Deklaratë për shtyp

Forumi Musliman i Shqipërisë denoncon dhunën cioniste ne Rripin e Gazës
31 – dhjetor – 2008
Forumi Musliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e ditëve të fundit në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite ne cilësinë e okupatorit të tokave palestineze po bombardon pa mëshirë, në kundërshtim me të gjitha kartat e rezolutat e OKB–së dhe konventat e të drejtave të njeriut si dhe me ligjin ndërkombëtar të luftës, vendbanime civile, shkolla e universitete, seli qeveritare dhe ente publike te Rripit të Gazës.

Numri përditë e në rritje i viktimave civile si pasojë e bombardimeve na kujton epokën e hidhur të luftës së 1967-tës kur ekspansioni i shtetit izraelit ndaj tokave palestineze shënoi krime të ngjashme me ato që po zhvillohen edhe sot.

Forumi Musliman i Shqipërisë denoncon fuqimisht aktet e dhunës cioniste manifestuar me sulmet ajrore mbi popullsinë civile, si pararendëse të një prapavije të errët e cila synon cungimin dhe shkatërrimin e shtetit të Palestinës.

FMSH, ndanë në të njëjtën kohë dhimbjen e tij me popullatën e masakruar të Rripit të Gazës duke i qëndruar asaj pranë shpirtërisht e moralisht, duke u solidarizuar me përpjekjet e tyre titanike për rezistencë ndaj pushtimit 60 vjeçar, dhe në të njëjtën kohë duke shprehur dhimbjen e tij për të lënduarit dhe të vrarët.

FMSH i bën thirrje faktorit politik ndërkombëtar si dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që në respekt të kuadrit rregullator ndërkombëtar që ato vetë kanë ngritur dhe aprovuar, të ndërhyjnë fuqimisht dhe sa më parë për të ndaluar masakrat e mëtejshme me pasoja të paimagjinueshme mbi popullsinë civile. FMSH i apelon organizmave në fjalë që të parandalojnë masakrën në Gaza, e cila mund të këtë pasojë të rënda për marrëdhëniet gjeopolitike ndërkombëtare.
FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
TIRANË

_______________________________________________________

Njoftim për editorët:

Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilës është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë.

Te drejtat e rezervuara. Forumi Musliman i Shqipërisë