FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

Deklaratë për Shtyp/ ARKIV

26/10/2005

Forumi Musliman i Shqipërisë është njohur nëpërmjet mediave dhe dokumentave të ndryshëm, mbi një projekt që Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë, kërkon të realizojë në Shkodër, për të restauruar Xhaminë e ‘Sulltan Fatihut’ në Kalanë e Rozafës, me pretendimin se dikur ajo ka qënë kishë ortodokse serbe e ashtuquajtur Kisha e Shën Stefanit. Për këtë projekt Instituti i Monumenteve të Kulturës ka aplikuar për fonde pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Në lidhje me këtë fakt, ka reaguar Myftinia e Shkodrës e cila ka kërkuar pezullimin e këtij projekti tendencioz që e sheh xhaminë e sipërpërmendur si një kishë serbe dhe venedikase. Ky projekt rrezikon të krijojë konflikte midis komuniteteve fetare në qytetin verior. Pas kësaj, ka patur një takim ndërmjet ambasadores së SHBA-ve dhe Myftinisë Shkodër, ku ambasadorja Marsi Ries duke kuptuar ndjenjat e besimtarëve muslimanë, ka premtuar rishikimin e këtij sponsorizimi.

Forumi Musliman i Shqipërisë, përshëndet këtë qëndrim të ambasadores, dhe mirëkuptimin që ajo ka treguar për ndjesitë dhe shqetësimin e besimtarëve muslimanë, duke treguar me këtë rast një shembull të lartë maturie dhe respekti ndërfetar.

Forumi Musliman i Shqipërisë i apelon ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, organizmave të tjerë të ndërvarur nga ajo, si dhe institucioneve të tjera të interesuara për ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, siç janë përfaqësia e UNESCO-s, UNDP-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve etj që të tregojnë më shumë interes dhe preokupim për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë islame në vendin tonë. Ndërsa në Shqipërinë e viteve të fundit, një numër shumë i madh kishash dhe objektesh bizantine, aromune dhe greke janë restauruar, për ruajtjen e objekteve shqiptaro – islame është bërë shumë pak. Kështu sot në Shqipëri, objekte të rëndësishme të kulturës shqiptare, si Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, Xhamia Sulltan në Elbasan, Xhamia e Plumbit në Shkodër etj janë lënë në një gjendje të mjerueshme. Organizatat që merren me restaurimin e objekteve kulturore në Shqipëri, shpesh duket sikur harrojnë trashëgiminë pesëqind vjeçare të Shqipërisë, e cila përfaqësohet nga shumica e popullit shqiptar. Është për të ardhur keq që ndërsa epokës përpara osmane i kushtohet shumë vëmendje, ndaj të fundit ka një sjellje thuajse mohuese.

Për sa më sipër Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje organizmave të sipërpërmendura që të tregojnë më shumë vëmendje në iniciativat e tyre, për të shmangur shqetësimin që mund të shkaktojë në shumë njerëz dhe komunitete, aktet e njëanëshme.