Roald A. HYSA
Çka do me thanë patriot? Ku njifet patrioti?
———————
Herën e parë duhet tê shpjegohet fjala «Patriotizmë», pastaj të shofim a ka pas aso gjaje më Tiranë apo jo.
Në asht se ka pas, prej kujt dhe kur ka shkrep nji rreze këtu, dhe ma në fund të tregojmë se çfarë veprash patriotike kanë mund me ba tiranasit.
Patriotizma asht një fjalë e shenjtë që perfshin shpirtin e gjithë virtuteve njerzore dhe kombëtare. Prandaj ai fatbardhë që cilësohet me fjalën patriot, asht tepër i lavdërueshëm, kudo dhe prej kujtdohit rrëfehet me gisht.
Me fjalë tjera: Patriot quhet ai njeri, që asht i pajuem me të gjithe vetijat e nalta njerzore dhe kombëtare. Pra ai, pak së paku, lypset të jetë: dashamir, këshillues, shërbëtuer dhe prijës i kombit në të mbarët; duhet të punojë me mish e me shpirt për ta nxjerrë kombin prej errsinës së padijes në dritë të ditunisë dhe prej gëthetrës (kthetra, çaponj) së sundimit të huej në lirinë kombëtare. Patrioti duhet të mundohet, me sa t’i vijë për doresh atij, si e si t’ia naltësojë dinjitetin kombit deri në kikël (majë) dhe ta shofi atë si e ka rrok udhën e përparimit për t’ia mbërrijtë lumtunisë së dëshirueme. Atij duhet t’i ndizet gjaku, t’i idhnohet zemra kur të shofi e të ndigjojë, se po i cënohet e po i merret ndërkambë e drejta e kombit të vet. Ai duhet t’i sakrifikojë interesat vetjake, bile të mos e kursejë as gjakun për t’ia mbërrijtë qëllimit të shenjtë për t’ia çue në vend nderin kombit dhe atdheut.
Asht e ditun se patriotët, me gjithë kuptimin e fjalës, janë fort të rrallë në çdo komb, sepse janë të pakët ata që e kryejnë atë detyrë plotësisht. Secili njeri dëshiron që të quhet patriot, sikurse dëshiron që të thirret mentar, trim, bujar, i drejtë e tjera; por asaj dëshire s’ia mbërrin tjetërkush, veçse ata që veprojnë në mënyrën e sipërtregueme.
Fjala e editorit të tekstit:
Siç mund ta lexoni kjo është një shkëputje nga teksti i parathënies të librit “Patriotizma më Tiranë” e rahmetliut Hafiz Ibrahim Dalliut, i cili u nxit nga një patriot tjetër i madh Mit’hat Frashëri të shkruajë këtë libër. Për fatin e keq të këtyre të dyve, megjithëse e deshën Shqipërinë dhe Shqiptarinë në fund të jetës Hafizit të bardhë Ibrahim Dalliu iu desh të provojë burgjet e komunizmit, e po ashtu për shkak se komunistët deshën ta asgjësonin Mit’hat Frashëri emigroi dhe vdiq në dhe të huaj.
Në këtë shkëputje ne lexojmë se si e shihte patriotin apo më mirë të themi, se si e përkufizon patriotin Hafiz Dalliu. Pra një patriot duhet të jetë i pajosur me virtytet më të larta njerëzore e kombëtare, ku duhet të jetë trim, mentar, bujar i drejtë, i sakrificës për atdhe dhe të shohi interesin e përgjithshëm dhe më të lartë.
Hafiz Dalliu të gjithë jetën e tij ia dedikoi arsimit fetar dhe edukimit me frymë kombëtare të shqiptarëve. Në këtë libër ai na rrëfen për kohët e turbullta që po kalonte Tirana dhe e tërë Shqipëria dhe një frymë e tillë nxiste për qëndresë ndaj çdolloj të keqeje, që i vinte Tiranës dhe vendit tonë. Ai së bashku me një kastë të tërë hoxhallarësh patriotë tashmë janë bërë pjesë e pandashme e historisë tonë kombëtare dhe duhet që historiografia zyrtare e jona të hapi vendin që i takon kësaj figure, pra Hafiz Dalliut, Hafiz Ali Korçës, Hafiz Xhemal Naipit, Hoxha Kadriut (Prishtina), Hafuz Xhemalit (Mullaj- Dibra), Hafiz Sabri Bushatit, Hafiz Ibrahim Repishti, Haxhi Vehbi Dibra- Agolli etj.