhamdulilah që jemi muslimanë!
Imam Muhamed B. Sytari
“Qytetërim” që ngre zhvillimin e tij mbi jetën e shenjtë të vëllaut të tij njeri, është degradim i shëmtuar i racës njerëzore!
Më ka tërhequr përherë lëvizja në korridoret e tranzitit në aeroporte të ndryshme të botës, sidomos për një arsye madhore që lidhet me ajetin kuranor: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më fisniku ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga tëkëqijat) e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” – (Kura’ni, El-Huxhurat: 13)
Është vërtetë një pamje mahnitëse! Njerëz pa fund, raca, fé, simbole etnike, veshje fetare, kultura në ushqim e pije, meshkuj, femra, fetarë, afetarë, të bardhë, të verdhë, pleq, plaka, me bastun, me karrocë dhe shoqërues, të qeshur, të vërenjtur, njerëz të bukur, por edhe jo të tillë, pasanikë, por edhe të varfër, grupe të ndryshme; rinore, partiake, sportive, fetare, kulturore.
Ka edhe personazhe VIP, sikurse ka edhe shumë prej atyre, për të cilët ky term nuk përbën asnjë kuptim e domethënie, sepse në të vërtetë, ata janë realisht VIP në realitetet përkatëse, në përkushtimin ndaj familjes, fëmijëve, punës, heshtjes, lodhjes, sakrificës, duart me kallo, flokët e djegur nga dielli, sytë e lodhur e mendimet e turbulluara nga tymnaja e vështirësive të jetës…
Teksa i sheh krejt këta njerëz, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të panjohur në mes vete, kupton sesa madhështore janë thirrjet e shenjta kur’anore dhe ato në hadithe, që e nxisin njeriun të ndërtojë ura bashkëpunimi, të punojë për dominimin e paqes në shoqëri, të angazhohet për përhapjen e dijes, të vrapojë drejt përsosmërisë në jetë, të sakrifikojë në rrugën e përtëritjes së shumë interpretimeve të gabuara të teksteve fetare etj.
E, mbi të gjitha, teksa i sheh në lëvizjen e tyre, nuk ka sesi të mos kujtohesh se, rreth 15 shekuj më parë, Hz. Muhammedi (a.s) lutej duke iu drejtuar Zotit të gjithësisë me këto fjalë: “Allahume, o Zoti ynë dhe Zoti i gjithçkaje! Unë jam dëshmitar se Ti je Zoti, i Vetëm dhe i Pashoq… Dhe se, robët e Tu janë vëllezër!” – (Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ebu Jala, Bejhekiu etj.)
Pastaj, kur kthen kokën pas dhe sheh krimet e panumërta që kryhen sot në botë ndaj NJERIUT, si krijesa më e çmuar e Zotit, nga vetë raca njerëzore, kupton se sa të shkurtër e ka jetën cilido “qytetërim” që ngre lart zhvillimin e tij mbi jetën e shenjtë të vëllaut të tij njeri!
Sa i padenjë për të drejtuar botën dhe i sëmurë që është! Është i pabesë, i pandershëm, i djallëzuar, i varfër! Mbi të gjitha nuk ka shpirt!
Ky është “qytetërim” dekadent, i padenjë për të drejtuar njerëzimin drejt vlerave të paqes, bashkëpunimit e ndërtimit dorë për dorë, shërimit të lëngatave sociale, pastrimit të tokës nga helmet e akumuluara si pasojë e injorancës, afetarizmit, egoizmit dhe smirës ndaj të mirës, të bukurës, paqtueses…
Lëvizja në korridoret e tranzitit është lëvizje frymëzuese, që të fton përherë e më shumë për ta dëshmuar madhështinë e Allahut në krijimin e Tij, sikurse të bën të mendosh se, në këtë botë miliardash si soji yt, ti je një individ, që mbi të gjitha ke në dorë të jesh fisnik a jo..!
Elhamdulilah që jemi muslimanë!
Lexime: 131