Letër

Forumi Musliman i Shqipërisë përgëzon Presidentin Obama
11 – nentor – 2008
Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me interes zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe fitoren në këto zgjedhje të Senatorit Barak  Obama. Me kete rast ky forum i percjell Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzime te sinqerta.

Forumi uron ambasadorin dhe të gjithë shtetasit amerikanë për këtë fitore historike. Zgjedhja e senatorit afro-amerikan Barak  Obama si presidenti i 44t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një arritje e madhe simbolike për historinë e atij vendi dhe të mbarë njerëzimit.

Duke qenë se komuniteti i njerëzve nga z. Obama rrjedh, në një të kaluar jo të largët ka vuajtur të njëjtat persekutime dhe përbuzje me të cilat sot muslimanët përballen në Shqipëri dhe botë, Forumi shpreson që presidenti Obama do të dije sesi luftën kundër shtypjes, diskriminimit fetar dhe racor, ta kthejë në axhendë globale të politikës së ardhshme të SHBA-ve.

Forumi Musliman i Shqipërisë shpreson që nën administratën  Obama, Qeveria Amerikane do të mbështesë edhe më tej çështjen shqiptare në Ballkan, pavarësinë e Kosovës, dhe në veçanti do të mobilizohet që të ndikojë më të gjithë forcën e saj që ti jepet fund diskriminimit me të cilin muslimanët përballen në botë, por edhe në Ballkan. Në rastin e Shqipërisë, Forumi Musliman shpreson që qeveria e z. Obama do të ndikojë fuqishëm që në vendin tonë, gratë muslimane me shami të mos përjashtohen nga sistemi dhe të mos diskriminohen për arsye të besimit. Në të njëjtën kohë Forumi shpreson që Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Qeveria Amerikane do të ndikojnë fuqishëm ndaj politikës së Tiranës që të lejojë që muslimanët shqiptarë të kenë të drejtë të ndërtojnë një xhami  në qender te  kryeqytetit te tyre, ashtu siç e kane edhe komunitetet kristjane të vendit tonë.

Forumi Musliman i Shqipërisë shpreson edhe që nën presidencën e z. Obama, qeveria amerikane do të punojë me të gjithë forcën e saj që të rregulloje  imazhin e Amerikës nëpër botë, duke korigjuar kështu dëmet që i janë shkaktuar ketij imazhi si pasojë e gabimeve të bëra në pushtimin e Afganistanit dhe Irakut. Gjithashtu mbetemi me  shpresë që aksioni i Presidentit Obama për realizimin e paqes në Lindjen e Mesme me zgjidhjen e drejtë të Çështjes Palestineze  do të jetë efektiv.

Forumi Musliman i Shqipërisë duke përshëndetur zgjedhjen e senatorit Barak Obama si president të SHBA-ve shpreson që Amerika do të rikthehet në mendjen e të gjithë njerëzve të botës si vendi i paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ashtu si shqiptarët e kanë parë atë gjatë periudhes  së Luftës së Ftohtë.
FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
TIRANË

______________________________________________________

Njoftim për editorët:

Forumi Musliman i Shqipërisë është një organizatë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilës është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë.

Te drejtat e rezervuara. Forumi Musliman i Shqipërisë