Në orët e para të ditës së sotme (30/03/2020) ndërron jetë dhe largohet për në amshim miku dhe veprimtari i shquar shkodran Hadi Sabri Bushati nga familja e mirënjohur e Bushatllinjve të Shkodrës. Hadi Bushati lindi më 12 Janar 1942 në Shkodër, në një familje me tradita qytetare dhe pari e këtij qyteti. Ai është i biri i Hafiz Sabri efendi Bushatit, i cili ka qenë personalitet i njohur, si në fushën e besimit po ashtu dhe ka qenë senator i parlamentit të parë shqiptar i dalë nga Kongresi i Lushnjes 1920 dhe në  vitin 1924 përkohësisht ka qenë Myfti i Shkodrës, duke zëvendësuar në këtë post Hafiz Xhemal Naipin.

Hadiu e mbaron shkollën e mesme “28 Nëntori” në vitin 1957. Më pas vazhdon studimet e larta në Institutin Lartë Pedagogjik për Matematikë-Fizikë në Shkodër. Ai shërbeu si mësues në Çorovodë, në qytetin Stalin (sot Kuçovë) e  në Tale të Lezhës. Kryen shërbimit ushtarak duke lënë arsimin për të qenë më pranë familjes, dhe hyn si punonjës në Fabriken e Materialeve të Ndërtimit në Shkodër dhe njëkohësisht vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës në degën e Inxhinierisë Elektrike, ku u diplomua me shumë sukses. Mbas ndryshimeve demokratike fabrika u mbyll dhe ai vetëpunësohet në  biznesin e materialeve të ndërtimit.

Në fushën e aktivizmit social Hadi Bushati ka drejtuar Degën e Shkodrës të Forumit Musliman të Shqipërisë, që prej themelimit të tij në vitin 2005. Nën drejtimin e tij kjo degë ka qenë shumë aktive në mbrojtje të të drejtave të besimtareve dhe denoncimin e shkeljeve në aspektin e lirisë së besimit nga segmente të ndryshme të administratës shtetërore. Vlen për t’u përmendur kundërshtimi i fuqishëm dhe lobimi që bëri Hadi Bushati, së bashku me aktivistë të tjerë shkodranë projektit për tjetërsimin e identitetit të Xhamisë Fatih në Kalanë e Shkodrës, që rezultoi me anulimin e këtij projekti, kundërshtimi i vendosjes së figurave fetare në kartën e identitetit, mbështetja e pa rezerva për Myftininë e Shkodrës, në lidhje me mbrojtjen dhe miradministrimin e pronave vakf etj. Këtë veprimtari krahas biznesit të tij privat e vazhdoi deri para pak viteve. Ishte besimtar i devotshem, korrekt dhe njeri i paqtë gjithmonë në shërbim të familjes dhe të komunitetit. Ai gëzonte dashurinë e respektin e familjarëve dhe të gjithë personave që e kanë njohur. E lusim Zotin e Lartësuar ta ketë mëshiruar dhe pranojë në xhenetet e larta dhe bashkëshortes së tij dhe fëmijëve t’ju japë durim për këtë humbje.

http://hoxhallaret.al/2018/02/19/hafiz-sabri-bushati-1889-1971/